Të ftuar:

Christian Panucci – Trajner i Kombetares Shqiptare

Ai është një personazh i lidhur me botën e futbollit dhe që ka provuar emocionet e fushës së blertë. Fillimisht si një lojtar shumë i rëndësishëm, i cili ka luajtur në skuadra si Milan, Real Madrid, Inter apo Roma dhe më pas si trajner. Bëhet fjalë për Christian Panuccin, trajnerin e Kombëtares Shqiptare.

Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku foli për Kombëtaren dhe për marrëdhënien me Presidentin e FSHF, Armand Duka. Panucci tha se në këto momente niveli i Kombëtares është i vështirë, pasi kanë munguar shumë lojtarë.

“Niveli i Kombëtares në këto momente është shumë i vështirë, sepse na kanë munguar shumë lojtarë. Ka qenë një vit miqësoresh dhe Liga e Kombeve. Po mundohemi të ndërtojmë një grup me ndonjë lojtarë të Euro 2016, por na është dashur të vendosim edhe disa lojtarë të rinj për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare.

Përsa i përket Euro 2020, në grup është Franca, që është favorite, por ne do të bëjmë të pamundurën për të mundur Islandën dhe Turqinë. Ne do të nisemi me vullnet të mirë. Ndeshjet do të jenë të vështira, por për mua është e rëndësishme të rikuperojmë të gjithë lojtarët dhe do të mundohemi t’i luftojmë të gjithë. Ne do të luajmë dy ndeshje në Mars dhe dy në Qershor, më pas kemi në Shtator, Tetor dhe Nëntor. Por unë që tani jam në tension. Humbja me Skocinë ka qenë një nga ndeshjet më negative që nga koha kur jam në Shqipëri. Por më pëlqen fakti që ne mundëm Galesin, sepse është një nga 20 skuadrat e para dhe më bën të mendoj se ne kemi vlerë”, tha trajneri i Kombëtares Shqiptare.

Lidhur me marrëdhënien me Presidentin e FSHF, Armand Duka, Panucci tha se është përballur me të me sinqeritet dhe se ai ka kuptuar momentet. Panucci shtoi se ai nuk donte të ndryshonte futbollin, por të fuste më shumë profesionalizëm.

“Personalisht Armand Duka është një person special. Ne jemi përballur me sinqeritet dhe ndershmëri. Këtë vit ne kemi patur shumë probleme, por edhe pse gazetarët më kritikonin, ai gjithnjë ka kuptuar momentet. Dhe ai e di që kur të kemi të gjithë grupin do të kemi një skuadër konkurruese. Kur na mungojnë lojtarët, sigurisht që ne e vuajmë. Unë jetoj çdo ditë që t’i rikthej Dukës besimin që më ka dhënë mua. Duka është i veçantë dhe ka kulturë mbi mesataren. Kur unë kam ardhur, Duka më ka treguar për mentalitetin shqiptar dhe për mënyrën se si e menaxhon futbollin Shqipëria. Unë nuk doja të ndryshoja futbollin shqiptar, por desha të sjell profesionalizmin, sepse në fushë dhe në jetë ka dy mënyra për ta bërë një gjë, mirë ose keq, nuk ka një rrugë të mesme. Dhe ai më ndihmoi të kuptoj shumë gjëra dhe djemtë po ashtu. Unë mundohem të sjell profesionalizmin”, tha trajneri.

E pyetur se si do ta përshkruante veten si trajner Panucci tha: “Më kanë thënë që jam një diktator, që kam vendosur disa rregulla. Mendoj se lojtarët e mi janë mirë me mua, por ka rregulla, sepse në çdo familje ka rregulla. Lojtarët duhet të respektojnë orarin e stërvitjes, unë dua të kemi profesionalizëm, nuk dua të humbim kohë, sepse kemi përgjegjësinë e një vendi”.

Christian Panucci prej më shumë se një viti është zhvendosur në Shqipëri në rolin e trajnerit të Kombëtares. Edhe pse jeton prej kaq kohësh në vendin tonë, ai është tejet i rezervuar përsa i përket intervistave përtej sportit. Por sot, ai ishte i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku foli edhe për djalin e tij Huan dhe marrëdhënien me partneren, Samanta.

