Kryetari  i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë pro ligjeve për ndryshimet në Kodin zgjedhor. Ai u shpreh në nisje të kësaj seance se nuk ka qenë e lehtë për mazhorancën që të qëndrojë në mes të opozitës parlamentare dhe asaj jo parlamentare. Ruçi tha se shumica nuk u soll si triumfatore.

“Nuk ka qenë e lehtë të arrinim deri këtu duke harmonizuar alternativat e shumicës me ato të opozitave. Unë ju ftoj sot të shohim përpara dhe as prisnim dhe as kemi pritur që të kemi konsensus të plotë për gjithçka. Ligjet që do të miratojmë sot nuk janë produkt laboratori, por proces parlamentar real. Ju ftoj të gjithëve që me konstruktivitet të debatojmë dhe në fund të votojmë pro ligjeve që janë në rendin e ditës së kësaj seance që lidhet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, tha Ruçi.

Pavarësisht kundërshtimit të opozitës jashtëparlamentare, shumica qeverisëse është e vendosur t’i kalojë për votim ndryshimet që sanksionojnë listë unike për koalicionet parazgjedhore dhe hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe sanksionimi në Kod i rregullit që një kryetar partie ose koalicioni të ketë të drejtën të konkurrojë në 4 qarqe.

Opozita jashtëparlamentare i ka kundërshtuar këto ndryshime, të cilat sipas saj, shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit. Për këtë ajo kërkoi që më parë të merrej opinion i OSBE/ODIHR. Kjo kërkesë u refuzua nga mazhoranca e majtë./tvklan.al