Të ftuar:

Armand Dukën – Presidendt I FSHF-së

Sapo dëgjojmë të përmendet emri i tij direkt na shkon mendja tek Federata jonë e Futbollit.

Në krye të drejtimit të FSHF-së që në vitin 2002, Armand Duka vijon ende sot të jetë President, i zgjedhur për të pestën herë pikërisht këtë vit.

Sot ai ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për jetën e tij mes Federatës së Futbollit dhe sipërmarrjeve të tij private dhe balancat mes të dy këtyre sektorëve. Por gjatë emisionit ai u pyet edhe për trajnerin aktual të Kombëtares Shqiptare, Christan Panucci dhe ecurinë e Kombëtares.

Duka tha se grafiku i Kombëtares Shqiptare ka ardhur në rënie pas suksesit në Euro 2016, por sërish ka shenja pozitive. Ai po ashtu shtoi se traineri Christan Panucci është njeri me dëshirë të madhe që ka sjellë gjëra të mira tek ekipi kombëtar, por që ka edhe shumë për të përmirësuar.

“Do ta kisha shumë të thjeshtë dhe do të isha shumë më i sinqertë nëse do të flisja si tifoz, por si drejtues i Federatës kuptohet që do të flas brenda kornizave. Panucci është një futbollist i madh, një njeri me dëshirë të madhe, por jo me shumë eksperiencë në fushën e trainimit. Ka sjellë gjëra të mira tek ekipi kombëtar, por ka edhe shumë për të përmirësuar.

Normalisht pas një supersuksesi siç ishte ai i Euro 2016 grafiku do të vinte në rënie dhe grafiku i Kombëtares Shqiptare ka ardhur në rënie. Ka filluar rënien pas vitit 2016 dhe ka prekur fundin në një humbje në miqësoren me Luksemburgun, përpara se të udhëtonim për Izrael ku mendoj se filloi një farë kthese. Kjo ka përkuar edhe me një lloj ndryshimi të brezave, ata që janë ekzistues e kanë të vështirë të rimotivohen për një sukses tjetër dhe breza të rinj kanë ardhur. Ka filluar një lloj ndryshimi pas ndeshjen me Izraelin. Ekipi nuk është se ka patur një paraqitje konstante pozitive, por ka shenja pozitive. Në futboll mbahen mend rezultatet dhe është e vështirë të flasësh për performacë pa rezultat – tha Duka.

Maria Taragjini – Studente

Loreta Caka – Studente

Historia e tyre është tejet interesante. Maria Taragjini dhe Loreta Caka janë njohur 6 vite më parë dhe që atëherë nuk janë ndarë nga njëra-tjetra.

Dy shoqet ishin të ftuara sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer shoqërinë e tyre të veçantë.

Maria është një vajzë me aftësi ndryshe, ajo nuk mundet të dëgjojë dhe as të flasë, por sfidon veten çdo ditë për t’u integruar maksimalisht në shoqërinë ku jeton, e cila shpesh edhe e paragjykon.

Në ndihmë i vjen mikesha e saj më e ngushtë, Loreta, e cila prej 6 vitesh nuk ndahet nga Maria dhe ka mësuar edhe gjuhën e shenjave vetëm për t’u miqësuar me të.

“Gjithçka ndodhi kur unë isha vetëm 2-javëshe dhe vëllai im i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor atëherë ishte 6 vjeç. Ndërkohë që unë isha në krevat ai më ka marrë dhe më ka përplasur në dollap. Unë vrava veshin dhe mbeta pa ndjenja. Kur isha 6-muajshe motra ime më thërriste, por unë nuk e dëgjoja. Më pas prindërit më çuan tek doktori dhe ai pasi më vizitoi iu tha se unë nuk mund të dëgjoj dhe as të flas. Më duhej një ndërhyrje ose një aparat, por ishte e vështirë për shkak të gjendjes tonë ekonomike. Kur nisa kopshtin flisja shumë pak, por shoqet e mia më tallnin dhe ngaqë më vinte turp vendosa të mos flas më. Pasi mbarova shkollën për fëmijët me aftësi të kufizuara nisa Liceun, nuk kisha shokë apo shoqe që flisnin dhe dëgjonin. Të gjithë më përbuznin dhe më tallnin dhe unë isha e distancuar. Tani kam vetëm një shoqe që flet dhe quhet Lori”, rrëfeu Maria.

Ndërkohë Loreta tregoi se ato janë njohur bashkë në Liceun Artistik dhe shoqëria e tyre vijon ende. Ajo po ashtu tha se ka qenë shoqja e saj Maria ajo që i ka mësuar të komunikojë në gjuhën e shenjave.

“Unë dhe Maria jemi njohur në Lice, kur unë isha në vit të dytë dhe ajo në vitin e parë. E pashë teksa po rrinte vetëm, iu afrova dhe i shkruajta në telefon se më pëlqente gjuha e saj dhe se doja ta mësoja. Dhe ajo më thotë se mund ta mësoja, por duhet të kisha shumë durim. Maria fillimisht më dha alfabetin dhe më shpjegoi fjalët më të thjeshta. Kur unë mbarova Liceun Maria mendoi se aty do të përfundonte shoqëria jonë, por jo. Unë vazhdoj të flas me të, i shkruaj. Kur Maria kishte provimet e Maturës unë e mora që të jetonte në shtëpinë time dhe kështu ka vijuar shoqëria jonë. Ne do të jemi gjithmonë bashkë”, tha Loreta Caka.

Eljan Tanini – Artist