Rikonstruksioni i rrugëve në vendin tonë mjaftohet vetëm me shtrimin e asfaltit apo dhe vijëzimet e duhura. Vihet re një fenomen shqetësues, pikërisht mungesa e investimeve në elementët e sigurisë rrugore. Nisur nga rasti i fundit i aksidentit në Kamëz, ku humbi jetën 16-vjeçari Klevis Cuku, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore ngre alarmin në këtë drejtim.

Drejtori i Policisë Rrugore Mit’hat Tola:

“Në gjykimin e Policisë Rrugore, shumica e akseve kryesore rrugore, qendrat e banuara nuk i kanë elementët e domosdoshëm që parashikon legjislacioni rrugor dhe manualet e sinjalizimit rrugor dhe elementët mbrojtës”.

Në fazën paraprake të hetimit për aksidentin në bulevardin “Donald Tramp” në Kamëz, policia ka një përgjigje përse ka ndodhur.

“Humbja e vëmendjes dhe shpejtësia e lartë. Për përdorimin e alkoolit do të presim analizat që kanë marrë në vendngjarje mbi personat që janë përfshirë në aksident rrugor për të parë nëse ka patur alkool ose jo”.

Sipas zyrtarit të policisë rrugore ka shumë raste që fëmijë të mitur kapen duke i dhënë automjeteve.

“Vetëm për këtë periudhë, pothuajse 700 persona janë arrestuar për drejtim mjeti pa patentë. Ndoshta nuk e kemoi kategorizuar për të parë sa nga këta janë të mitur. Sa për fëmijët, në qyteza të vogla tentojnë t’i shpëtojnë kontrollit policor dhe pastaj ndodhin fatkeqësi të tilla sikurse është fatkeqësia që ndodhi”.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Spartak Koka