Lin Tushaj

Leandra Tushaj

Ndryshe nga herët e tjera, sot në studion e “Rudina” ishte një i ftuar shumë i veçantë. Ai në fakt është shpend dhe ka pasion futbollin.

Bëhet fjalë për një gjel, i cili ndryshe nga të tjerët ka një aftësi të veçantë. Gjeli arrin të ndjekë dhe gjuajë topin sapo ia pason atë.

Ai quhet “Messi”, si futbollisti i Barcelonës, Lionel Messi, emër me të cilin e ka pagëzuar Leandra Tushaj dhe babai i saj Lin Tushaj, të cilët janë tifozë të Barcelonës.

Gjeli është 1 vjeç. Pronarët e tij jeton në fshatin Rrenc të Shkodrës. Ai mbante veshur në studio uniformën e skuadrës së Barcelonës, të lojtarit Lionel Messi.

Ka qenë vajza Leandra, ajo që e ka zbuluar rastësisht e para se gjeli ndjek topin sa herë që ja pason. Leandra tregoi se gjithçka kishte nisur ndërkohë që ajo luante në baçen e shtëpisë së saj, ku pa dashje gjuajtur i kishte gjuajtur topin gjelit dhe ai ia kishte kthyer.

“Gjelin e kemi blerë një muajsh. Kemi baçe pranë shtëpisë dhe vajza luante aty çdo ditë me shokët e lagjes dhe ishte ajo që e zbuloi. “Babi, gjeli ka qejf të luajë futboll” më tha një ditë, por nuk e besova. Më pas më kërkoi një top më të lehtë se ai i futbollit, sepse nuk e gjuante dot gjeli. Blemë top, por gjeli e gjuante shumë fort dhe shpoi topin. Bëri disa video vajza më pas e besova. Luajnë me pasa tani. Vajza i do shumë kafshët dhe është meritë e Leandrës që i është kushtuar gjelit”, tha Lin Tushaj.

“Për herë të parë i kam gjuajtur padashje gjelit, aty e zbulova sepse ai më ktheu topin. Mua më pëlqen shumë futbolli”, tregoi Leandra.

Vlashent Sata-Kantautor

Ai është padyshim një artist me një stil mjaft unik, i cili ndërthur përmes muzikës së tij jaret shkodrane me muzikën jazz e muzikën klasike me folkun. Bëhet fjalë pikërisht për kantautorin e njohur shqiptar, i cili ka bërë emër me muzikën e tij në skenat e rëndësishme ndërkombëtare, Vlashent Sata. Prej vitesh ai jeton ne Francë, por nuk e ka harruar asnjëherë Shqipërinë dhe vjen këtu herë pas here dhe zhvillon koncerte për publikun, por jo vetëm kaq.

Ai është organizator i një festivali që mbahet për të tretin vit në Theth dhe që ka si qellim promovimin e natyrës se bukur shqiptare. Sot Vlashent Sata ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për videoklipin e tij më të fundit, “Me jetu”, një këngë e frymëzuar nga jeta e tij dhe e shumë të rinjve shqiptarë.

“Me jetu” është një thirrje për gjërat që po shkojnë keq në vend. Ai është pjesë e kauzave të ndryshme, një prej të cilave do të jetë edhe një koncert në Gjakovë në datën 6 Shtator në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore, promovim përmes artit” .

“”Me jetu” ka qenë një këngë që ka lindur në fund të Majit për mua. Është një këngë shumë personale që flet për raportin me vendin dhe shpresën që sikur është zhdukur prej shumë kohësh dhe historia duket sikur përsëritet. Kisha frikë se kënga do të dukej si moraliste, por është pritur shumë mirë. Kur ia kam treguar miqve dhe njerëzve të zemrës përpara se ta regjistroja të gjithë më thoshin të bukura i ke të gjitha këngët, por me këtë ke kaluar veten. Leonardo Soili që më ka ndihmuar për post produksionin ka bërë një punë të shkëlqyer. Me këtë këngë kam dashur të them shumë gjëra, një ndër ta është që nëse do që gjërat të ndryshojnë duhet të ngrihemi dhe mos presim. Dëgjoj gjithandej njerëz që duan të largohen dhe më vjen keq. Kam 18 vjet që jam larguar dhe sa herë kthehem më duket sikur historia përsëritet. Edhe njerëzit që kanë diçka për të dhënë duket se e vetmja zgjedhje është të largohen”, tregoi Vlashent Sata.

Kantautori gjithashtu është edhe ideator i festivalit të veçantë “Za Fest” që nisi para tre vitesh për të bërë bashkë disa artistë për të pastruar mbeturinat në Theth dhe gjatë atyre ditëve të zhvillohej festivali me këngë e rrëfenja të asaj zonë.

Regana Mejdani-Vloger

Pas pushimeve, kujdesi për veten, trajtimet dhe maskat e ndryshme në kushte shtëpie, marrin vëmendje parësore. Pas gjithë këtyre ditëve me diell, do ishte bukur që ngjyra çokollatë që marrim, të zgjaste sa më tepër. Maskat e ndryshme për fytyrën apo flokët gjithashtu janë të rëndësishëm për rigjenerimin e tyre, pas dëmtimeve që shkakton qëndrimi në diell.

Ndaj, sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar vlogereja Regana Mejdani, e cila tregoi se si mund ta ruajmë sa më gjatë ngjyrën e marrë gjatë plazhit.

“Dielli ka tendencën të thajë lëkurën dhe flokët. Ajo që duhet të bëjmë është t’i hidratojmë. Nxirja jo gjithmonë është e shëndetshme dhe në shumë raste mund të përkthehet edhe në rrjepje, për ta evituar këtë duhet të përdorni kremra me SPF. NJë gabim që bëhet rëndom gjatë verës është edhe përdorimi i ujit të nxehtë gjatë dushit, i cili e than lëkurën dhe e bën të bjerë më shpejt. Uji gjatë dushit duhet të jetë sa më i ftohtë, aq sa trupi mundet ta durojë. Përdorimi i kremrave “after sun” është shumë i rëndësishëm në mënyrë që ngjyra të zgjasë sa më shumë. Vaji i kokosit është shumë i mirë për të hidratuar dhe ruajtur gjatë ngjurën e lëkurës së nxirë”, tha Mejdani.