Fenomeni, i shtrirë në të gjithë vendin

Kështu duket një pjesë e rëndësishme e Unazës së Madhe të Tiranës sapo errësohet.

Mungesa e ndriçimit rrugor në të është kthyer në shqetësim për drejtuesit e automjeteve.

“Ndodhem në segmentin rrugor të Unazës së Madhe, Sauk-TEG. Ndonëse e cilësuar shpesh nga Policia Rrugore si njollë e zezë për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizin automjetet, siç mund të shihni nga pamjet, asnjë nga shtyllat e ndriçimit rrugor nuk funksionon”, raportoi gazetarja Dorina Halili.

Për ekspertët, mungesa e ndriçimit bëhet shpesh shkak aksidentesh, në një kohë kur ende ka persona që kalojnë mes përmes rrugës.

Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore: Jemi mësuar që shumë gjëra t’i shikojmë përgjysmë. Fakti që funksionon një pjesë dhe një pjesë jo, kjo lë për të dëshiruar, mund të hyjnë edhe kafshë, njerëz, motoçiklistë.

Autostrada Lezhë-Milot, e quajtur edhe rruga e “vdekjes” si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve të ndodhura ka po ashtu të njëjtin problem. Nga një vëzhgim i Tv Klan shihet se ndriçimi mungon.

Artur Sulçe: Nëse do shikoni aksidentet që ndodhin janë aksidente me këmbësorë ose me karroca që kalojnë rrugën natën nga njëri kah në tjetrin. Rruga nuk është e ndriçuar kështu që drejtuesi e ka të vështirë ta shquajë.

E pandriçuar ka mbetur edhe një pjesë e autostradës Tiranë-Durrës.

Një tjetër aks i përgjakur nga aksidentet është edhe ai Shkodër-Kryebushat, këtu shtyllat e ndriçimit mungojnë krejtësisht.

E njëjta pamje është edhe në aksin rrugor Lushnje – Fier.

Fenomen shqetësues është edhe funksionimi i pjesshëm i ndriçimit në rrugë, pasi kjo sipas ekspertëve e shpërqendron shoferin.

Ekpertët thonë se përballë kësaj situate drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të shtojnë kujdesin në rrugët pa ndriçim.

Tv Klan