Të ftuar:

Arjan Konomi – Gazetar

Të gjithë e njohim si gazetarin dhe opinionistin që e kemi parë shpesh në televizionet e vendit tonë. Por, përpara se ta shihnim në ekranet shqiptare, ai ishte një personazh që ftohej në debatet televizive të ekraneve italiane, si emisionet në RAI, apo kanale të tjera atje.

Bëhet fjalë për gazetarin Arjan Konimi, i cili prej kohësh ka zgjedhur të tërhiqet nga Tirana e zhurmshme dhe të gjej qetësinë në fshatin Vuno.

Ai ishte sot i ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku foli për eksperiencën në revistën gjeopolitike italiane “Limes”, ku ai bëri raportin e parë publik të UÇK-së.

“Në vitet ’90 kam shkuar në Itali për studime me një bursë dhe studiova Shkenca Politike. Në fund të viteve ’90 ka qenë një periudhë shumë e fortë për Kosovën dhe unë në atë kohë kisha filluar punë në Itali për revistën “Limes”, ku më sugjeroi një profesor. Më telefonoi drejtori i asaj reviste dhe më kërkoi t’i shkruaja diçka rreth ngjarjeve që kishin ndodhur në Shqipëri përpara se të niste lufta në Kosovë. Ajo periudhë e Kosovës ishte me interes të jashtëzakonshëm. Unë kam qenë në shumë panele në Itali dhe të flisje në atë kohë për Kosovën ishte shumë e vështirë, pasi Serbia kishte influencë të madhe tek populli italian. Drejtori i revistës më nisi për të takuar Ibrahim Rrugovën dhe në atë kohë nëse serbët gjenin një shqiptar me pasaportë atje ishe automatikisht i ekzekutuar. Drejtori më tha se nëse marr vesh diçka për UÇK do të ishte shumë mirë”.

“Dhe unë shkova, bëra raportin e parë publik në botë për UÇK-në. Në Prishtinë arrita të shpëtoja sepse më strehoi Albin Kurti në një familje që të mos kuptohesha. Unë hiqesha si italian dhe kur erdhën ata të kontrollit serb iu tregova kartën e identitetit italiane, ajo nuk tregonte kombësi. Nëse ata do ta kuptonin që isha shqiptar do të ishte një problem shumë i madh. Ne donim të shkonim tek Ramush Haradinaj, por ishte e pamundur. Unë bëra raportin që ishte eksperiencë e jashtëzakonshme”, tha Konomi.

Rubrika “Quiz”

Blerina Braka – Këngëtare

Ajo është ndër këngëtaret shqiptare që është treguar gjithnjë e rezervuar për jetën private. Bëhet fjalë për Blerina Brakën, e cila tashmë po shijon ditët e saj më të bukura, pasi është në pritje të embël të djalit të saj.

Këngëtarja ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan nga ku foli për shtatzëninë dhe planet për martesë. Braka tha se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë vendosur emrin e djalit, të cilin do ta quajnë Edeil dhe tregoi se kanë planifikuar të bëjnë dasmë në ditëlindjen e tij të parë.

“Unë nuk e kam ndjerë shtatzëninë pasi kam qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje. Nuk kam marrë frymë nga aktivitetet dhe ndonjëherë më duket sikur e kam lënë babin pasdore dhe sot me programin tënd do ta mbyll dhe do qëndroj në shtëpi, të pres ardhjen e djalit. Jam munduar t’i bëj të gjitha gjatë kësaj periudhe. Lajmin e shtatzënisë e kam marrë ditën e parë që do të këndoja në Këngën Magjike. Do bëhesha gati dhe bëra një test shtatzënie, sepse prej kohësh ne e prisnim një fëmijë. Shkova me vrap tek im shoq dhe s’po e besonim të dy. Lajmin më pas e dhashë në netët finale. Unë dhe bashkëshorti im jemi të martuar ligjërisht, por nuk kemi bërë dasmë. Kemi menduar ta bëjmë në 1-vjetorin e Edeil”, tha Braka.