Rudina – Emisioni 14 tetor 2019

Rudina – Emisioni 14 tetor 2019

19:14 14/10/2019

Luan Manahasa – Këngëtar

Zhaklina Lekatari – Bloggere

Në emisionin “Rudina” në Tv Klan u diskutua për një temë interesante, atë të marrëdhënies në çift. Sa e nevojshme është që çiftet të kuptojnë njëri-tjetrin në këtë aspekt për të pasur një jetë intime sa më të shëndetshme. Për të diskutuar rreth kësaj teme, e ftuar në studio ishte gazetarja Zhaklin Lekatari. Ajo ka dhënë 7 këshilla për të gjitha çiftet që të kenë një jetë seksuale sa më të shëndetshme.

A flisni me njëri-tjetrin për marrëdhëniet intime dhe sa të lehtë e keni për të hapur një bisedë të tillë mes jush?

Zhaklin Lekatari: Mendoj që çiftet sot nuk flasin shumë me njëri-tjetrin edhe kur janë të rinj edhe kur janë të vjetër. Është shumë e rëndësishme që mos ta humbasim atë kontaktin fillestar që një çift ka pasur në fillimet e tyre në marrëdhëniet e tyre. Mund të rikthehemi dhe të rikujtojmë ato hapat e parë, dhuratat e para, takimet e para.

A i keni marrëdhëniet seksuale një prioritet në jetën tuaj në çift? 

Zhaklin Lekatari: Është shumë e rëndësishme që t’i kemi prioritet marrëdhëniet tona intime apo seksuale. Marrëdhënia intime është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë.

Si mendoni se do të ndryshojë marrëdhënia juaj seksuale gjatë jetës dhe a jeni të përgatitur ta mbroni atë ndaj çdo ngjarjeje në jetën tuaj përgjatë viteve?

Zhaklin Lekatari: Në këtë rast rëndësi kanë të dyja gjinitë. Nevojë për dashuri, për pasion për përkëdhelje për fjalë të ëmbla kanë të dyja palët. Gratë nuk duhet të presin patjetër që iniciatori të jetë gjithmonë vetëm burri. Të marrin atë që duan nga partneri i tyre.

Si e mbani gjallë interesin seksual me kalimin e viteve?

Zhaklin Lekatari: Vetëm komunikimi është çelësi i suksesit të një jete të shëndetshme edhe emocionale por edhe seksuale. Duhet të mësojmë të mos kemi turp. Shëndeti seksual është një pjesë shumë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm.

A ziheni me partnerin/partneren për çështjen e seksit dhe si t’i menaxhoni sa mirë këto situata?

Zhaklin Lekatari: Është një temë mbi të cilën heshtet shumë. Në rastin kur bashkëshorti do të ketë më shumë marrëdhënie dhe ti je lodhur dhe do të kesh më pak marrëdhënie, mendoj që këtu duhet gjetur një terren i përbashkët. Nëse bashkëshorti do 4 herë dhe gruaja 1 herë, atëherë të bëhet 2 herë që të jenë të gjithë të lumtur.

Si e ushqeni ju marrëdhënien tuaj individuale me seksualitetin?

Zhaklin Lekatari: Disa veprime të caktuara që ju dëshironi të kryeni në marrëdhënien tuaj intime, nuk janë për të gjitha gratë. Sepse jo të gjitha gratë pranojnë veten, pranojnë trupin e tyre. Pranimi i vetes, njohja e trupit tënd është shumë e rëndësishme që t’i evidentojmë.

Për të sapomartuarit, cilat janë pritshmëritë tuaja gjatë muajit të mjaltit?

Zhaklin Lekatari: Mendoj që janë shumë të larta, megjithëse varet nga koha kur je martuar. Sepse nëse je një marrëdhënie prej shumë vitesh dhe martohesh pas një dekade, atëherë besoj që ka filluar pak ajo apatia. Muaji i mjaltit, lidhja e një jete bashkë, besimet e shkëmbyera, është një mënyrë shumë e re nëse jemi një çift afatgjatë për t’i dhënë ajër marrëdhënies tonë. /tvklan.al

Spartak Koka – Drejtori i departamentit të web-it të TvKlan

I ftuar në emisionin “Rudina”, drejtuesi i departamentit të web tvklan.al, Spartak Koka

Tv Klan ka sjell risi në faqen e saj web. Prej Shtatorit, kjo faqe vjen me një dizajn të ri, lehtësisht të aksesueshëm nga çdo qytetar nëpërmjet telefonit apo kompjuterit. Brenda faqes tvklan.al, tashmë mund të gjejmë gjithcka që transmetohet në ekranin e Tv Klan, Klan Plus, ABC News, Klan Maqedoni.

Për të folur më tepër për optimizimet e faqes së tvklan.al, në emisionin “Rudina” në Tv Klan ka qenë i ftuar drejtuesi i departamentit të tvklan.al, Spartak Koka.

Spartak Koka: “Rritja e mëtejshme e audiencës në tvklan.al por dhe rritja e ndjekësve në rrjetet sociale dhe platformat online, na vendosën para sfidës për të përmirësuar më tej performancën motorrike, funksionaliteteve dhe dizajnit të website tvklan.al për t’iu përgjigjur më mirë shqiptarëve në të gjithë botën”.

Për herë të parë një medium online shqiptar do t’u ofrojë lexuesve dhe shikuesve mundësinë për të gjetur online, me një motorr kërkimi të thjeshtë dhe funksional, gjithçka ka transmetuar Tv Klan që nga Gushti i vitit 1998. Arkiva e 21 viteve të Tv Klan është një pasuri e vyer dhe unikale e historisë së tranzicionit shqiptar. Çfarë është prodhuar në Tv Klan që prej vitit 1998, do të jenë online (video, tekst, foto) në tvklan.al si një vlerë e shtuar e seriozitetit, kredibilitetit dhe cilësisë që Televizioni Klan dëshiron t’u përcjellë të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës.

Spartak Koka: “Meqënëse Tv Klan është pasuri kombëtare e të gjithë shqiptarëve dhe arkiva online nga viti 1998 do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm që z. Frangaj ka vendosur t’iu ofrojë shqiptarëve për t’u aksesuar nga cdo qytetar që ka në disponim një kompjuter, një tablet apo nga celulari. Veçanërisht do t’u shërbejë për t’u përdorur akademikëve, historianëve, studiuesve të fushave të caktuara, studentëve, gazetarëve, politikanëve dhe cdo qytetari kurioz për të shkuarën e largët dhe të afërt të Shqipërisë. Si një memorie e avancuar dhe lehtësisht e përdorshme, mjafton vetëm me një klik, duke zgjedhur një topik të caktuar, një fjalë kyce, apo një emër dhe mund të gjesh brenda pak sekondash atë çka të nevojitet nga arkiva Video, audio, tekst dhe foto e Tv Klan. Për ta bërë sa më miqësor dhe më interaktiv websitin e Tv Klan, jemi bazuar dhe tek eksperiencat më të mira dhe më moderne të websiteve për vitin 2019”.

Risitë në tvklan.al lidhen me një dizajn të thjeshtë, përmbajtje të larmishme dhe lehtësisht të aksesueshme. Jo vetëm kaq, por edhe rritje e ndërveprimit me platformat e tjera online duke u krijuar mundësinë lexuesve që të gjejnë në kohë reale lajmet apo programet edhe në rrjetet Facebook, Youtube, Instagram dhe Twitter.




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi