#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen.

U diagnostikua me kancer në moshën 34-vjeçare, mësuesja: Nuk ia pranoja vetes, pësova shok psikologjik

Një mësuese nga Elbasani, Enida Bebi vjen sot në “Rudina” në Tv Klan për të ndarë historinë e saj të vështirë në luftën me kancerin. Më shumë se 10 vjet më parë, Enida u diagnostikua me kancer në gjoks, në moshën 34-vjeçare.

Fillimisht, ajo dalloi një masë në gjoks, për të cilën vendosi të këshillohej me një mjek. duke menduar se ishte vetëm një infeksion, ajo u trajtua me antibiotikë, por 9 muaj më vonë, masa vazhdonte të ekzistonte në trupin e saj. Enida përshkruan të gjithë ngjarjen duke filluar nga momenti i parë kur pikasi se diçka nuk shkonte.

Enida Bebi: E kujtoj mjaft mirë sepse është një moment që vërtet nuk do doja ta kujtoja por që është shumë i rëndësishëm në jetën time. Vija nga një periudhë e vështirë e jetës time, rreth dy vjet të vështirë të jetës time. Fëmijët ishin akoma të vegjël sepse unë jam nënë e dy vajzave, ishin shumë të vogla dhe gjatë kontrollit që besoj që të gjitha gratë e bëjnë, të gjirit,vura re që diçka  nuk shkonte me gjoksin tim. Fillimisht nuk doja t’ia pranoja vetes.

Rudina Magjistari: Çfarë vure re që nuk shkonte ?

Enida Bebi: Ishte një modul, ishte një kokërr që prekej goxha dukshëm me dorë. Ia fsheha edhe vetes ditët e para, ndërkohë që vazhdimisht…

Rudina Magjistari: Më herët nuk kishe ndierë asnjë shenjë tjetër, diçka që të dyshoje që mos ta neglizhoje?

Enida Bebi: Jo, isha shumë e re, 34 vjeçe dhe nuk e mendoja që në moshën time mund të shfaqej një gjë e tillë, sinqerisht nuk e mendoja, ishte shumë e papritur.

Rudina Magjistari: Nuk ta merrte mendja, po.

Enida Bebi: Asnjëherë. Me të prekur këtë kokrrën disa ditë nuk ia pranoja vetes, vazhdoja e prekja më dukej herë që dukej, herë që s’dukej por që në fakt ajo ishte aty. Fola me mamin tim atëherë dhe vendosëm që të bënim një eko të gjirit në Elbasan. E bëmë ekon, doktori u shqetësua për momentin, bëmë një mamografi dhe vendosëm me doktorin që mund të ishte një kokërr që mund të shkonte me antibiotikë, mund të kalonte me antibiotikë se mund të ishte një infeksion. Në fakt nuk kaloi me antibiotikë dhe doktori, në Elbasan gjithmonë, mendoi që  është një modul, por që nuk është malinj, është beninj dhe vendosëm që ta mbanim çdo 3 muaj nën kontroll. Pas 9 muajsh,  doktori më thoshte që nuk është rritur, por në fakt unë e ndieja që është rritur.

Në këtë moment, Enida, e shoqëruar nga bashkëshorti, iu drejtua Spitalit  Onkologjik në Tiranë, ku u fut urgjentisht në mamografi. Ajo u diagnostikua me kancer malinj dhe procedurat mjekësore ndryshonin asokohe. Mësuesja u fut menjëherë në operacion, ndërsa më pas iu nënshtrua kimioterapive dhe radioterapive, teksa gjithçka ishte krejt e re për të.

Enida Bebi: Ishte momenti ndoshta më i keq i jetës time sepse duke qenë shumë e re isha krejt e painformuar për këtë sëmundje, nuk kishim raste  të tjera në familje, nuk kisha dëgjuar, nuk arrija që ta pranoja. Pësova një shok shumë të madh emocional dhe psikologjik.

E bija ishte 5 vjeçe kur nëna u diagnostikua me kancer: Nuk pranoja të luftoja, ajo më dha forcën

Pasi u diagnostikua me kancer kur ishte vetëm 34 vjeçe, Enida Bebi, e cila ka ardhur të rrëfejë sot sëmundjen e saj në “Rudina” në Tv Klan, humbi dëshirën për të luftuar. 10 vite më parë, vajzat e saj ishin ende në një moshë të vogël, njëra 10 vjeçe e tjetra 5 e ndërkohë ajo duhej të ishte ende një nënë. Këtë moment, kur ajo ishte e dobët, gjeti forcën për të vazhduar te vajzat e saj, sidomos te e vogla.

Rudina Magjistari: Si ishte për ju ai moment, kur ju ndërkohë mësuat emrin e sëmundjes tuaj, vajzat ishin të vogla, ndërkohë që duhet të bënit mamanë, të kujdeseshit për to sikur asgjë s’kishte ndryshuar. Si e kaluat atë moment?

