Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ishte nga të parët që votoi nga eksponentë të mazhorancës. Pyetjes nëse zgjedhjet e kësaj të diele ishin të ngjashme me votimet moniste, ai iu përgjigj duke thënë se nuk ka asgjë që  rrezikon sistemin demokratik.

“Mirë që votova, por edhe zgjodha. Besoj që nuk keni dyshim për kë kam votuar, zgjodha mes dy kandidatëve. Besoj se subjekte politike ishin 30 ka plot alternativa dhe kandidatë ishin dy. Do ishte shumë mirë më që të ishin më shumë kandidatë në 61 bashkitë, më shumë subjekte politike pavarësisht se 30 nuk janë pak. Sot nuk është dita që të analizojmë, sot sepse kjo ka qenë në ekranet tuaj, në debatet politike të zhvilluara. Sot është dita të bëjmë apel për maturi, qetësi dhe vendosmëri. Në kuptim që dita të shkojë e qetë, pjesëmarrja kush të dëshirojë të marrë pjesë dhe është mirë që të votojnë, të matur sepse duhet respektuar ai që voton dhe ai që nuk voton, si dhe vendosmëri për të vazhduar reformat dhe për të shpresuar që si rezultat i këtyre të hapen negociatat në muajin  Tetor. S’ka burrë nëne që të vendosë diktaturën veçanërisht në Shqipëri“.

Pas Ruçit, kutisë së votimit iu drejtua kryebashkiaku Veliaj, i cili  i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij ushtroi të drejtën e votës në qendrën e vendosur në Parkun Olimpik.  Ai u kërkoi  qytetarëve të dalin masivisht në votime.

Jemi në një ditë fantastike, të bukur me diell për Tiranën tonë. Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim se si do të vazhdojë qyteti. Kështu dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të votojnë. Unë e di se ka parti që kanë bindje politike, që kanë inate të vjetra, që kanë pazare të pambyllura, por këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për mënyrën sesi do pastrohet Tirana, për çerdhet, kopshtet, shkolla, ndaj dhe mbipolitizimi, ose përdorimi i zgjedhjeve për të hesape që dikush ka me të kaluarën nuk përbën sens. Ndaj dhe jam i lumtur sot që shikoj se në të gjithë qytetin ka radhë për të marrë pjesë, ka radhë për të votuar, ka radhë për të thënë atë që ne mendojmë si ka ecur qyteti. Dua ti ftoj të gjithë, votoni, votoni, votoni, si e vetmja mënyrë, për të treguar që vota ka fuqi, vota mund të bëj diferencën, vota mund ta ndryshoj realitetin. Iu kujtoj të gjithëve që në vitin 2015 ishte vota ajo që ishte vota ajo që vendosi dhe prej asaj vote patëm këtë rezultat. Për të gjithë fëmijët dhe familjet e Tiranës ky është momenti ynë dhe dita jonë për të thënë se si e duam qytetin. Shpresoj të gjeni një moment edhe të votoni”.

Në shkollën ‘Dëshmorët e Lirisë’ votoi Arben Skënderi, rivali i Veliajt në garën për Tiranën. Kandidati i Bindjes Demokratike foli për një proces të qetë dhe të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit.

“Kam informacione që çdo gjë shkon shumë qetë. Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje votuesve që ta përdorin instrumentin e votës pa ndikime. Është e rëndësishme që vota sido që të jetë do të ishte mirë që njerëzit ta kenë këtë insrtument ta përdorin. Njerëzit duhet të vijnë të votojnë”.

Tv Klan