Franca shënon shifrën e dytë më të lartë të pandemisë

Rritje të jashtëzakonshme shënuan shifrat e infektimeve ditore këtë 24-orësh në disa vende europiane. Rritje e papritur në mbi 65 mijë infektime ditore në Francë, nga rreth 15 mijë 24-orëshin e kaluar. Bëhet fjalë për shifrën e dytë më të lartë të gjithë periudhës së pandemisë, një nivel që nuk shënohej prej Nëntorit. Të gjendur përballë një situate të tillë, autoritetet franceze pritet të ashpërsojnë masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Situatë e vështirë edhe në Poloni ku këtë 24-orësh u shënua shifra e dytë më e lartë e infektimeve për gjithë periudhën e pandemisë me më shumë se 30 mijë raste. Vendi po përballet me karantinë rajonale në zonat më të populluara përfshirë kryeqytetin Varshavë. Polonia renditet e dyta në kontinent me infektimet.

Rritje të ndjeshme të rasteve pati këtë të enjte edhe Gjermania me mbi 22 mijë infektime të reja, niveli më i lartë prej Janarit. Vijon situata problematike edhe në Itali e sidomos në Greqi ku kuota ditore e infektimeve vijon të jetë mbi 3 mijë, ndër nivelet më të larta të gjithë periudhës së pandemisë. Presion i lartë në pavionet e tejmbushura në terapinë intensive ku numri i të shtruarve vijon të jetë në kuota historike. Nivelin më të lartë të ditëve të fundit me mbi 79 mijë infektime e shënuan edhe Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan