Të ftuar:

John Shahu – Këngëtar

Ai është një ndër zërat më melodioz që i është shtuar muzikës shqiptare kohët e fundit. Një artist i ri, i cili shumë shpejt u bë i dashur për publikun pas hitit “Mike”, bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe Ledri Vulën.

Bëhet fjalë për këngëtarin John Shahu, i cili ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të prezantuar këngën e tij të re, të titulluar “Havana”. Këngëtari tha se ishte hera e parë që dikush tjetër kompozonte për të, por shtoi se “Havana” i është përshtatur.

“Më frymëzon Shqipëria për të kompozuar, më pëlqen miksimi i muzikës ballkanase me “R&B”. “Havana” është bashkëpunim me Gramoz Kozelin. Ai bëri instrumentin, ishte hera e parë që i lija në dorë kompozimin e një kënge dikujt tjetër, por doli bukur dhe m’u përshtat. Xhirimet janë bërë në Tiranë dhe nuk ishte e vështirë. Kënga ka vetëm pak ditë që është publikuar”, tha Shahu.

Ai është bërë i njohur për publikun shqiptar që prej vitit 2017, pas pjesëmarrjes në “Kënga Magjike”, me këngën “Medicine” dhe është një artist që i shkruan vetë këngët e tij.

Tatjana Isaj – Stiliste

Tatjana Isaj është një stiliste e njohur, e cila prej kohësh ka zhvendosur veprimtarinë në Gjermani, vend ku edhe jeton bashkë me familjen.

Ajo ushtron atje profesionin e saj dhe ka hapur edhe një atelie. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, stilistja tregoi se karakteristikë e ateliesë së saj është puna me dorë, gjë që realizohet në Shqipëri. Stilistja tregoi se edhe pse atelieja e saj në Gjermani ka marrë emër, ajo nuk mund të marrë të njëjtën kënaqësi që merrte në vendin e saj.

“Në Gjermani është shumë e vështirë, konkurrenca është shumë e fortë. Kënaqësinë që ndjen në vendin tënd nuk mund ta ndjesh dot atje, edhe pse ka shqiptarë. Dizajni për mua ka qenë hobi, por me shumë këmbëngulje doja të bëja diçka të veçantë. Puna e dorës është karakteristikë e ateliesë time. Edhe pse atelienë e kam në Gjermani, puna e parë bëhet në Shqipëri. Frymëzimin që marr tek motivet tona nuk e gjej dot në Gjermani. Atje punojnë shumë me dorë gratë, edhe pse tek ne duket sikur punojnë më shumë. Por motivet që kemi ne nuk i gjej dot atje. Kohët e fundit atelieja ime atje ka marrë shumë emër, klientët ndihen të lumtur dhe unë marr komente të mira. Stili i fustaneve që unë dizenjoj janë ato të kokteileve, mbrëmjeve dhe më pak ato të përditshmërisë. Atje njerëzit nuk kanë dëshirë të bien shumë në sy. Personat që vijnë në atelienë time janë kryesisht persona që janë marrë me artin dhe kërkojnë diçka të veçantë”, tha stilistja.