Autoritetet: Situata nën kontroll, nuk ka vend për panik

Gjatë javës së kaluar, në Maqedoninë e Veriut, shifrat e infektimeve ditore me COVID-19 gradualisht nisën ta kalojnë shifrën mbi 100 raste. Janë mbi 600 raste që janë raportuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë javës që lamë pas, kurse në javën paraprake ishin regjistruar 342 raste. Vetën gjatë fundjavës janë shënuar 180 raste të reja.

Autoritetet e shëndetësisë thonë se për momentin situata është e qetë dhe s`ka nevojë për panik, po ndiqen me vëmendje variantet B.4 dhe B.5 të Omicron-it. Mjekët vlerësojnë se derisa nuk rritet numri i hospitalizimeve me raste serioze e kritike, nuk ka vend për shqetësime. Për momentin në vend trajtohen rreth 20 pacientë me COVID-19.

“Nuk ka shumë informacione edhe për procesin e vaksinimit, por evidente është rënia e ndjeshme e interesimit për t`u imunizuar”.

Mbeten të dhënat se me një dozë është e vaksinuar 47.6% e popullsisë, me dy doza 46.6%, kurse dozën e tretë e kanë marrë afro 160 mijë qytetarë. Për momentin në Maqedoninë e Veriut regjistrohen 570 raste aktive me COVID-19.

Tv Klan