Ruçi uron Harris: Lidershipi i SHBA, garanci për një botë më mirë, të sigurt e paqësore



Ruçi uron Harris: Lidershipi i SHBA, garanci për një botë më mirë, të sigurt e paqësore

09:07 21/01/2021

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Zëvëndëspresidentes dhe Kryetares së Senatit të ShBA, Kamala Harris. Kreu i Kuvendit thotë se SHBA-ja janë aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shpreson që bashkëpunimi mes Senatit dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet gjatë mandatit të Harris.

“Me rastin e fillimit të detyrës Tuaj të lartë të Zëvëndëspresidentes së ShBA dhe njëkohësisht të Kryetares së Senatit të ShBA, kam nderin t’iu dërgoj urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal.

Jam plotësisht i bindur se, nën drejtimin tuaj vizionar e dinamik, si një juriste e shquar dhe udhëheqëse moderne, Senati i ShBA do të vazhdojë të kryejë me sukses rolin e tij si tempulli më prestigjioz i debatit politik në botën e sotme dhe garantuesit të demokracisë amerikane.

Mbështetja juaj si Kryetare e Senatit për miratimin e politikave parësore të Presidentit Biden për kapërcimin me sukses të pandemisë Covid-19, ringritjen ekonomike, harmoninë sociale e njerëzore, ndryshimet e klimës dhe fuqizimin e koalicionit të vendeve demokratike, për përballimin e zgjidhjen e problemeve të planetit, janë garancitë për një lidership më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kontributin e tyre për një botë më mirë, më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie, siguri e paqe.

SHBA janë aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe unë jam shpresëplotë që bashkëpunimi midis Senatit të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet e zgjerohet gjatë mandatit Tuaj”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./tvklan.al






Të ngjashme