Të ftuar:

Eli Fara – Këngëtare

Ajo është sot ndër këngëtaret më të njohura dhe më të dashura për publikun shqiptar. Bëhet fjalë për Eli Farën. Ajo ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan dhe përmes emisionit një fanse e këngëtares e pyeti me kuriozitet se cili do të ishte profesioni saj, nëse nuk do të ishte bërë këngëtare.

Ndërkohë Eli rrëfeu me nostalgji periudhën kur punonte si mësuese në një fshat të Korçës, teksa tha se ndoshta profesioni i saj mund të ishte edhe mësuesia.

Fansja: Çfarë do të ishit bërë nëse nuk do të ishit këngëtare?

“Unë mund të isha bërë shumë gjëra. Pasi kam mbaruar shkollën unë kam punuar si mësuese e ciklit të ulët. Mbarova liceun artistik “Tefta Tashko Koço” dhe kisha të drejtë të ushtroja profesionin e mësuesisë. Më çuan në një fshat shumë larg, ku bëja rreth 30 minuta rrugë me autobus dhe 1 orë e 30 minuta në këmbë çdo ditë. Më pëlqente ai profesion dhe i kujtoj me dashuri ato momente. Kisha 36 nxënës vitin e parë që kam filluar punë me klasën e tretë. Ndërkohë që punoja, bëja edhe shkollën e lartë me korrespondencë. Ka shumë ish-nxënës që më shkruajnë tani, janë rritur, janë martuar. Unë isha e aktivizuar në atë kohë edhe me aktivitetet në qytetin e Korçës dhe pas viteve ’90 u shkëputa nga mësuesia. Kur kam kënduar këngën “Me 25 gërsheta” kam qenë edhe mësuese, fitova çmimin e parë me atë këngë. Ishte një atmosferë e papërshkrueshme”, tregoi këngëtarja.

Gjatë emisionit, këngëtarja po ashtu prezantoi këngën e saj më të re të titulluar “Dua më” dhe tregoi prapaskenat e realizimit të klipit.

“Duam” me muzikë të Adrian Hilës dhe tekst të Rovena Dilos është një këngë verore, e ëmbël, është realizuar pastër. Fabula e këngës është dashuria dhe neglizhenca mes çifteve siç ndodh në përditshmëri. Berati na ka dhënë një bukuri të madhe në klip me rrugicat kaq të bukura. Mikpritja ishte e paimagjinueshme. Kanë dalë të gjithë nëpër dyer janë kënaqur me muzikën. Na kanë ndihmuar, na kanë nxjerrë gliko, ujë e kafe”, tha këngëtarja.

Eli Fara është një ndër këngëtaret më të komentuara në media për pamjen dhe anën profesionale. Por kur vjen puna tek jeta private, ajo është tejet e rezervuar.

Sot këngëtarja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku fansat e pyetën nëse është e dashuruar. Përgjigja e këngëtares ishte e prerë, “Jo”. Ndërkohë shtoi se zemra e saj është e lirë.

Fansja: Jam kurioze që të di, Eli a je e dashuruar?

Eli Fara: Jo, për momentin. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rriten kërkesat ndaj vetes, aq më tepër që unë kam arritur gjithçka vetë dhe jam shumë e fuqishme. Zemra ime është e lirë.

Aurel Thëllimi – Këngëtar

Elda Koçibelli– Soprano

Historia e dashurisë së çiftit Aurel Thëllimi dhe Elda Koçibelli është tejet e veçantë. Çifti ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, për të rrëfyer pikërisht këtë histori. Ata rrëfyen se janë njohur gjatë studimeve dhe që pas asaj kohe nuk janë ndarë më kurrë.

“Ne nuk kemi patur një dashuri të menjëhershme, kemi qenë shokë klase. Elda ka qenë vajzë shumë sistematike, mësonte shumë, ndërkohë unë isha natyrë rebele, më pëlqente ta merja jetën me sportivitet. Në Akademinë e Arteve ne gjithmonë debatonim dhe ka qenë Vikena Kamenica, ajo që na tha ju të dy do ta keni të ardhmen bashkë. Dhe vërtetë ndodhi që pas një viti, ne patëm impaktin e parë të dashurisë. Ne të dy qëndronim në Qytetin Studenti dhe ndonjëherë e bënim rrugën bashkë dhe ndonjëherë edhe stinët të ndihmojnë dhe duke qenë se e bënim rrugën bashkë dhe një natë i hodha dorën në qafë sepse binte shi dhe i kam marë edhe puthjen e parë. Elda u ndje shumë keq dhe më ka refuzuar. Por gjërat erdhën natyrshëm”, tregoi Thëllimi.

Ndërkohë Koçibelli tregoi se ajo ç’ka i ka pëlqyer më shumë tek bashkëshorti i saj ka qenë pikërisht humori i tij, që siç tregon ajo e lëkundte nga natyra e saj.

“Ne nuk kemi patur shoqëri të ngushtë, kishim përplasje mendimesh gjithmonë dhe mua prania e Aurelit më nervozonte, sepse ishte kundra rrymës. Gjithmonë i shmangesha. Por erdhi një moment që kur nuk grindeshim me njëri-tjetrin si shokë mua më mungonte kjo pjesë. Pastaj gjërat erdhën natyrshëm. Ajo që më ka pëlqyer tek Aureli ka qenë humori i tij. Gjithmonë më bënte për të qeshur dhe më lëkundte nga natyra ime. Kjo ka qenë ajo që më ka pëlqyer shumë, ndonjë gjë tjetër në mënyrë të veçantë jo. Mes nesh nuk mungon debati asnjëherë, madje e kemi të shpeshtë, por Aureli është shumë praktik”, tha Koçibelli.

Hajredin Toca – Agronom