Pasi i lanë për dy muaj mënjanë aleatët europianë në bisedimet me Rusinë për paqen në Ukrainë, pjesëtarët e delegacionit amerikan zbritën më në fund në kontinentin e vjetër.
Sekretari amerikan i Shtetit dhe Stiv Uitkof, i dërguari i Presidentit Donald Trump, mbërritën këtë të enjte në Paris për t’u takuar me përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian.
Uitkof u takua fillimisht në pallatin presidencial francez me këshilltarin diplomatik të presidentit Macron dhe këshilltarin britanik për sigurinë kombëtare.
Diplomatët amerikanë më pas i priti edhe vetë shefi i Elizesë. Takimi i nivelit të lartë ndodh në një kohë ku qeveritë europiane janë të shqetësuara se administrata Trump ka zbutur qasjen ndaj Moskës dhe e ka ashpërsuar atë ndaj Ukrainës, që po përballet prej më shumë se 3 vitesh me luftën ruse.
Vendet europiane kërkojnë që Uashingtoni të mbajë anën e Ukrainës në bisedime dhe të mos pranojë ndryshimin e kufijve.
Donald Trump megjithatë është shprehur se situata në terren është krejt e ndryshme nga ajo para fillimit të luftës, kur konflikti mund të ndalej dhe tani llogaritë duhen bërë mbi atë çfarë ka ndodhur në terren.
Tv Klan