Rrugë të bllokuara dhe temperatura nën zero

I gjithë vendi është mbuluar nga bora. Reshjet që nisën gjatë natës kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm në qarkun e Korçës të shoqëruar me erëra të forta dhe temperatura shumë të ulëta që kanë shkuar deri në minus 8 gradë.

Trashësia varion nga 40 në 50 centimetra, por në fshatra të thellë arrin deri në 1 metër e gjysmë. Te gjitha akset nacionale qe lidhin Korçën me qytetet e tjera janë të qarkullueshme vetëm me zinxhirë. Shumica e njësive administrative të Pogradecit janë të bllokuara pasi dëbora ka arritur 1 metër. Prej 24 orësh aty mungon edhe energjia elektrike. Fshatrat Lekas-Vithkuq dhe disa pjesë të Voskopojës janë të bllokuara.

Problematike është situata edhe në veri të vendit. 6 turistë janë bllokuar në Vermosh pasi dëbora arrin në gjysmë metri dhe temperaturat kanë zbritur 15 gradë nën zero. Rrugët që lidhin Shkodrën me Tamarën, Vermoshin, Lepushën dhe Selcën janë të bllokuara. Nga këto zona raportohet mungesa energjie.

Në Dibër gjithashtu janë të bllokuara pothuajse të gjitha zonat rurale. Aksi Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë. Ndërsa nga Ura e Çerenecit në Librazhd është i bllokuar. Edhe aksi Peshkopi-Qafë Draj -Kukës është i bllokuar. Peshkopi-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë deri në Kalanë e Dodës, ndërsa nga Kalaja e Dodës më tej e bllokuar për shkak të erës së fortë.

Të gjithë fshatrat dhe njësitë administrative të Dibrës dhe Bulqizës janë të bllokuara, rrugët janë të pa kalueshme ndërsa ka mungesë të energjisë elektrike.

ARRSH thotë se mbetet problematike situata në aksin Milot–Lezhë. Ai është i kalueshëm përveç një pjesë në kryqëzimin e Tales, ku kalimi realizohet me një korsi. Edhe Qarku i Elbasanit është përfshirë nga mot siberian. Në zona të thella trashësia e dëborës ka arritur nga 50-70 centimetra deri në një metër si në Fushë Studen, Sopot, Rovje etj. Nën pushtetin e dëborës ndodhen mjaft fshatra në Elbasan, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas.

Në Vlorë ka pasur reshje në qafën e Llogarasë, por kalimi është pa probleme. Edhe aksi Lushnje-Rrogozhinë ka prezencë akulli të shumtë në disa segmente. Për këtë shkak kanë qenë të shumta aksidentet. Policia njoftoi se gjatë natës një ambulancë ka dalë nga rruga në aksin Durrës-Tiranë për shkak të motit të keq dhe për pasojë ka humbur jetën pacientja që po dërgohej në spital.

Reshjet e dëborës zbriten deri në bregdet. Kjo ishte pamja e Durrësit ku bardhësia është bashkuar me të kaltrën e detit.

Tv Klan