Në një takim dy-ditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, aleatët e SHBA nuk janë të bindur në lidhje me synimet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Marco Rubio tha se SHBA-ja do ta kuptojë brenda disa javësh nëse Rusia ishte serioze dhe kërkon në të vërtetë paqen.

“Ne do të dimë së shpejti, brenda disa javësh, jo muajsh, nëse Rusia është serioze për paqen apo jo. Shpresoj që të jenë. Do të ishte mirë për botën që ajo luftë të mbaronte. Por padyshim që ne duhet ta testojmë atë propozim, është shprehur Marco Rubio.

Ai vlerësoi Kievin pasi ka treguar gatishmëri për një armëpushim të plotë.

“Rusët e dinë pozicionin tonë për sa i përket dëshirës për t’i dhënë fund luftës. Nëse ata nuk ecin drejt paqes, atëherë ne do të duhet të rivlerësojmë se ku jemi dhe çfarë bëjmë për të ecur përpara”, tha më tej sekretari amerikan.

Rubio refuzoi t’i jepte një afat zyrtar Vladimir Putinit për të nënshkruar një marrëveshje, por sugjeroi se SHBA mund të shtojë sanksionet ndaj Rusisë. Gjithshtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte pas takimit me ministrat e Jashtëm u shpreh se topi është në fushën ruse në lidhje me një armëpushim në Ukrainë.

“Tani topi është në fushën ruse, kështu që ne duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Por unë nuk dua të ndërhyj në ato bisedime. Deri më tani, jam shumë i impresionuar se si amerikanët po i drejtojnë bisedimet. Për të gjithë NATO-n, Rusia është kërcënim afatgjatë”, u shpreh Mark Rutte.

Ndër të tjera, ai u shpreh se aleatët e NATO-s do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe shumë vende kanë filluar ta bëjnë këtë tashmë.

Klan News