RUDINA – ARDIT ÇUNI DHE DANJELA TOCI SJELLIN BALADEN “QAJ”, E FRYMEZUAR NGA NJE HISTORI E VERTETE; ADELA DHE ANXHELO MUCOLLARI, MOTER E VELLA QE NDAJNE GJITHMON TE NJEJTEN SKENE!

Emision: 09.11.2018

Të ftuar:

Ardit Çuni – Këngëtar
Danjela Toçi -Këngetare

Ata i përkasin të dy fushës së muzikës. Ajo është një 14 vjeçare e cila ka arritur të rrëmbejë zemrat e shumë njerëzve më zërin e saj melodioz, ndërsa ai është frymëzuar nga historia e kësaj vajze dhe ka vendosur që ta sjellë atë në një këngë.

Bëhet fjalë për Danjela Toçin dhe Ardit Çunin. Këngëtarët ishin të fuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku folën për këngën e tyre “Qaj” me të cilën konkurojnë në Këngën Magjike.

“Teksti i këngës tonë është shkruar nga Fifi, por ideja ka qenë e imja. Është një përjetim emocional që tregon një jetë paralele ose si të thuash një të tashme të Danjelës dhe një të shkuar timen. Nuk do të doja të bëja krahasime, por edhe unë e kam patur të pamundur të paguaj për muzikën dikur, por sot kam fatin të suportoj Danjelën. Është mirë që ndonjëherë të kuptojmë kush është realiteti. Boll shitëm ar, luks e makina, është mëse e mjaftueshme. Është koha të vijmë me këmbë në tokë dhe të kuptojmë ku jetojmë, se në fund të fundit as 10% e popullsisë si ka ato lukset që shfaqen në videoklipet që shohim. Mendoj se çdo njeri ka një moment reflektimi në jetë dhe mendoj se ky ka qenë mometi i reflektimit në karrierën time”, tha Çuni.

Ndërkohë Danjela tha se fabula e këngës është të dhurojmë sa më shumë dashuri dhe të mos shikojmë vetëm jetët tona.

“Fabula e këngës është që të dhurojmë sa më shumë dashuri, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të mos shikojmë vetëm jetët tona. Kënga deri tani ka patur shumë sukses dhe i falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Nuk e kam pritur gjithë këtë sukses, por jam e lumtur që bëri bujë të madhe”, tha Danjela.

Adela – Muçollari – Balerinë
Anxhelo Muçollari – Balerin

Janë të rralla rastet kur motër e vëlla bëjnë të njëjtin profesion dhe ata të dy duket se ia kanë dalë me sukses. Përveçse jetojnë në një shtëpi, ata ndajnë bashkë edhe skenën.

Fjala është për Adela dhe Anxhelo Muçollarin, balerinë në Teatrin Kombëtar të Operas Baletit. Ata ishin sot të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku folën për profesionin e përbashkët dhe marrëdhënien motër e vëlla.

“Të jesh balerin duhet të kesh shumë rregulla në shumë gjëra, duke filluar nga mënyra se si e trajton ditën, mënyra se si ushqehesh etj, etj. Duhet të kesh linja perfekte, trinë këmbe të veçantë, hapje shumë të mirë dhe posturë shumë të mirë. Anxhelo është supertalent dhe besoj do të ketë rrugë shumë të gjatë. Ne jemi kritikët më të mirë të njeri-tjetrit, unë e shikoj me syrin se çfarë duhet të ketë perfekt në skenë dhe kjo na ndihmon të rritemi të dy profesionalisht”, tha Adela.

Ndërkohë Anxhelo tregoi se ambicia e tij për baletin nisi teksa shihte motrën e tij, e cila përmes profesionit udhëtonte jashtë vendit.

“Duke parë Adelën filloi ambicja minimale. Adela kishte shumë shfaqje jashtë shtetit dhe që i vogël doja të isha si ajo. Hap pas hapi fillova shkollën e baletit, ambicia dhe dëshira u rritën dhe jemi këtu ku jemi sot. Herë pas here ne kërcejmë bashkë, por kombinohemi edhe me partnerë të tjerë. Adela është në pjesën më të madhe të ditës me mua, është gjysma ime dhe një nga personat më të rëndësishëm. Mendoj se jam me fat që e kam, e vlerësoj që Adela ka Anxhelon gjithmonë të parin dhe ndihem i llastuar”, tha Anxhelo.

Kristina Rexhaj – Piktore, Arkitekte

Ajo është me profesion arkitekte, por ka një pasion të madh për pikturën. Ndoshta është e vetmja në Shqipëri që përdor në pikturat e saj rezinën. Njihet si vazja që pikturon tavolinat, por jo vetëm.

Kristina Rexhaj ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të treguar më shumë për artin e saj.

Para dy vitesh është prezantuar para publikut me ekspozitën e saj të parë me piktura abstrakte.

“Fillimisht këto piktura i krijoja me bojra akrelike, por nuk ishin shumë rezistente ndaj ujit. Duke kërkuar në internet u ndesha me rezinën. Rezina ka një përdorim shumë të gjërë, por nuk e dija që mund të punoja me të në art. Fillimet nuk kanë qenë të lehta sepse ajo do një temperaturë të caktuar që të funksionojë. Por është shumë rezistente. Fillimisht e kam filluar me shumë pak produkte, por duke parë objekte të ndryshme frymëzohesha dhe nisa të punoj me to”, tha Rexhaj.

Kategori
Rudina
0 Komente

Përgjigju

*

*


Emisione