Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Igor Zorčič, me rastin e marrjes nga Sllovenia të Presidencës së Këshillit Europian.

Ruçi shpreh bindjen se gjatë presidencës sllovene do të realizohet mbajtja e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

“Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit Europian, dëshiroj t’ju uroj suksese në përmbushjen e prioriteteve të Sllovenisë, në udhëheqje të Këshillit. Programi ambicioz i Presidencës Sllovene, “Së bashku për Përtëritjen e Europës”, kam bindjen se do të jetë një kontribut i rëndësishëm në rimëkëmbjen pas pasojave të pandemisë së Covid-19, përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e vlerave europiane dhe rritjen e stabilitetit dhe të sigurisë në Bashkimin Europian, kontinentin europian, rajonet përreth si edhe në të gjithë planetin.

Shpreh gjithashtu bindjen time se Presidenca Sllovene do të jetë një oportunitet i madh për politikat e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të kontribuojë në rritjen e shpejtësive të integrimit të tyre në familjen europiane. Europa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian është shpresë për Ballkanin Perëndimor, por edhe Ballkani Perëndimor është një shpresë për Bashkimin Europian. Prandaj, siç edhe diskutuam gjatë Samitit të Dytë të Kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, para pak ditësh, uroj dhe besoj në kontributin dhe vendosmërinë Tuaj që gjatë Presidencës Sllovene të realizohet sa më shpejt edhe mbajtja e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./tvklan.al