Covid-19, disa vende fillojnë të rikthejnë masat kufizuese

Me ritme të frikshme vijojnë që të rriten rastet më Covid-19 në Europë. Qeveria spanjolle ka vendosur që mbi 40 zona në Madrid të mbyllen si pasojë e infektimeve të larta. Po ashtu edhe në kufij do të shtohen kontrollet dhe vizitorëve iu është bërë thirrje që të kufizojnë lëvizjet përveç rasteve shëndetësore.

Në Spanjë gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 11 mijë raste, duke kapur një total prej gati 769 mijë infeksione, ndërsa numri i atyre që kanë humbur jetën ka arritur në mbi 31 mijë.

Ky shtet renditet i dyti në Europë për numër të lartë të të infektuarve, vendin e parë e mban Rusia me mbi 1 milion, ndërsa e treta Franca.

Britania e Madhe po përballet gjithashtu me rritje të ndjeshme të rasteve të reja me Covid-19. Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se Britania është në një moment kritik, ndërsa theksoi se nuk dëshiron që të rikthejë karantinën e muajt Mars.

Ai i bëri thirrje njerëzve të ndjekin udhëzimet dhe të frenojnë përhapjen e virusit.  Po ashtu, Xhonson shtoi se është shumë herët për të treguar se çfarë efekti do të kenë masat e reja në shifrat e transmetimit te virusit tek qytetarët. Aktualisht Britania numëron mbi 453 mijë të infektuar dhe mbi 42 mijë vdekje.

Një ditë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë për shtyp deklaroi se edhe pse numri i të infektuarve mbetet disi më i ulët, qytetarët duhet të tregohen vigjilentë në respektimin e masave.

Në Gjermani të prekurit me Covid-19 kanë shkuar në mbi 292 mijë ndërsa vdekjet kanë shkuar në 9571.

Ndërkaq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 7.4 milion dhe mbi 211 mijë kanë humbur jetën. India mban vendin e dytë, ndërsa Brazili renditet në vend të tretë.

Covid-19 e ka çuar totalin e të infektuarve në 34 milionë, mbi 1 milion kanë humbur jetën që kur virusi vdekjeprurës u përhap.

Klan Plus