Enida Bebi: Ai ka qenë momenti, të them, më i keq, por më i fortë i jetës time sepse ishte pikërisht vajza ime e vogël e cila më dha forcën që unë të luftoja. Për një moment unë nuk pranoja as të luftoja, por duke qenë shumë e lidhur e vogla me mua, nuk ishim ndarë asnjë natë. Në momentin që unë duhet të rrija në spital, ajo nuk qetësohej në shtëpi që të flinte pa mua. Ka qenë momenti më i vështirë, por ajo më dha forcën, aty e gjeta forcën, pikërisht te vajza ime e vogël, edhe te e madhja, por ishte më e madhe, më ndihmonte, më kuptonte, e vogla nuk më kuptonte sepse një fëmijë në moshën e saj nuk mund të  kuptojë, vërtet nuk mund të kuptojë. Ajo që forca ime dhe unë thashë okej, nuk e dija si do shkonte se asnjë nuk e di si do shkojë me atë sëmundje, por thashë okej, unë do luftoj.

“Mami u diagnostikua me kancer gjiri 1 vit pas meje”, mësuesja: Nuk ia doli dot, ishte goditja ime e dytë

Historitë që përsëriten nuk janë domosdoshmërisht të lumtura, madje shpesh bëhen më të hidhura  se sa hera  e parë që ndodhin. Në rastin e Enida Bebit, mësueses nga Elbasani, e ftuar në “Rudina” në Tv Klan që rrëfen betejën e saj me kancerin e gjirit, i cili thjesht u shfaq, ndonëse nuk kishin asnjë rast të mëparshëm familjar dhe asokohe ishte vetëm 34 vjeçe.

Një vit pas diagnostikimit të Enidës me kancer gjiri, nëna e saj mori të njëjtën diagnozë si e bija. Ndryshe nga Enida që mundi ta mposhtte sëmundjen dhe sot gëzon shëndet, edhe pse risku është gjithnjë aty, nëna e saj nuk pati të njëjtin rrugëtim dhe humbi jetën.

Enida Bebi: Mami nuk pati fatin tim. Kanceri i mamit ishte agresiv dhe pavarësisht trajtimeve dhe gjithë gjërave që ne u munduam të bënim bashkë me doktorët, mami humbi jetën rreth 3 vjet pas operacionit tim. Luftoi rreth 1 vit e gjysmë me sëmundjen dhe pastaj humbi jetën.

Rudina Magjistari: Shumë e rëndë, më vjen keq për  të, por sidomos për ty sepse duhet të ketë qenë akoma më e vështirë në këtë situatë.

Enida Bebi: Shumë e vështirë. Ajo ishte si të themi, goditja ime e dytë, sepse mami ishte shoqja ime, motra ime si çdo njeri, si çdo vajzë nëna e saj. Humbja e saj ishte gati e papërballueshme për mua. Ishte si të riktheheshin dhe njëherë sepse kalvari që unë kalova me kimioterapinë, me dyer spitalesh etj, m’u desh që t’i kaloja shumë shpejt, pa arritur që të superoja të timen, m’u desh që t’i kaloja përsëri me mamin dhe në fund nuk ia dolëm betejës.

Lot krenarie! Vajza 4 vjeçe e këngëtarit të NRG Band dhuron flokët për fëmijët me kancer

Besnik Qaka dhe vajza e tij 4 vjeçe, Una, në një lidhje Skype këtë të martë në “Rudina” në Tv Klan komentuan së bashku një moment të veçantë. Vajza e këngëtarit të grupit “NRG Band” ka dhuruar flokët e saj të gjatë për fëmijët me kancer. Besniku tregon se si erdhi ky vendim i madh nga vajza e tij në një moshë kaq të vogël.

Besnik Qaka: Në fakt, kjo ka ndodhur rastësisht sepse ne kemi shkuar, zakonisht fëmijët i çojmë në kontroll, kontrollet rutinore që bëjmë te mjeku, i kemi pasur atje. Una pa një rast, një fëmijë pa flokë dhe pyeti “pse babi nuk ka flokë vajza?” Unë i tregova që është e sëmurë dhe ti i ke flokët e gjata, për shembull, mund t’ia japësh flokët dhe ajo tha “unë do ia kisha dhënë flokët vajzës, nëse do”.

Rudina Magjistari: U tregua e gatshme menjëherë Una për t’ia dhuruar flokët.

Besnik Qaka: U tregua e gatshme, ne e kemi pritur një ditë, dy ditë se kjo është fëmijë, është vetëm 4 vjeç e gjysmë dhe për të tretën e katërtën herë përgjigjja ka qenë e njëjtë. “Po, dua t’ia dhuroj flokët fëmijëve që janë të sëmurë me kancer”. Prej andej e çuam te parukieri dhe Una i preu flokët e i ka kështu.

Këngëtari shpreh mbështetjen ndaj vajzës së tij dhe e inkurajon që fëmijët të ndërgjegjësohen për sëmundjet e vështira me të cilat mund të përballen moshatarët e tyre. Ai kujton edhe momentin kur u ndodhën në sallonin estetik për të realizuar kërkesën e vajzës dhe emocionet që provuan prindërit.

Besnik Qaka: Ne, kur ka filluar Una të presë flokët, ne kemi qarë. 

Rudina Magjistari: Je krenar për Unën?

Besnik Qaka: Shumë./tvklan.al