Të ftuar:

Anila Basha – Gazetare

Vetëm një muaj më parë gazetarja e njohur Anila Basha humbi babain.

Sot ajo sëbashku me nënën e saj Eftali Basha ishin në studion e “Rudina”, në Tv Klan, nga ku rrëfyen betejën e tij të vështirë me kancerin.

Gjatë emisionit, gazetarja tregoi se fillimisht mjekët i dhanë vetëm 6 muaj jetë babait të saj, por dëshira e tij për jetën dhe ushqimi i mirë bënë që të jetojë edhe 4 vite të tjera.

“Kur babai u diagnostikua i dhanë vetëm 6 muaj jetë, por ne rifituam 4 vite falë kurajos së babit tim dhe dëshirës së tij për jetën. Kur mjeku më dha për herë të parë analizat e babait dhe më tregoi se ishte një kancer i avancuar në stadin e katërt, në momentin e parë nuk i tregova familjes. Mora analizat, u ula, qava shumë se e dija çfarë do të ndodhte më pas. Mjekët më thanë: Lëri lotët, vazhdo nga puna. Duhet të jesh e fortë psikologjikisht.

Kjo sëmundje sot nuk ka më moshë, nuk bën dallime, por e gjitha duhet të fillojë nga ushqimi. Babi me mua nuk e pranonte këtë historinë e largimit. Ngushëllimi i vetëm është që motra ime që jeton në Greqi javën e fundit para se të largohej babi erdhi dhe nuk u largua dot më. “Ne si ju kemi qëne dhe ju si ne do të bëheni”, është amaneti që babi i la motrës që ta shkruante si epitafi te varri i tij. Unë u habita kur e dëgjova. Ai kërkoi gjithashtu që gurin të mos e kishte të rëndë dhe mbi varr të mbilleshin lule dhe bar, nuk donte një varr klasik.

Mami e përjeton shumë edhe tani humbjen e tij. Ne fëmijët jemi larguar herët nga Lushnja, por prindërit kanë qenë shumë të lidhur me zonën dhe mami është personi që po e ndjen më shumë ikjen nga jeta të babit. Sëmundja që e gjithë familja përballoi dhe katër vitet e jetës së babait me kancer janë më së shumti falë mamit, e cila ka qenë kryedoktoresha, kryeinfermierja dhe kryekuzhinierja e babit. I ka patur të gjitha. Mami është njeriu që nuk ka reshtur kurrë, në mes të ditës apo natës i ka bërë të gjitha vetë” tregoi gazetarja.

Gjatë emisionit Basha po ashtu i bëri thirrje të gjithë prindërve të cilët mund të kenë shqetësime të mos ngurojnë të njoftojnë fëmijët e tyre dhe të kryejnë sa më shpejt vizitat e nevojshme.

“Babi ishte i shqetësuar para 4-5 vjetësh dhe ngulmonte të mos më shqetësonte dhe e shtynin nga dita në ditë duke mos bërë asgjë deri në momentin që nuk mbante më. Nëse ne do ta kishim kapur këtë sëmundje më herët dhe jo në stad aq të avancuar mund të kishim fituar më shumë kohë. Kështu që të dashur fëmijë dhe prindër kudo që jeni, nëse keni shqetësimin më të vogël mos hezitoni të merrni kalamajt në telefon dhe t’i tregoni e të shkoni të vizitoheni se është gjëja më elementare që duhet të bëni për të fituar qoftë edhe pak gjë”, tha ajo.

Ndërkohë nëna e saj, e përlotur nga humbja e të shoqit tha se beteja 4-vjeçare e tij me sëmundjen e kancerit ka qenë e trishtueshme.

