Blendi Fevziu – Moderator i emisionit “Opinion”

Ai është padyshim një nga emrat më të njohur në fushën e medias në Shqipëri. Por përveç gazetarisë, ai ka edhe një pasion tjetër, udhëtimet. Janë të shumta vendet të cilat ai ka vizituar, por së fundmi ai ka qenë në Senegal, një vend i cili ndodhet në pjesën perëndimore të Afrikës, në Ruandë që ndodhet në pjesën qendrore të Afrikës dhe Panama që është shteti më jugor i Amerikës së Mesme. Bëhet fjalë për Blendi Fevziun, i cili ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku tregoi rreth udhëtimeve të tij të fundit.

“Kam qenë në 5 vende kohët e fundit, por tre vlejnë për t’u rrëfyer. Kam qenë në Kubë, Panama, Kenia, Ruanda dhe Senegal. Kenia është një vend në Afrikë që ti e arrin kollaj dhe prej aty mund të shpërndahesh në vende të tjera.

Panamaja ishte një destinacion që kisha tre vjet që e kisha fiksuar që do të shkoja. Panamaja ka qenë pjesë e Kolumbisë, nuk ka qenë shtet më vete, por kur SHBA donte të çante kontinentin për të krijuar një kanal, e shtynë Panamanë që të shpallte pavarësinë. Është një vend shumë interesant, me 4 milionë banorë. Ka disa gjëra të rralla, ka qytetin e vjetër që është tipik spanjoll, i ndërtuar në 1600-ën dhe i paprekur më, kanë xhunglën, ka kanalin e Panamasë. Baza kryesore e ekonomisë për ta është turizmi, peshkimi dhe kanali i Panamasë. Është ndër shtetet e vetme që nga njëra anë laget nga Oqeani Paqësor dhe nga ana tjetër nga Oqeani Atlantik dhe mjafton një orë udhëtim me makinë dhe i prek të dyja. Por pjesa më interesante e Panamasë është kanali, është mahnitëse për ta parë. Në momentin që ti hyn shikon anije gjigande që kalojnë. Është dashur 10 vjet që të ndërtohet, nga 1904 deri më 1914 dhe për të kanë vdekur mbi 40 mijë njerëz sepse ka qenë xhungël e mbushur me mushkonja dhe gjarpërinj. Petro Marko në kujtimet e tij tregon se daja i tij kishte ndihmuar në ndërtimin e kanalit të Panamasë dhe në çlirimin e Kubës. Në të dhënat që qarkullojnë për kanalin thuhet se kanë punuar rreth 80 shqiptarë. E çuditshme është se kanali është ndërtuar me dy vaska, anijet shkojnë, mbushet një vaskë, pastaj ajo zbrazet dhe bie në nivelin e vaskës tjetër. Është një nga mrekullitë inxhinierike që është ndërtuar në atë kohë. Xhungla po ashtu është nga më të jashtëzakonshmet, ka shumë majmunë, papagaj dhe gjarpërinj. Panamaja po ashtu është shumë e famshme për indigjenët të cilët jetojnë në komunitetet e tyre ashtu si 1000 vjet më parë, nuk kanë asnjë ndryshim.

Ruanda ka qenë një nga vendet që unë kisha fiksuar. Unë e njihja përciptaz, ka 14 milionë banorë. Ruanda është shumë e njohur në botë për genocitin e vitit 1994. Historia e Ruandës është e frikshme, ka qenë koloni gjermane dhe më pas belge. Është e ndarë në disa fise, por kryesoret ishin ato hutu 84% dhe tuci 12%, të cilët ishin edhe më të angazhuar në administratë. Në fillim të viteve ’90 filloi të rritej urrejtja mes dy fiseve, e cila nxitej nga mediat. Filluan përplasjet, më 7 Prill 1994 forcat e ushtrisë qëlluan avion me dy presidentë. Ata vdiqën dhe në mënyrë të papritur ushtria dhe hututë zunë rrugët dhe filluan të vrisnin çdo tuci. Mediat bënin thirrje që hututë të vrisnin komshinjtë e tyre dhe në më pak se 100 ditë janë vrarë 1.2 milionë njerëz. Mbi eshtrat e 250 mijë njerëzve është ngritur edhe muzeu i genocidit.

Senegali është shumë i veçantë, është skaji më perëndimor i Afrikës. Dakari është një qytet shumë kaotik. Ka qenë koloni franceze. Ka një nga pikat më të rralla dhe më të vizituara, është një ishull 3 kilometra nga Dakar. Ishulli Goresë, ku për 350 vjet ka qenë porta kryesore prej nga niseshin skllevërit drejt Amerikës së Veriut dhe Karaibeve. Të gjitha shtëpitë i kanë ruajtur ashtu siç kanë qenë. Ishin 27 shtëpi. Për 350 vjet, 18 milionë afrikanë janë marrë si skllevër prej aty. Sot është ishull i piktorëve dhe artistëve”, tregoi Fevziu për udhëtimet e tij.

Ndërkohë që fliste për vendet që kishte vizituar , gazetari dha edhe një mesazh teksa tha se nuk duhet të jemi paragjykues për vendet që vizitojmë pasi çdo vend ka bukurinë e vet.

“Shqiptarët, por edhe qytetarë të vendeve të tjera që kanë jetuar të izoluar, kanë një lloj paragjykimi për atë që ndodh përtej kufijve të tyre dhe janë skematikë. Pra perëndimi është i mirë, lindja është e keqe apo Evropa është e zhvilluar, Afrika e pazhvilluar. Në fakt ky është një paragjykim që vjen nga injoranca dhe nga mungesa e informacionit. Çdo vend ka bukurinë e tij, edhe vendi më i frikshëm. Një gjë mund të them, asnjë popull nuk duhet paragjykuar. Ne jemi popull që kemi vuajtur shumë nga paragjykimi dhe çdo të huaji që i thua vij nga Shqipëria të shikon me përçmim, imagjino sa racistë bëhemi ne kur shohim me përçmim të tjerët”, shtoi gazetari.

Avokate dhe ikone e modes: Momente me fashion Amal Clooney!