RUDINA – EMISIONI 06 MAJ 2019!

RUDINA – EMISIONI 06 MAJ 2019!

19:04 06/05/2019

Të ftuar:

Stefi Prifti - Këngëtar

Endri Prifti - Këngëtar

Ata janë dy personazhe mjaft të dashur për publikun. Endri dhe Stefi Prifti janë vëllezërit më të famshëm korçarë, të pandashëm në skenë, madje edhe në jetën e përditshme, ku prej 23 vitesh ka qenë muzika ajo që i ka bërë akoma dhe më të bashkuar.

Kudo ata shkojnë ndezin atmosferën duke e kthyer në një festë të vërtetë. Janë dy artistë me shpirt të lirë që për shumë vite kanë sjellë hite që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Sot Endri dhe Stefi Prifti ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku folën për këngën e tyre më të re, titulluar “Trëndafili fshihet nën gjethe”.

“Titulli i këngës është me shumë kuptime. I flet edhe vetes çdo njeri që e transmeton, por edhe partnerit apo partneres. Ka disa kuptime. Fabula e këngës është që çdo person është aq trëndafil i bukur, të cilin nuk e njeh partneri dhe fshihet nën gjethe, nën fustan. Kryesisht flet për dashurinë, por unë kur shkruaj fus edhe intrigat, servilët, të gjitha këto janë brenda kësaj kënge. Kur kam shkruar këngën kishte marrë dhen dashuria. Unë çdo këngë që shkruaj e nis nga historitë e mia, por e përshtas”, tha Endri.

“Askush më mirë se unë nuk e njeh Endrin, ne të mirat dhe të këqijat i kalojmë bashkë. Unë nuk jam shfaqur në videoklip. Ishte gjendje totalisht e Endrit dhe tani që e pashë përsëri klipin mendoj se ka konflikt gjendjesh, të cilat Endri i ka përjetuar ekstremist vitet e fundit. Ka dashuri, ka urrejtje, por në fund ai thotë çfarëdo që të ndodhë unë jam ky që jam. Kur Endri ka realizuar këtë këngë dhe këtë melodi, mesa di unë ka qenë në gjendje të vështirë. Ka qenë në një moment thellësisht jo të mirë nga të gjitha anët dhe doli ky lloj frymëzimi”, tha Stefi.

Rezart Mehmeti - Specialist i kafes turke

Konsumimi i kafesë për shumë prej nesh është një ritual i përditshëm. Adhuruesit e kafesë nuk e fillojnë ditën pa këtë pije “magjike”. Kemi dëgjuar aq shumë për kafen turke, por nëse mendoni se quhet e tillë se ka origjinën nga Turqia, gaboheni. Provat historike kanë treguar që kafeja turke ka nisur të konsumohet në Jemen në shekullin XV, më pas u përhap në Kajro dhe në Mekë.

Historianët tregojnë se në vitin 1640 në Kostandinopojë është hapur kafeteria e parë. Nga Jemeni kafeja rrugëtoi drejt Stambollit. Turqit kuptuan se nga kokrrat e kafesë mund të përgatisnin një pije të shijshme nga e cila mund të merrnin energji, të qëndronin zgjuar dhe të shuanin urinë. Kafeja turke është vendosur në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në vitin 2013. Për të na treguar më shumë rreth përgatitjes së kafesë turke ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Rezart Mehmeti.

Gjatë emisionit ai përgatiti live kafe turke në rërë me një makineri, e cila ngrohej me korrent. Fillimisht ai bloi kafen në mulli, më pas kafen pluhur e hodhi në xhezve, shtoi sheqer, ujë të ftohtë dhe më pas xhezven e vendosi në rërë për disa minuta derisa u përgatit kafeja.

“U bë gati 10 vite që merrem me përpunimin e kafesë. Që i vogël më ka pëlqyer mulliri i kafesë. Të rinjtë janë ata që e pinë më shumë kafen turke”, tha Mehmeti.

Dr.Gera Tagani – Mjeke në Klinikën Anassa

Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI