Të ftuar:

Eliza Hoxha – Këngëtare

Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës ndërsa këngëtarja ishte ende e panjohur nga publiku. Kjo ishte pikënisja e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxha që më vonë zëri i veçantë dhe hitet do ta rendisnin ndër më të mirat e trevave shqipfolëse. Por muzika e mirë nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës. Pas studimeve Master në Belgjikë ajo u kthye në Kosovë për të kontribuar në vendin e saj.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu se arsyeja se përse braktisi këngën dhe zgjodhi arkitekturën ishte se pikturonte shumë mirë dhe situata e paqëndrueshme politike.

“Arsyet se përse braktisa këngën dhe zgjodha arkitekturën ishin sepse kam qenë vizatuese dhe piktore e mirë në kohën e shkollës fillore dhe të mesme. Dhe e dyta situata politike. Nuk kishte asnjë kuptim që unë të shkoja dhe të studioja muzikë sepse e kisha lënë përgjysmë shkollën e muzikës. Arkitektura është ajo që më përmbush sepse lidhet me dimensionin socio-kulturor që unë e kam shumë të rëndësishëm. Më ka mbajtur mirë me veten dhe me kontekstin ku jetoj.

Arkitektura vetë është profesion shumë i gjërë dhe më ka dhënë mundësi për të eksploruar edhe në fusha të tjera. Fokusi im kryesor ka qenë aspekti socio-kulturor në atë qytet. Gjërat që unë bëj i kam lidhur me profesionin që unë kam. Shtëpia që unë kam nuk është shtëpia ime e ëndrrave, nuk jam afruar te ëndrra ime. Në fakt kjo shtëpi ka qenë shtëpi e nevojës sepse pas kthimit nga Belgjika ka qenë e pamundur që unë të jetoj me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ishte momenti kur duhej të bëja diçka për vete. Shtëpia ime është një oaz i vogël ku unë bëj punët e mia. Unë e dua si shtëpi, por qëllimi është të ndërroj vend dhe të kem një hapësirë më të madhe sepse nevojat e mia janë ndryshe sot nga ato të 10 viteve më parë. Për mua është e rëndësishme që shtëpia të jetë e rehatshme, ndryshe mbetet vetëm një projekt i bukur” tha Eliza Hoxha.

Erion Isai – Aktor, Drejtor i Teatrit të Kukullave

“Princi Bretk”, përralla e vëllezërve Grim ishte premiera e parë që çeli dyert e Teatrit të Kukullave në kryeqytet. Shfaqja mirëpriti të parët fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” e po ashtu fëmijë të organizuar nga “Fundjavë Ndryshe”.

Ndërthurja e kukullave me projeksionin argëtoi për rreth 30 minuta të vegjëlit. Me regji të Flori Kokonës dhe interpretim të mjeshtreve të kukullave, si Shegushe Bebeti e Florina Mazreku shfaqja përcolli mesazhe të rëndësishme mbi bullizmin dhe jo vetëm.

Sot drejtori i Teatrit të Kukullave Erion Isai i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, tha se pavarësisht se në Tiranë janë tre teatro që prodhojnë teatër për fëmijë, kërkesat janë gjithnjë e në rritje.

“Ne jemi tre teatro që vazhdojmë të prodhojmë forma të ndryshme të stilit teatror për fëmijë, jemi ne Teatri i Kukullave, është Teatri Metropol dhe ai Eksperimental dhe të treja sallat janë plot dhe kërkesat vazhdojnë të jenë në rritje. Unë jam shumë i lumtur që njerëzit janë ndërgjegjësuar. Çdo të shtunë dhe të dielë ka shfaqje dhe shumë shpejt me një marrëveshje të materializuar me Ministrinë e Kulturës dhe të Arsimit do të fillojmë me shfaqje të organizuara nga e marta deri ditën e premte për shkollat dhe kopshtet e Tiranës për t’i ndjekur në një cikël të organizuar çdo premierë të tyre për ta bërë Teatrin një edukim parësor të fëmijës.

Ne jemi duke parë edhe një formë të re bashkëpunimi që të ngremë teatro në rang qarku. Me Zamira Kitën kemi rënë dakort që do të krijojnë varësi artistike nga ne, pra shfaqjet që nuk i kemi pjesë të repertorit në një ditë të caktuar do t’ia ofrojmë teatrove të rretheve, do t’i çojmë kukullat e tekstin në mënyrë që publiku i Korçës t’i ndjekë shfaqjet njëlloj si publiku në Tiranë. Mendoj se çdo fëmijë ka të drejtë të marrë edukimin njësoj. Gjatë këtij viti do të kemi një kalendar të ngjeshur, do të kemi rreth 11 premiera të reja në teatër.

Në Nëntor kemi një periudhë të ngjeshur për vitin e Skënderbeut, do të sjellim një muzikor ku fëmijët do të jenë vetë prodhues. Do të sjellim një muzikor ku fëmijët luajnë dhe mësojnë historinë e Skënderbeut. Dhe për të kulmuar në datën 28 Nëntor që është edhe Nata e Bardhë, do të sjellim qendrat kulturore në rang qarku me performanca folklorike dhe tradita të Shqipërisë”, tha Isai.

Alban Çakalli – Fermer

Kokrrat “Goji” janë përdorur mbi 2 mijë vjet nga mjekësia tradicionale kineze. Sot është provuar se ato ndihmojnë trupin e njeriut në shumë mënyra të ndryshme. Studimet kanë treguar se këto kokrra janë një burim i shkëlqyer i polisaharideve, të cilat janë të nevojshme për mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e sistemit imunitar. Thuhet se ato janë superushqimi më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm në treg, për vetë numrin e lartë të të mirave që sjellin në trupin e njeriut.

Për manin e kuq kinez “goji” janë kryer shumë studime të tjera, të cilat kanë treguar se ai përmban shumë antioksidantë dhe mund të frenojnë rritjen e qelizave kancerogjene, të reduktojë nivelin e sheqerit në gjak, dhe uljen e nivelit të kolesterolit. Në mjekësinë tradicionale kineze, kokrrat “goji” përdoren në mënyra të ndryshme, bëhen çaj, hidhen në supë, ose mund të konsumohen si frut.

Prej tre vitesh, Alban Çakalli nga fshati Shpërdhet i Mamurrasit ka nisur kultivimin e kësaj bime të quajtur “Goji berry”.

Pasi u njoh me këtë bimë dhe cilësitë e saj, në emigrim kryesisht në Itali, së bashku me vëllain e tij Albert, ata vendosën që ta sjellin këtë bimë edhe në Shqipëri.

Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku Alban Çakalli tregoi përfitimet shëndetësore të manit kinez.

“Mani i kuq kinez përdoret në mjekësinë tradicionale për ruajtjen dhe sigurimin e ekuilibrit dhe harmonisë në trup. Këto kokrra ndihmojnë trupin të përshtatet më mirë me stresin dhe ndryshimet.

Disa nga përfitimet që marrim nga këto kokrra janë; përmirësimi i përceptimit mendor dhe kthjelltësia, rritje të energjisë dhe përmirësim në sistemin imunitar”, tha Alban Çakalli.