Të ftuar:

Arben Ristanin – Sekretar i Pergjithshem i Partise Demokratike

Motori për shumëkënd nuk është thjeshtë një mjet transporti, por një pasion përmbushës që kthehet në stil jetese. Kështu ndodh edhe me politikanin Arben Ristani, i cili në fundjavë apo në ditët e tij të lira zhvishet nga çdo angazhim politik për të marrë kënaqësinë që i jep motori, i cili prej vitesh tashmë është shndërruar në pasionin e tij më të madh.

Sot i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Ristani tha se ai sëbashku me bashkëshorten e tij merr pjesë në udhëtime të organizuara jashtë Tirane, apo edhe jashtë Shqipërisë duke shijuar kështu natyrën dhe energjinë pozitive që ajo fal.

“Mua më pëlqen të udhëtoj dhe të jem i socializuar. Në rast se udhëtimi me makinë nuk të jep mundësinë të bëhesh grup i madh, motori ta jep këtë mundësi. Kur lëviz me motor kam më shumë adrenalinë dhe më shumë energji, për më tepër që edhe jeta jonë ka të bëjë shumë me kollaren, me kostumin, me zyrën dhe motori është diçka që të nxjerr nga rutina. Kam udhëtuar me motor jashtë Shqipërisë në vende si Firence, Greqi, Austri, Romë, Napoli, Mal të Zi apo Vermosh, Plavë Guci, Kolashin, Maqedoni. Janë udhëtime përmes të cilave shijon jo vetëm natyrën, por edhe miqësinë. I gjithë udhëtimi me motor është i bazuar mbi rregulla strikte në mënyrë që të shijojmë atë që duam vërtetë. Udhëtimi i fundit ka qenë para disa kohësh nga Korça në Selanik, nga Selaniku në Janinë dhe më pas në Gjirokastër”, tha politikani.

Ai është një nga emrat e njohur në politikën shqiptare. I angazhuar prej vitesh në Partinë Demokratike, Arben Ristani, edhe pse është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë është angazhuar në politikë, ku ka mbajtur pozicione të ndryshme, si kryetar i komisionit zgjedhor, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratikë, detyrë të cilën vijon ta ketë edhe sot.

Sot Ristani ishte i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, për të na treguar më tepër për familjen e tij. Ai është i martuar prej disa vitesh me Alketën, me të cilën kanë birësuar një djalë, Tomasin, kur ishte vetëm 1 vjec. Sot Tomas është 4 vjeç e gjysmë.

“Nuk është e lehtë të gjesh kohë për familjen, por nuk është as e vështirë. Ndoshta edhe për shkak të ideologjisë së djathtë, e cila ka në bazë familjen, unë e dua shumë familjen dhe jam krah saj. Nuk iu kam munguar kurrë dhe ajo që kam kuptuar është se nuk është e rëndësishme sasia e kohës, më shumë se sa cilësia e kohës që kalon me ta. Vajza Nensi këto ditë është diplomuar dhe e kemi festuar, ndërsa me djalin e kemi filluar edhe një herë nga e para. Të them të vërtetën kjo gjë është shumë e bukur, sepse unë jam bërë baba kur kam qenë 27 vjeç dhe ndoshta edhe për shkak të moshës më duket sikur nuk i kam kushtuar shumë vëmendje dhe gjithë atë që nuk kam mundur të kaloj me të, po e kaloj me djalin. Me të është ndryshe, po e gëzoj faktin që ai është i vogël, është ndjesi fantastike”, tha Ristani.

Jeta Hamzallari – redaktore e shtëpisë botuese ‘Dituria’

Erion Kristo – Gazetar/Petagog