Të ftuar:

Ardita Meni – Soprano

Ajo është një ndër personalitetet e skenës lirike e cila ka realizuar disa nga ariet më të njohura shqiptare, por edhe botërore. Sopranoja Ardita Meni përmes zërit të saj të mrekullueshëm ka sjellë disa nga rolet më të njohura të muzikës operistike. Në moshën 10-vjeçare ajo nis të studiojë piano dhe solfezh duke e kthyer ambientin e shtëpisë në skenën e parë të saj. Ajo do të spikaste si këngëtare lirike pikërisht në shtëpinë e pionerit nga këngëtari i njohur Luan Zhegu. Në vitin 2009 ajo u diplomua në Akademinë e Arteve në degën e Kantos me medalje të artë. Falë talentit ajo u përzgjodh për të performuar tre vite në koncertin e Bashkimit Europian në ditën e Europës, gjë që ishte arritje për të. Sot sporanoja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu më tepër për karrierën e saj.

“Ka qenë Luan Zhegu ai që më ka zbuluar për herë të parë. Ai kërkoi një vajzë të vogël që të bënte një pjesë me zë koke dhe unë arrita ta bëja dhe ai tha: Po kjo është soprano. Gjatë asaj kohe unë kisha filluar studimet për piano dhe kënga u bë pjesë e imja. Në klasë të 8-ë unë vendosa me kokën time të konkuroj në Liceun Artistik dhe fitova vendin e parë. Im atë nuk ishte shumë dakort dhe më vuri kusht që nëse nuk do të isha në tre vendet e para nuk do shkoja, por unë zura vendin e parë.

Unë nuk kam rrjete sociale përveç e-mailit me të cilin komunikoj me të huajt për koncerte. Nuk jam shumë e rrjeteve sociale fatkeqësisht, as e publicitetit, madje edhe dalja ime si prezantuese ka qenë përzgjedhje e momentit. Por kjo gjë nuk më ka penguar, unë sapo përfundoj një koncert marr një ftesë tjetër, nuk rri bosh. Përveç rrjeteve sociale ka edhe shumë forma të tjera për të komunikuar. Preferoj ta mbaj private jetën time, kështu kam qenë gjithmonë.

Një soprano ka shumë vështirësi gjatë karrierës së saj, e para është që duhet të rrijë gjithnjë nëpër piano dhe të studiojë nëse do që të bëjë karrierë. Kur bëhesh familjare ka edhe më shumë vështirësi sepse duhet të ndash gjërat. Dhe mirëmbajtja e zërit është një tjetër vështirësi, por unë dua ta shijoj këtë profesion dhe jo të bëhem skllave e tij”, tha sopranoja.

Arinda Gjoni – Këngëtare

Këtë fundjavë këngëtarja Arinda Gjoni ka udhëtuar në Genova të Italisë për t’i realizuar ëndrrën një fansi të veçantë.

Aldo Skeja 6 vjeç, në kushte shëndetësore jo të mira, i shtruar në spitalin e Genovës nuk ka folur dhe nuk ka ecur asnjëherë, por kupton çdo gjë dhe i pëlqen shumë muzika, sidomos këngët e Arindës, të cilën më në fund këtë fundjavë e takoi.

Sot këngëtarja rrëfeu e emocionuar në emisionin “Rudina” takimin me 6-vjeçarin, i cili disa javë më parë kishte hyrë në operacion duke dëgjuar këngët e Gjonit.

“Ky është një rast që e njeh gjithë opinioni publik sepse babai i djalit ka bërë disa apele për t’i ardhur në ndihmë. Djali ka lindur me një vrimë në shtyllën kurrizore dhe kjo i shkakton shumë infeksione në trup dhe ai as nuk ka ecur dhe as nuk ka folur ndonjëherë. Ai quhet Aldo dhe është 6 vjeç. Djali tani është në Genova dhe po kurohet atje. Gazetarët më informuan të shkoja sepse ai edhe në sallën e operacionit ishte futur me këngën time.

Sapo mora vesh këtë, direkt kam prerë biletën për në Genova. Kur pashë videon e tij m’u këput shpirti. Nuk e mendova dy herë dhe u nisa për ta takuar. Kur arrita aty babai i tij filloi të qante nuk e besonte që isha aty. Kishim dyshime nëse do të më njihte djali, por ai më njohu dhe filloi të llastohej, më ka përqafuar fort. Është një rast shumë i dhimbshëm. Ai tashmë ka bërë operacionin dhe mjekët i kanë dhënë shpresë”, tregoi këngëtarja e cila përmes emisionit i bëri apel të gjithëve të ndihmojnë vogëlushin i cili do vijojë të kurohet në Genova./

Arjola Isufaj – Administratore Fresh Line