Problematikat e evidentuara gjatë vitit turistik 2018 në qarkun e Beratit kanë qenë tema e diskutimit në mbledhjen e radhës të Task Forcës së turizmit. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi u ndal tek investimet e ardhshme të qeverisë në këtë pol të rëndësishëm turistik.

“Ne kemi shumë nevoje që jo vetëm bashkia e Beratit, por edhe 4 bashkitë e tjera të tregojnë arsyet pse një vizitor duhet të vijë në Berat dhe duhet të kalojë më shumë se 24 orë në Berat. Projekti i BB ka filluar investimet e para të cilat ju i keni prekur. Është rreth 70 milionë euro. Dhe shumë shpejt besoj do të kalojmë në qeveri shpronësimin për rrugën e dytë që vjen në kala, për të pasur një pamje krejt tjetër rruga që në fakt sjell më shumë turistë. Dhe po ashtu investime të tjera që kanë të bëjnë me objekte të vërteta të vizitueshme në qarkun e Beratit, por po ashtu projekti i BB dhe i BERZH i cili jep plot 100 milionë euro të përcaktuara për 4 pole turistike”.

Për Ministrin Klosi, rëndësi të veçantë kanë edhe produktet vendase.

“Do të duhet një punë shumë e madhe nga AKU për të garantuar cilësinë e produkteve. Do të duhet shumë që nëpërmjet bashkëpunimit me strukturat e rendit të përqendrohemi në zonat e vizitueshme. Është e paimagjinueshme që Berati që ka kaq shumë traditë në kulinari, në prodhimet e verës dhe kaq shumë histori suksesi në etiketat të cilat garojnë si etiketat më të mira të verës në vendin tonë të kemi vetëm 1 pikë agroturistike”.

Ministri foli edhe për projektin Smile Albania për vitin 2019, ku një pikë të tille do ta ketë edhe qyteti i Beratit.

Tv Klan