Të ftuar:

“10 Shqiponjat e Terbacit”, grupi I vetem I grave qe kendojne iso polifoni.

Kjo është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët anekënd botës, sepse sot festojmë 106-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Dhe në kuadër të kësaj dite në studion e “Rudina” ishin të ftuara “10 Shqiponjat e Tërbaçit” dhe Albert Habazaj, bibliograf, poet, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit.

Ato janë 10 gra, 8 prej të cilave janë bija të fshatit Tërbaç të Vlorës, ndërsa 2 të tjera janë nuse në këtë fshat. Ato janë bashkuar para 2 vitesh për të formuar një grup polifonik, të cilin e kanë quajtur “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Të gjitha ato janë nëna, madje disa prej tyre dhe gjyshe dhe kanë vendosur të rizgjojnë traditën e hershme të këngës labe të grave tërbaçiote. Ky grup i polifonisë femërore labe sot është unikal.

Shpresa Kapo Çelaj, Liri Gaçe Shkurtaj, Vito Shiroku Vera, Evgjeni Habili Seferi, Liljana Rrapaj Kapo, Antoneta Goxho Mehmeti, Hava Çelaj Muçaj, Lavdie Goxho Xhaka, Meme Ribaj Habazaj dhe Fatmira Hodo Skëndaj ishin anëtaret e grupit, të cilat gjatë emisionit rrëfyen historinë e krijimit të grupit.

“Kemi qenë në klasë të 3-të kur ka nisur historia e krijimit të grupit. Kam qenë bashkë me Lirien dhe Albertin në një klasë. Rapsodi i Tërbaçit zgjodhi zërat më të mirë që quhej “Fatosat e Tërbaçit”. Kështu nisi, edhe në gjimnaz krijuam një tjetër grup. Por më pas u shkëputëm për disa kohë, sepse secili nga ne mori drejtime të tjera në shkollë. Më vonë e diskutuam dhe bëmë një thirrje dhe të gjitha anëtaret e grupit që janë sot ishin të gatshme për t’u bërë pjesë. Rezultuam mirë”, tha Shpresa Kapo Çelaj.

Ndërkohë Meme Ribaj Habazaj shtoi: “Tërbaçi është një fshat plot me ngjyra, me të gjithë ngjyrat e jetës. Është i bukur jo vetëm në natyrë, por edhe në njerëz dhe kjo na ka bërë ne që t’i bashkohemi grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Historia e Gjergj Kastriot Skenderbeut, historia e nje heroi.

Gjergj Kastriot Skënderbeu është padyshim emri me të cilin krenohet çdo shqiptar, por edhe figura kombëtare që ka frymëzuar shumë popuj të tjerë.

Në kuadër të 28 Nëntorit, Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, Mehdi Afizi rrëfen për emisionin “Rudina” historinë e heroit tonë kombëtar.

“Gjergj Kastrioti është marrë peng në kohën e Sulltan Muratit të 2-të sëbashku me dy vëllezërit e tij dhe dërgohet në Turqi, në Adrianopul në një shkollë ushtarake. Në atë shkollë kishte të rinj që ishin marrë nga territoret e pushtuara të Perandorisë Osmane. Ata nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Në Turqi i vendosën emrin Skënder, që në turqisht do të thotë Aleksandër dhe këtë e bënë për nder të Aleksandrit të Madh dhe për ta myslimanizuar, sepse ai ishte i krishterë. Më vonë ai shërbeu në sulltanat dhe mori gradën ushtarake “Beg” dhe “Pasha”, tha Afizi.

Luftëtar i zoti, sy patrembur, por edhe shumë diplomat. Për 25 vjet, Kruja që ishte kryeqyteti i Arbërisë. U quajt nga shumë personalitete të kohës Akropoli i Kristianizmit në Europë, falë tij.

“Në daljen e fshehtë të kalasë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu sëbashku me trimat e tij, me komandantët e kalasë kontrollonin me kujdes për ardhjen e Osmanëve, të cilët kanë qenë të shumtë në numër”, tregoi ai.

Gjergj Kastriot Skënderbeu është cilësuar nga historianët si një nga katër gjeneralët dhe strategët më të zotë në historinë e botës pas Aleksandrit të Madh, Jul Çezarit dhe Napoleon Bonapartit.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu kthehet në Krujë më 28 Nëntor të vitit 1443. Nën udhëheqjen e tij organizoi 26 beteja për 26 vite duke fituar 24 dhe duke humbur vetëm 2”, tha Afizi.

Gjergj Kastrioti u martua me Donika Arianitin, nga Kanina e Vlorës dhe bashkë patën një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vunë në nder të të atit.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, një nga gjeneralët që ishte komandant në kalanë e Kaninës. Gjergj Kastrioti kishte nxjerrë një ligj që çiftet, para se të martoheshin, duhet të tregonin se kishin mbjellë 20 rrënjë ullinj dhe 25 hardhi. Pasojë e këtij ligji ishte mbushja e Krujës me ullinj” shtoi Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”.

Skënderbeu ishte një strateg dhe takticien ushtarak mjaft i zoti, i cili me ushtrinë e tij arriti të shkatërrojë 20 ushtri të huaja. Dhe sipas Marin Barletit, ai gjatë gjithë jetës së vet vrau në beteja 3.000 persona.

Greiss Petroviç prezanton per here te pare vajzen e saj, Emel.