Nora Malaj – Ish-Deputete

Iris Luarasi – Pedagoge

Visjan Ukenaj – Aktor

Sibora Bitri – Gazetare, Spikere në ABC news

Festa e 7 Marsit mbetet një ditë e shënuar për mësuesit në mbarë Shqipërinë. E gjithë vëmendja dhe mirënjohja në këtë ditë është për ta dhe misionin fisnik që ata mbartin. 7 Marsi është një festë kombëtare në Shqipëri dhe kjo lidhet me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887, e cila i hapi rrugë kështu mësimit të Gjuhës Shqipe.

Dhe në kuadër të kësaj dite ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ish-deputetja Nora Malaj, gazetarja dhe pedagogia Iris Luarasi, aktori Visjan Ukcenaj dhe spikerja Sibora Bitri.

Gjatë emisionit të ftuarit treguan kujtimet e tyre në vitet e studimeve, lidhjet me mësuesit dhe dhuratat që iu bënin.

“Unë kam pasur një marrëdhënie speciale me mësuesen e klasës së parë, Fitnete Xhuglini. Ka qenë një nga njerëzit e mi shumë të dashur dhe unë them që ka ndikuar në mënyrën se si vijoi ecuria ime në shkollë. Në fillim fare unë mbaj mend që nuk isha ndonjë nxënëse shumë e interesuar për mësimin, kam qenë edhe 6 vjeç. Ajo të merrte edhe në shtëpi kur shikonte që kishe nevojë. Herë pas here grupi ndryshohej, një herë shkoja unë, një herë dikush tjetër, por kjo është një nga ato gjëra që nuk ndodh sot. Kur i shkonim në shtëpi na jepte biskota dhe ne nuk e shihnim më si mësuese, por si nënë. Ajo ishte shumë serioze në klasë dhe shumë e ëmbël dhe e dashur në shtëpi. Ia dedikoj asaj gjithë pjesën e ambicies për të qenë e para e klasës, sepse historia ime aty vazhdoi. Në ato vite, të gjithë fëmijët kontribuonin për 7 Marsin, por nuk ishte detyrim. Më kujtohet që dikur i kemi blerë mesueses një parfum dhe na tepruan lekë dhe blemë edhe një furçe dhe një pastë dhëmbësh”, tha Iris Luarasi.

“Ditën e sotme në fakt e kam parë në tre pozicione. U edukuam me figurën e mësuesit, ndoshta edhe për faktin se mamaja ime ishte pjesë e sistemit. Mësuesi i parë është model dhe unë dua ta përshëndes shumë mësuesen time të parë, Shpresa Kruja. Më kujtohet kur ime më i tha që Nora nuk po merr rezultatet maksimale semestrin e parë dhe zyshë Shpresa i tha: “Mos u shqetos sepse Nora është sistematike dhe e vëmendshme”. Sistemi kur ne ishim nxënës e shikonte figurën e mësuesit në rolin e njeriut që të edukon, të mëson dhe të frymëzon. Në kohën tonë të gjithë pas mësimit luanim mësuesesh. Kam provuar shumë gjëra në këto vite pune, por nga mësuesia nuk jam ndarë asnjëherë. Jam rritur me nxënësit dhe dashuria e tyre është e përjetshme. Emri zyshë më ndjek edhe sot. Në kohën time ne i shkonim në shtëpi mësuesve dhe unë po ashtu kam pritur shumë nxënës në shtëpi”, tha Nora Malaj.

“Tani që jam rritur e kuptoj se çfarë vlere ka një mësues. Kur kam qenë i vogël kam pasur një zyshë që e kishte emrin Age. Ajo më ka mësuar të shkruaja me dorën e djathtë, sepse unë isha mëngjarash dhe në atë kohë nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Nxënësit e tjerë kishin detyra të tjera gjatë mësimit, kurse unë mësoja të shkruaja me dorën e djathtë, por ajo nuk më bënte të ndihesha keq. Kujdestare kam pasur zyshë Vjollcën, ka qenë bionde, e ëmbël, ngjante si një lule. Kur vinte ora e saj, në klasë vinte erë e mirë. Mësueset të japin një ndjesi të veçantë, kujtimet e fëmijërisë lidhen si me mësuesen edhe me lëndën. Zysha e Matematikës të impononte personalitet tjetër. Por kanë qenë ndjesi shumë të bukura”, tha Visian Ukcenaj.

Dhurata Almetaj – Mesuese e ciklit fillor, shkolla “Fan Noli”, Tiranë

Manjola Gjonaj – Drejtoresha ekzekutive e shtëpisë botuese “Bota Shqiptare”