RUDINA – ELONA NALLBANI RREFEN PASION E SAJ PER BALETIN; SUELA BAKO DHE ROMIR ZALLA SJELLIN NE SKENE SHFAQJEN “TRI GRA DHE MISUGI”!

Emision: 26.10.2018

Të ftuar:

Elona Nallbani – Pedagoge

Ajo është me profesion balerinë dhe shpesh e kemi parë në spektakle televizive, gjithashtu edhe si soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit për vite me rradhë.

Por thuajse prej afro 1 viti ajo vendosi të shkëputet nga skena e baletit, për t’iu përkushtuar tërësisht botës akademike, ku prej muajit Prill është pedagoge pranë Universitetit të Arteve, në Tiranë, në degën e koreografisë. Bëhet fjalë për balerinën elegante Elona Nallbani, e cila ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për karrierën e saj dhe për familjen.

“Baleti është gjysma e jetës time. Kam nisur baletin në klasë të 5-të. Unë nuk e kam patur asnjëherë në plan baletin. Por në gëzimet familjare dihet që festohet dhe shumë miq i thonin mamit tim: Elona ka një vesh shumë të mirë për muzikën, ka elegancë dhe është si balerinë.

Sepse që të jesh balerinë duhet të kapësh edhe ritmin muzikor. Dhe në fakt iniciatorja ka qenë ime më. Ajo e mendoi dhe është e para që hodhi idenë e karrierës që kam sot. Në shkollën e mesme kur kisha filluar të hidhja hapat e parë të baletit klasik dhe përpos vuajtjeve, m’u deshën dy vite që të fitoja rezistencë. Nuk e harroj kur ime më më thoshte: Jam bërë pishman që të futa në art, më duket shumë e vështirë.

Por ishte e kënaqur që unë po forcohesha. Ndërkohë jeta vazhdoi normalisht dhe në kulmin tim kisha një frikë mos kisha ngelur shtatzënë. Nuk e pranoja kurrsesi sepse isha në kulmin e karrierës. Nuk ishte në planet e mia të martohesha dhe jo të kisha një fëmijë. Deri në 3 muaj e gjysmë të shtatzënisë kam kërcyer. Dhe pas kërcimit në Miss Albania unë nuk kërceva më. Për gati 2 vite u shkëputa dhe mendova se nuk do kthehesha më në balet. Por pas dy vitesh me shumë këmbëngulje rinisa të stërvitem dhe të merrem sërish me balet”, rrëfeu Nallbani.

Suela Bako dhe Romir Zalla – Aktore

Ata kanë 15 vite të martuar, por janë njohur dhe dashuruar prej 20 vitesh. Por Suela Bakon dhe Romir Zallën i bashkon edhe një dashuri tjetër, është ajo për skenën dhe teatrin. Së fundmi, ata të dy i kemi parë edhe si regjisorë përveç se aktorë në shfaqjet teatrale. Këto ditë ata kanë ngjitur në skenë një shfaqje që mbart nota të theksuara japoneze “Tri Gra dhe Misugi”.

Çifti ishte sot të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku zbuluan të tjera detaje rreth shfaqjes.

“Këtë shfaqje kam 13 vjet që e mendoj në fakt. Dhe mendoj se të ndenjurit 13 vjet në mënyrë të pavetëdijshme në një projekt befas e bëri të realizuar. I kam kërkuar ndihmë Romirit për këtë pjesë, por nuk më ka dhënë. Siç duket duhet të kalonte kohë që të vinte ky moment. Shfaqja do vijojë të jepet në Teatrin Eksperimental, por premiera ishte një festë e vërtetë. Nuk mund të fsheh entuziazmin tim sepse ka qenë një dëshirë e madhe për ta vënë në skenë.

Ndihem shumë e kënaqur që është pritur mirë. “Tri Gra dhe Misugi” është historia e një burri në trekëndëshin tragjik të dashurisë, e sjellë në kontekstin e ditëve tona. Misugi është burri i Midorin dhe ka të dashur kushërirën e gruas Saiko, e cila ka një vajzë Shoko. Gruaja e Misugit është në dijeni të lidhjes jashtëmartesore të burrit të saj. Në të tregohet takimi i fshehtë që Misugi bënte me të dashurën e tij. Nga ky takim lind dhe dashuria mes tyre. Por, ata të dy nuk e dinë që gruaja e Misugit i ka parë. Ajo nuk ua thotë asnjëherë. Midori (gruaja) ja thotë të dashurës së burrit ( Saiko) para se të vdesë”, tha Suela Bako.

Ndërkohë aktori Zalla shtoi se shfaqja është pritur shumë mirë, madje citon fjalët e ambasadorit japonez në Shqipëri, i cili e kishte quajtur shfaqjen spektakolare.

“Këtë shfaqje ne e kemi konsideruar si sfidë dhe jemi shumë të kënaqur sepse rezultati final ka qenë jashtëzakonisht shumë i mirë. Këtë e them duke marrë parasysh “feedback-un” që kemi marrë nga miq, dashamirës dhe të panjohur. Autori i kësaj shfaqje Yasushi Inoue në Japoni është siç kemi ne Dritëro Agollin, aq i madh dhe popullor është. Më kanë bërë përshtypje fjalët e mira që na tha ambasadori i Japonisë në vendin tonë, i cili përveçse ishte fans i autorit tha se nuk priste diçka kaq spektakolare. Dëshira jonë e mirë dhe e Suelës sidomos, ishte që shfaqja të vinte në formën e plotë të saj, në kuptimin e spektaklit. Nuk është thjeshtë një monodramë”, tha Zalla.

“Tri Gra dhe Misugi” do të vijojë të shfaqet në Teatrin Eksperimental edhe në datat 27, 28 Tetor.

Oriela Kosho – Drejtore Marketingu pranë Spitalit Amerikan, në Tiranë.

Kategori
Rudina
0 Komente

Përgjigju

*

*