rrugetThuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me gropa. Disa jane krijuar si pasojë e degradimit të asfaltit. Të tjera nga institucione që hapin kanale për të futur tubacione e linja nëntokësore e nuk i mbyllin.  Rruga e Porcelanit është ndër më të dëmtuarat. E tillë është edhe një pjesë e unazës.

Me e rënduar është gjendja e rrugës së Dibrës nga kryqëzimi me unazën deri në kinostudio. Sot në asfaltin e çarë ështe hedhur zhavorr.

Drejtues të Bashkisë së Tiranës thonë se kjo situatë është pasojë e mosmiratimit të buxhetit të këtij viti. Aktualisht bashkia po operon me 1/12 e buxhetit të saj, një fond që shërben për pagat dhe furnizimin e shkollave e çerdheve me lëndë djegëse për ngrohje. E nëse buxheti nuk do të miratohet, gjendja e rrugëve pritet vetëm të përkeqësohet.