Të ftuar:

Manjola Nallbani – Këngëtare

Ajo është një këngëtare shumë e njohur, e cila me zërin e saj na ka emocionuar sa herë ka dalë në skenë. Gjithmonë me projekte të reja muzikore, Manjola Nallbani është një nga ato artiste që i ka dhënë shumë vlera muzikës shqiptare. Ka shkëlqyer si në muzikën e lehtë, klasike po ashtu edhe në atë popullore.

Së fundmi, ajo ka bërë një përmbledhje të 30 viteve të karrierës së saj në një koncert recital, i cili do të mbahet në datën 16 Maj në qendrën e kulturës në “Katedralen Ortodokse Tiranë” në orën 19:00.

Sot këngëtarja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku zbuloi më shumë detaje rreth koncertit.

“Vendosa një ditë të bukur vere, thash përse të mos bëj një koncert. Mendoj se është pjekur edhe repertori. Duke qenë se unë punoj në Akademinë e Arteve dhe nuk jap koncerte live nëpër qytet erdhi një moment për të bërë një koncert me repertorin tim, është tjetër komunikim me publikun. Koncerti është konceptuar të ketë disa nga këngët mia më të njohura në vite, do ketë edhe muzikë të re, këngë popullore dhe 2-3 materiale operistike. Do të jetë koncert i larmishëm. Jam përpjekur të punoj me ata që unë i konsideroj më të mirët. Koncerti do të jetë i gjithi live nën shoqërimin e disa prej muzikantëve më të mirë shqiptarë, nën drejtimin e Elton Dedës. Do të jenë të ftuar disa prej këngëtarëve më të mirë të muzikës shqiptare, të cilët janë miq të çmuar të jetës time si Eli Fara, Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Shkëlzen Jetishi po ashtu edhe pianisti Egland Hasa. Po ashtu do të ketë edhe momente humori nga ish-studenti im Rezart Veleshnja. Jam duke punuar shumë dhe thuajse çdo ditë po bëjmë prova. Recitali është quajtur “Jetë me ju” sepse jeta e një artisti është e lidhur çdo moment me publikun”, tha këngëtarja.

Gani Çekrezi – Skulptor

Gani Çekrezi është një i ri, i cili ka pasion të madh për skulpturën. Por, ndryshe nga skulptura tradicionale ai realizon skulptura në materiale të ndryshme si gur, hekur, dru etj., madje ka arritur të stilizojë në gur punime të ndryshme me motive popullore. Deri më tani numëron rreth 500 punime, ndër të cilat ka riciklime pasi ai ka një pasion të madh për të kthyer një objekt që nuk përdoret më.

Çekrezi ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi se i realizon punimet e tij me gur.

“Më tërheqin shumë objektet e traditës. Duke parë se në material mund të rrinë më mirë pikturat dhe duke eksperimentuar arrita në këtë fazë që jam sot. Unë grumbulloj bazën materiale, që janë gurët, përcaktoj përmasat e punimit dhe përshtas elementët e gurit. Ky është fillimi. Pjesën më të madhe të gurëve e marr në lumin Erzen. Një punim mund të më marrë një ditë”, tha Çekrezi.