Të ftuar:

Blendi Fevziu – Gazetar/Drejtues programi “Opinion”

Dihet tashmë që një ndër pasionet më të mëdha të gazetarit Blendi Fevziu janë udhëtimet. Kohët e fundit gazetari ka vizituar tre destinacione mjaft interesante, të cilat nuk i kishte vizituar më parë.

Sot i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Fevziu foli për udhëtimin në Korenë e Jugut dhe vizitën në kufi me vendin më të izoluar në botë, Korenë e Veriut. Fevziu tha se kufiri mes këtyre dy vendeve është ndër më të rrezikshmit dhe i rrethuar me tela me gjemba.

“Vendet e fundit ku kam udhëtuar kanë qenë Koreja, Mongolia dhe Algjeria. Nuk kisha qenë në asnjë nga këto vende më parë. Koreja është një vend shumë interesant, është i ndarë mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut. Në Korenë e Veriut është e pamundur të shkosh. Kam bërë përpjekje me tre kompani, por kam marrë përgjigje negative sepse jam gazetar. Unë kam filmuar Korenë e Veriut nga Koreja e Jugut. Koreja e Jugut është vend shumë i zhvilluar, ndërsa Koreja e Veriut është një nga vendet më të prapambetura.

Kufiri mes dy Koreve është ndër më të rrezikshmit në botë, ishte me tela me gjemba. Këto dy vende janë ndarë në vitin 1953-1954 dhe që atëherë mes Jugut dhe Veriut nuk kanë më asnjë lidhje. Të gjithë ata që takoje atje kishin të paktën një njeri në Korenë e Veriut për të cilin nuk dinin asgjë dhe kishin frikë t’iu shkruanin. Unë shkova në një pjesë ku bëhej një tur më i veçantë, në pjesën ku Kim Yong Un dhe Mun kaluan betonin. Ajo që ishte më interesante është se na morën celularët, aparatët dhe çfarë kishim. Kur i pyeta se përse na i morën celularët na thanë se i marrin sepse nga Koreja e Veriut qëllohej me snajper sepse pretendohet që filmohen gjëra të cilat nuk duhen filmuar. Edhe pse ata thanë që kjo gjë nuk ndodh më prej vitesh, sërish i merrnin celularët si masë sigurie.

Një moment tjetër ishte kur të vendosnin tek dylbitë dhe t’i mund të shihje Korenë e Veriut. Kur është firmosur paqja mes dy Koreve janë ndërtuar tre barake në vijën e kufirit ku edhe mbi tavolinë kalon kufiri. Është një pamje e rrallë. Nuk kishte asnjë mundësi që të futeshe aty. Për momentin Koreja e Veriut është vendi më i izoluar i botës dhe tmerri është që është vetëm 50 kilometra nga Seuli, që është një qytet modern dhe shumë i zhvilluar. Jeta në Korenë e Veriut ka ngrirë në vitet 50-të”, tregoi Fevziu.

Gazetari Blendi Fevziu është një nga personat më aktivë në rrjetet sociale dhe detajet nga jeta e tij si baba nuk i ka kursyer.

Por sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ai është surprizuar si asnjëherë më parë nga vajza e tij e vogël Alis.

“Babi të kam zemër, të kam shpirt”, tha Alis në videomesazh.

Menjëherë pas këtij videomesazhi gazetari tregoi se ajo ishte e veshur me ato rroba sot në mëngjes dhe i kishte thënë atij që ta shikonte se sa bukur ishte veshur.

“Kjo ishte veshja e saj sot në mëngjes. Më tha: Shiko sa bukur jam veshur. Ajo është shumë kurioze dhe ndonjëherë habitemi nga mënyra se si i formon fjalitë. Në përgjithësi unë nuk e nxjerr vajzën, jam përpjekur të publikoj foto si hije sepse dua që kur të rritet të marrë vetë vendimin nëse do të bëhet publike”, tha Fevziu.

Gjatë emisionit ai po ashtu foli për 3-vjetorin e Alis dhe tregoi se një nga dhuratat që ajo kishte kërkuar ishte një maskë për Halloween.

“Është një ndjesi krejtësisht ndryshe nga vajza e parë për arsye se i kushtoj shumë më tepër kohë dhe ajo e ndien këtë gjë dhe është shumë më afër meje. Për ditëlindje i bëra dhurata të zakonshme. Ajo më kërkoi një veshje Halloween, donte të vishej si shtriga e vogël. Nuk i lexoj shumë libra, kemi një ritual që shikojmë bashkë filma vizatimorë që ajo pëlqen dhe luajmë. Unë pata një keqardhje këtë vit sepse për herë të parë pas vitit 1931 kur kanë filluar regjistrimet, viti 2017 kishte numrin e vdekjeve më të lartë se ai i lindjeve. Nuk ka asgjë më të mirë se fëmija” tha gazetari.

I pyetur se çfarë do të donte që vajzat e tij të merrnin nga ai, gazetari tha se e vetmja gjë që do të donte për vajzat e tij është që ishin të zonja për vete.

“E vetmja gjë që do doja për vajzat e mia është të ishin të zonja për veten e tyre sepse jetojmë në një kohë kur njeriu i del zot vetes”, tha Fevziu.

Anxhelina Kotorri – Fashion Bloger

Halloween-i është festë sipas të cilës legjenda thotë se shpirtrat mblidhen së bashku më 31 Tetor, për t’u përzier me botën e të gjallëve dhe më pas për të nisur rrugën drejt një bote tjetër. Festa e Halloween në SHBA, njihet si festa e dytë që festohet më shumë pas Krishtlindjeve.

Në Shqipëri, kjo festë po merr përmasa të mëdha duke u bërë ditë e veçantë për të rinjtë të cilët dalin natën të festojnë duke veshur kostume që personifikojnë personazhë të frikshëm të frymëzuar nga filmat thriller ose kostume të personasheve të show bizz që kanë krijuar një stil të tyre.

Për të folur për Halloween-in, kostumet e çdo gjë tjetër rreth kësaj feste ishte në emisionin “Rudina” Fashion Bloger-ia Anxhelina Kotorri.

“Festën e Holloween unë personalisht mezi e pres. Prej katër vitesh e festoj dhe është një ditë ku çdo detaj është i lejueshëm. Për Holloween gjithkush mund të bëjë idhullin e tij. Dhe nëse nuk doni të vendosni një maskë, mund të përdorni një make up të veçantë. Toni i kuq dhe buzëkuqi i kuq janë në trend këtë vit dhe mund të përdoren edhe për Holloween. Mund të jeni të bukur ose të frikshëm në këtë festë”, tha Kotorri.

Flora Manuka – Përfaqsuese e zyrës Acibadem Healthcare Services, për Shqipërinë