Të ftuar:

Artenisa Ozaj – Sipërmarrëse dhe vajza e saj, Abigail – 23 muajshe 

Fillimet e saj i pati në televizion, ku u bë e njohur në prezantim dhe më pas e ftuar në panele të ndryshme. Bëhet fjalë për Artenisa Ozajn, e cila prej kohësh është tërhequr nga ekrani për t’iu përkushtuar familjes dhe sipërmarrjes.

Ozaj ishte sot e ftuar në studion “Rudina”, në Tv Klan, ku rrëfeu jetën përtej ekranit dhe historinë e dashurisë me bashkëshortin, Olsi.

“Ne kemi 12 vite bashkë, qëkur unë isha 16 vjeç, më pas lidhja jonë kaloi në fejesë, bashkëjetesë dhe martesë. Unë Olsin e kam patur në lagje, ka qenë një nga parukierët më të famshëm dhe shkoja shumë shpesh për të rregulluar flokët aty. Asnjëherë nuk e mendoja që mund të isha krah tij, por nganjëherë gjërat janë të shkruara. Ai kishte shumë kontakte me femra dhe mua më dukej sikur do t’i hyja një gjëje të keqe me këmbët e mia. Ai më dha gjithë sigurinë e mundshme dhe më bindi. Nuk ka patur një propozim në marrëdhënien tonë, erdhi normalisht dasma. Të dy vendosëm të bënim dasmën dhe të krijonim familjen tonë. Ne bëmë një dasmë në kishë dhe secili prej nesh bëri dasmë në shtëpinë e tij, ka qenë dasmë tradicionale”, tha Ozaj.

Neshat Kapinova – Autor I librit “Mjekesia Moderne”

“Mjekësia Moderne” titullohet libri më i fundit i shkruar nga Neshat Kapinova.

Ky libër na mëson se si të gjithë ne nuk duhet të neglizhojmë sinjalet që trupi na dërgon dhe duhet t’i drejtohemi mjekut specialist, por edhe se si mund ta ndihmojmë veten në mënyrë individuale.

Vetë autori, i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan foli rreth librit, por u gjend i sikletosur përballë pyetjeve të drejtueses së emisionit, Rudina Magjistari.

“Kafeja, shfryrja e hundëve dhe seksi mund të shkaktojnë goditje në tru”, shkruan në libër Kapinova, por i pyetur rreth kësaj që vetë autori thotë mes rreshtash, ai tha se s’mund të flasë për to sepse i vjen “zor”.

“Për këtë libër unë jam mbështetur tek literatura shkencore, por edhe tek prakticiteti. Unë kurrë nuk kam shkuar tek mjeku, kam patur gjithnjë interes për të marrë informacion. Për të patur stil të shëndetshëm jetese duhet të zgjedhësh shumë mirë. Por nuk mund të flas për të gjitha sepse më vjen zor”, tha Kapinova.

Neshat Kapinova këtë të martë ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Televizionin Klan, ku paralajmëroi për rrezikun që mund t’i vijë njeriut nga disa aktivitete të përditshme, të cilat sipas tij, në pamje të parë nuk duken të rrezikshme.

Në librin e tij “Mjekësia Moderne”, mes të tjerash ai shpjegon edhe pse kafeja, seksi dhe shfryrja e hundëve mund të shkaktojnë goditje në tru

Rudina: Kafeja, seksi dhe shfryrja e hundëve mund të shkaktojnë goditje në tru.

Neshat Kapinova: Po.

Rudina: Ta shpjegojmë pak.

Neshat Kapinova: Nga sforca. Ti për shembull kur teshtin ose kur ashtu, është mirë të mos e bllokosh asnjëherë. Pse? Sepse pëson gjëra të brendshme që mund të çajnë venat dhe arteriet dhe mund të kalojnë edhe në aortë.

Rudina: Pra d.m.th, kur teshtijmë, asnjëherë s’duhet ta pengojmë.

Neshat Kapinova: Asnjëherë.

Rudina: Asnjëherë sepse është e dëmshme për shëndetin.

Autori i librit këshilloi që të mos përdoren facoleta, të cilat shkaktojnë alergji, por shami dore.

Rudina: Në këtë listë keni përfshirë edhe kafenë.

Neshat Kapinova: Sheqeri që është sot, ai të sjell dëmtime shumë të mëdha. Kur pi kafen me sheqer të shkakton skuqje fytyre. Për disa persona kafja është e mirë për zemrën, për të tjerët është e dëmshme sepse shkakton tension të lartë dhe diabet.

Rudina: Seksi thoni ju gjithashtu.

Neshat Kapinova: Nuk flas dot shumë për të.

Rudina: Pse? Ju keni folur edhe në libër.

Neshat Kapinova: Po flet libri…

Rudina: Aktivitetet e përditshme, thoni ju, siç janë pirja e kafesë, seksi energjik dhe shfryrja e hundëve mund të shkaktojnë dëmtimin e enëve të gjakut, të cilat janë fshehur në tru. Rreziku nga goditja në tru mund të rritet edhe nga neuroza dhe shoku i befasishëm. Aktivitetet e përmendura, të cilat në pamje të parë nuk duken të rrezikshme, mund të shkaktojnë rritjen e menjëhershme të shtypjes së gjakut, presionit, dhe kjo mund të shkatërrojë enët e gjakut në tru.

Rubrika “Quiz”