Kalaja e Beratit, një atraksion i rëndësishëm turistik, do të lehtësojë aksesin për turistët, pas ndërtimit të rrugës së re Kalasë, e cila do të mundësojë arritshmëri të lehtë për makinat nga faqja e kodrës dhe do të çlirojë përfundimisht prej makinave rrugën e brendshme këmbësore drejt Kalasë.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha gjatë inspektimit të Kryeministrit Edi Rama përgjatë rrugës së re se ky investim është shumë i rëndësishëm për qytetin.

“Tashmë ka filluar edhe konsolidimi i veprave të artit për shkak se rruga zgjerohet. Në të gjithë gjatësinë e rrugës është duke u punuar, përfshirë edhe segmentin ku është duke u trajtuar me kalldrëmin që është një pjesë e rrugës që shkon drejt kishës.”

Për shkak të pozicionit, rruga parashikohet të ofrojë edhe një panoramë të mrekullueshme përgjatë këtij aksi. Por vlera më e rëndësishme e saj do të jetë lirshmëria që siguron për kalimin e mjeteve të transportit që në pikun e sezonit hasnin vështirësi të mëdha.

Kryeministri Rama kërkoi gjithashtu përgatitjen e terrenit për ndërtimin e  sheshit aty pranë.

“Duhet të fillojmë punën për sheshin e madh poshtë. Është koha për ta hequr atë karakatinën e vjetër aty, të hapet sheshi dhe ajo do të jetë një gravitet i ri për Beratin”, shprehet Kryeministri.

Ndërkohë bashkia është duke punuar edhe për ndërtimin e një parkimi publik pranë rrethrrotullimit në hyrje të kalasë./tvklan.al