“Djali im quhet Huan dhe bën 18 vjeç në Mars. Kur ishte 13 vjeç ishte 1.82 i gjatë. Ka luajtur basketboll dhe tani luan futboll. Për mua është e rëndësishme që të bëjë sport dhe të argëtohet dhe të bëjë atë që dëshiron në jetë. Është shumë e drejtë që ai të gjejë rrugën e tij”, tha Panucci teksa fliste për djalin.

Por gjatë emisionit, ai mori edhe një mesazh nga djali i tij, i cili i uroi fat me Kombëtaren Shqiptare ndërkohë që tha se e di që babai i tij e ka me merak.

“E di që nuk e prisje këtë mesazh nga ana ime. Doja vetëm të të thoja që të uroj më të mirat në çdo gjë babi. E di që je një person që jep më të mirën tënde në çdo gjë, si në punën tënde brenda në fushë, në jetën tënde dhe atë të të tjerëve. E di që çdo mundim i joti në çdo gjë që bën do të shpërblehet në rezultate. Do doja të uroja fat të mbarë me Shqipërinë, mbi të gjitha se e di se sa merak e ke. Të dua shumë”, tha Huan.

Ndërkohë që shihte videomesazhin, trajneri nuk i mbajti dot lotët dhe i emocionuar tha se nuk e priste mesazhin nga Huan.

Ai po ashtu tregoi edhe se si u njoh me partneren e tij Samantën, ndërsa shtoi se kanë një marrëdhënie shumë të mirë bashkë.

“Unë e kam takuar Samantën kur isha pjesë e një spektakli kërcimi, por ajo ishte e fejuar në atë kohë. Unë isha mik i ngushtë i partnerit të saj balerin. Disa kohë më vonë hëngrëm një darkë bashkë dhe aty sigurisht nisi çdo gjë. Kam shumë respekt për Samantën. Ajo vjen shpesh në Shqipëri dhe i pëlqen këtu, por më shikon që vuaj shumë. Kur jam në Itali punoj shumë, kam shumë respekt për këtë eksperiencë dhe ajo është një grua që më kupton dhe e di kur duhet të flasë. Ne kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin. Ne nuk jemi të martuar, unë jetoj në Romë dhe ajo në Terni. Ajo ka një fëmijë si unë, të dy jemi të divorcuar dhe kemi përgjegjësi për fëmijët”, shtoi më tej trajneri i Kombëtares.

Odeta Banushaj – Blogere

Sara Karaj – Blogere

Këtë periudhë, atmosfera e festave është prezente kudo. Ndaj, të gjithë mundohemi sadopak të përshtatemi edhe me look-un.

Veshjet dhe make-up ndikohen nga kjo atmosferë festive dhe mendimi se çfarë të veshim na shoqëron gjatë gjithë kohës.

Për të na dhënë sugjerime lidhur me veshjen dhe grimin në këtë periudhë ishin të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan, blogeret Odeta Banushaj dhe Sara Karaj.

“Trendet këtë vit kanë qenë të pafundme dhe gjëja më e mirë që ka ndodhur është se janë kthyer edhe trende nga viti që shkoi. Por ne mund të rikthejmë edhe rroba që kemi në garderobë të para 2-3 viteve sepse unë mendoj se një ndër gjërat që nuk zhgënjen asnjëherë për festa është një kostumi i zi, apo një i kadifejtë. E sugjeroj edhe në festa dhe po të luash me grimin do duket edhe më bukur. Teminat po ashtu i kemi patur për shumë gjatë dhe mund t’i përdorim ende veshjet me temina”, tha Banushaj në lidhje me veshjen.

Ndërkohë Karaj shtoi se në këtë periudhë festash buzëkuqët e errët do të ishin të përshtatshëm dhe do të dukeshin festivë.

“Unë gjithmonë eksperimentoj me pjesën e grimit. Do të sugjeroja buzë të errëta dhe grim me shkëlqim me një kostum të zi. Nuk është e thënë që në grim të mbetemi tek ngjyra e kuqe, roza metalike ka dalë shumë në modë këto kohë dhe mund të kombinohet me kafe. Çdo look do duket festiv nëse e përshtasim me një buzëkuq të errët”, tha Karaj.