“Prej 4 vitesh ne kemi luftuar me atë sëmundje. Ishte shumë e trishtueshme, kemi qënë në spitale të ndryshme. Ne kishim vajtur në spitalin e Lushnjes disa herë, por kur vumë re që ajo sëmundje nuk po shteronte se kishte hemoragji erdhëm në Tiranë. Bëmë analizat të cilat i dolën shumë keq. Për të mos shqetësuar fëmijët ne arritëm deri këtu. Ndoshta mund ta kishim kapur më para sëmundjen dhe im shoq mund të ishte edhe sot. Im shoq ishte i kujdesshëm, i merrte ilaçet dhe donte të jetonte sa më shumë. Ai bëri shumë kimio, gjë që e lodhi shumë, por ushqimi e mbajti. Ai hante shumë mirë, por dy javët e fundit e ndërpreu ushqimin dhe e kuptoi edhe vetë dhe filloi të linte porositë”, tregoi Eftali Basha.

Alba Çobaj – Moderatore

Albi Isakaj – Moderator,

Ardit Murataj – Gazetar

Liesa Haxhiasllani – Gazetare

“Ditë për ditë” është programi më i ri që pritet të nisë së shpejti në Televizionin Klan. Ideuar nga Drejtori i Programeve, në Tv Klan, Armand Shkullaku, me kryeredaktore Elda Lazen, ky emision do të jetë çdo ditë në ekran në orën 13:45.

Për të folur për programin më të ri ishin sot në studion e “Rudina” në Tv Klan moderatorët Alba Çobaj, Albi Isakaj, Ardit Murataj, Liesa Haxhiasani dhe blogerja e ushqimit Kristi Janku.

Ata zbuluan se ky program do të trajtojë tema të ndryshme dhe do të japë informacione të shumta.

“Do jetë diçka shumë e lirshme, spontane do ketë edhe thashetheme, do të jetë live dhe shumë i këndshëm për t’u parë. Para disa ditësh është lançuar edhe spoti që besoj të gjithë e kanë parë dhe orari kur do të transmetohet do të jetë në 13:45. Është një orar i mirë dhe familjarët besoj se do të na shohin, do informojmë për shumë gjëra, do të kemi tema pa fund për të trajtuar. Ideja për këtë emision ishte e drejtorit Armand Shkullaku dhe e kryeredaktores Elda Laze. Ishte Elda ajo që na orientoi, sugjeroi emrin tim dhe mblodhi të gjithë të tjerët dhe ja ku jemi një familje e madhe tashmë që do të çojmë përpara këtë projekt”, Alba Çobaj.

Kristi Janku, blogerja e ushqimit e cila sezonin e kaluar ishte pjesë e Tv Klan përmes emisionit “Kush vjen për drekë” do të mbulojë sërish pjesën e kuzhinës në emisionin më të ri, por këtë vit do të vijë me ndryshime.

“Këtë vit do të sjell disa ndryshime, duke qenë se sezonin e kaluar isha pjesë e “Kush vjen për drekë”, por pa dalë nga fokusi im që është të jetuarit shëndetshëm dhe të përgatiturit ushqime për personat që janë të impenjuar gjatë ditës. Të gatuash 2-3 orë është luks sot, kështu që do të përgatisim gjëra të shpejta dhe të shëndetshme”, tha Janku.

Liesa Haxhiasani po ashtu zbuloi se në këtë program do të trajtojnë edhe të rejat nga muzika dhe showbizi.

“Programet me të cilët jemi marrë më përpara kanë patur tematika të ndryshme, por edhe në këtë emision do të merremi me muzikën dhe të rejat nga showbizi të cilat do t’i trajtojmë edhe më gjërë pasi edhe audienca që pretendojmë të na ndjekë do të jetë më e lartë. Emocionet janë të mëdha dhe ne presim që të mirëpritet si projekt”, tha Liesa.

Ndërkohë Ardit Murataj shtoi se qëllimi i programit është që të transmetohet në publik në mënyrë sa më natyrale dhe rinore.

“Shpresojmë që gjithçka të vijë në mënyrë sa më natyrale. Ne kemi patur më parë një program rinor dhe ky program do ta ketë po ashtu këtë frymë. Sa më të bashkuar të jemi të gjithë, mund të bëjmë një punë shumë të mirë dhe njerëzit në fund të fundit të jenë të kënaqur dhe të na shohin”, tha Ardit Murataj.

Si ka ndryshuar jeta e Meghan Markle pas marteses?