RTK: Plan për atentat ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Shkup


RTK: Plan për atentat ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Shkup

13:38 10/02/2024

Radio Televizioni i Kosovës raporton se ndaj Kryeministrit Albin Kurti ka patur plan për atentat gjatë qëndrimit të tij në Shkup mbrëmjen e së premtes.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë. Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut”, raporton RTK duke ju referuar burimeve.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Aktualisht Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Kosovë dhe nuk ka ndodhur asnjë incident gjatë rrugëtimit falë bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Pas kthimit në Prishtinë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë për mediat se nuk është ndier i kërcënuar, por në Shkup ka vënë re prezencë të madhe të forcave policore. Ai pranoi se ishte vënë dijeni të kërcënimeve nga elementë serbë.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd, por unë sapo erdha nga Shkupi këtu. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, u shpreh Albin Kurti.

/tvklan.al









Të ngjashme