Grida Duma ne nje interviste ndryshe!

Ajo është një personazh i njohur publik që shquhet për imazhin e një gruaje të bukur, por edhe për rolin e saj në debatet publike, angazhimet akademike dhe që ka spikatur me profilin e saj edhe në politikë.

Bëhet fjalë për Grida Dumën, e cila këtë pasdite ka qenë e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan. Duma ka realizuar një intervistë ndryshe, ku i është përgjigjur pyetjeve së drejtueses së emisionit, Rudina Magjistari, por edhe atyre të publikut.

Do doje të ishe kryetare e Partisë Demokratike?

Grida Duma: Absolutisht jo, asnjëherë, as e kam pranuar, as e kam menduar si logjikë. Kam patur poste drejtuese. Nuk më ka shkuar në mendje asnjëherë.

Të mungon foltorja e Kuvendit?

Grida Duma: Foltorja e Kuvendit në vetvete jo nuk më mungon. Media e ka zëvendësuar më mirë se sa aq, për hir të së vërtetës. Por një lloj rimendimi që mund të bëj shumë të tepër, në kuptimin po të kishte vërtet jetë parlamentare, padiskutim që e kam këtë domethënë. Njerëzit që bëjnë karrierë politike, foltoren e Kuvendit e kanë pjesë të ëndrrës së tyre të karrierës, domethënë aty mund të shpalosësh çdo gjë. Por jo, nuk është ky konteksti në Parlamentin shqiptar dhe për aq pak kohë sa qëndrova, domethënë nuk pashë që ishte e mundur kjo. Sigurisht koha e ardhme do të sjellë padiskutim ne shpresojmë një realitet më të mirë politik. Por deri sot nuk shoh që kemi humbur ndonjë gjë në kuptimin e impaktit, se pastaj të gjitha gjërat e tjera janë relative. /tvklan.al

Akrobatja Vitore Sallaku rrefen jeten me humoristin Skender Sallaku, 6 vite pas ndarjes nga jeta!

E ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, ishte ish-akrobatja shumë e njohur Vitore Sallaku. Ajo është edhe bashkëshortja e një prej aktorëve më të dashur të humorit, Skënder Sallaku, i cili është larguar nga jeta 6 vite më parë, si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Vitore që në moshën 11-vjeçare ka qenë pjesëtare e trupës së cirkut duke dhënë një kontribut maksimal, si brenda edhe jashtë vendit. Pas shkëputjes nga skena, ajo u bë ndër pedagoget e para të studios së Cirkut. Në shenjë mirënjohje të aktivitetit të saj artistik në shërbim të artit, i janë akorduar Medalje dhe Urdhëra Pune, gjithashtu edhe titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Vitorja ka botuar një numër librash, poezi, monografi, pas ndarjes nga jeta të Skenderit, si edhe historinë e Cirkut Shqiptar.

Në vitin 1962, çifti Vitore e Skënder Sallaku janë martuar dhe kanë dy fëmijë. Në studio, Vitore tregon se propozimi për martesë nga humoristi ka qenë një suprizë e vërtetë, pasi ai i ka propozuar në skenë para publikut.

Mund të them që ka qenë një suprizë, sepse Skënderi në skenë më ka bërë një suprizë. Unë po dilja për të bërë ushtrimet plastike që kisha në skenë dhe më thotë: Do martohesh me mua Vitore. Supriza është moment që nuk e di si kalon. Unë si natyrë nuk flas shumë me thënë të drejtën dhe Skënderi ishte natyrë shumë gazmore dhe të ngatërronte, me gojën e tij ngatërroheshe ti. Unë isha lart në tavolinë dhe poshtë ishte dikush tjetër që e shtynte tavolinën deri në qendër, pastaj fillova ushtrimet. Skënderi rrinte poshtë tavolinës dhe kur mbarova unë ai thotë: Këtu jam edhe unë, para publikut. Unë mendova se po bënte humor se ishim në skenë dhe i thashë po. Pastaj dalëngadalë më vinte mbrapa s’kishte punë tjetër”. /tvklan.al

“Gjurme pa shenje”, filmi me i ri shqiptar, se shpejti ne kinema!

“Gjurmë pa shenjë” është filmi më i ri shqiptar, i cili pritet të dalë së shpejti në kinema. Të ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, për të folur për filmin ishin regjisori dhe skenaristi  Maksim Alidini së bashku me gazetaren Ornela Gaçe.

Ky është filmi i parë që Maksim është skenarist, regjisor dhe aktori kryesor. Filmi trajton historinë e dashurisë së dy të rinjve, që përjetojnë dramën e ndarjes dhe kjo e vendos personazhin kryesor, Maksimin, në një betejë për hakmarrje. Filmi është xhiruar në Shqipëri, Kosovë, Zvicër dhe Itali.

Gazetarja Ornela Gaçe luan për herë të parë në një film. Ajo mban emrin Ema në film dhe është vajza e madhe e deputetit, avokate në Zvicër që pastron bizneset e jashtëligjshme të babait.

E pyetur nga drejtuesja e emisionit, Rudina Magjistari, për arsyen pse pranoi të ishte pjesë e një filmi, gazetarja tha se dëshironte të linte një kujtim ndryshe, por gjithashtu vajza e saj të përjetonte të njëjtin emocion që Gaçe kishte përjetuar kur kishte parë nënën e saj, tek luante në filmin “Një ëndërr për një karrige”.

Ornela Gaçe: Të them të drejtën doja të recidivoja, ndjesinë që pata kur nëna ime ka luajtur tek ”Një endërr për një karrige”. E mbaj mend si sot, që ishim duke parë filmin tek kinema “Republika” dhe unë bërtita, isha i vetmi fëmijë që bërtita: Mami, mami. Ishte një ndjesi aq e bukur sa unë këtë gjë, jo vetëm doja të lija një kujtime dhe ndryshe, të më shikonte vajza në një film, por doja që dhe ajo të provonte të njëjtin emocion, që unë kisha provuar. Unë isha e vogël dhe bërtita, isha nga rreshtat e fundit dhe gjithë kinemaja ktheu kokën dhe po më shikonte mua. Po isha e vogël, isha 8-9 vjeç, në këtë moshë që është vajza ime sot. Gjithë salla ktheu kokën dhe po më shikonte dhe u bëra unë personazh në ato momente. /tvklan.al