Të ftuar:

Rudina Dumbacaj – Aktore, Moderatore

Kilet e tepërta shpeshherë kthehen në sfidë për shumë prej nesh. Nëpërmjet dietave dhe ushtrimeve fizike ne jemi në luftë të vazhdueshme për të arritur formën perfekte. Një rast suksesi, e cila me vullnet dhe përkushtim arriti të heqë kilet e padëshiruara, është pikërisht aktorja e mirënjohur dhe njëkohësisht moderatore, Rudina Dembacaj. Falë ushtrimeve të vazhdueshme dhe një diete të nisur vite më parë, sot Rudina gëzon një peshë ideale.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan Rudina Dembacaj rrëfeu se si arriti të heqë kilet e tepërta në mënyrë të shëndetshme në një periudhë kohore prej 3 vitesh.

“Unë kam patur një mbipeshë të fuqishme dhe maksimumi i kilogramëve, që kam arritur ka qenë 87 kilogramë. Shtimin në peshë e kam kaluar dy herë, sepse edhe gjatë shtatzënisë kam shtuar 28 kile, që ishin shumë në fakt, por për kilet e adoleshencës mu deshën 3 vjet që të bija në mënyrë të shëndetshme. Kam qenë fëmijë topolak, por jo e shëndoshë. Në vit të parë në gjimnaz, kur zbuluam sufllaqet fillova dhe u shëndosha shumë. Në atë periudhë unë e ekzagjeroja në çdo gjë. Mamaja ime e kishte zakon të më thoshte po haje dhe këtë se dy lugë janë dhe kur u shëndosha më thoshte ti ha, por je bërë sa një lopë.

Por unë nuk e përjetoja keq këtë gjë. Unë pata fatin të ndihesha mirë me gjithë peshën time, më dukej vetja alamet seksi, nxirrja edhe barkun jashtë. Maksimumi që vuaja ishte që shoqet e mia lëviznin pak më lirshëm dhe unë përtoja pak. Kisha energji si njeri, por e kisha të vështirë të lëvizja. Nuk e kam ndjerë bulizmin sepse bëja ironi me peshën time. Më shkonin batutat dhe bisedat. Edhe pse kanë kaluar vite që unë jam dobësuar, thellë jam ende ajo vajza e shëndoshë. Nuk më shkon më autoironia si më përpara. Mbipesha më ka zgjatur nga viti i parë deri në vitin e katërt gjimnaz.

Vendimi për t’u dobësuar nuk ishte aq poetik sa mund të mendohet. Nga mbipesha mua filluan të më dhimbnin këmbët nga këpucët e sheshta. Mjeku ortoped më tha që gjithë verën do rrija me atlete, sepse do përdorja një shollë këpuce specifike. Nuk mund ta imagjinoja që gjithë verën ta kaloja me atjete dhe vendosa të dobësohesha. Nuk ndoqa ndonjë dietë specifike, por tre muajt e parë rashë shumë. Hoqa çdo gjë që më dukej e tepërt dhe për tre muaj rashë 6 kile. Pjesën tjetër të kileve e humba gjatë tre viteve dhe arrita në 54 kile, aq sa jam edhe sot. Unë nuk jam ndonjë tip sportiv, siç e thash përtoja të lëvizja, por pasi fillon javën e parë dhe javën e dytë stërvitja të bëhet e domosdoshme”, tha Rudina Dembacaj.

Jonida Aliçkolli – Gazetare

Jonida Aliçkolli është një gazetare e suksesshme, të cilën e kemi parë shpesh në ekran. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan për të treguar historinë e saj të dashurisë me Andin dhe mëmësinë me dy vajzat e saj Mia dhe Tiara.

Gjatë emisionit, Aliçkolli tregoi se historia e saj e dashurisë nisi në vitin 2012 dhe se dasmën e kanë bërë kur vajza e tyre Mia ishte 1 vjeç.

“Ne njiheshim që në vitin 2002 nga miq të përbashkët, gjithmonë jemi përshëndetur derisa në 2012 kuptuam që njohja jonë duhej të shkonte më tej. Ishte ai që këmbënguli dhe më ftoi për të dalë, ka qenë një periudhë shumë e këndshme sepse shiheshim kudo nëpër Tiranë. Një ditë të bukur më ftoi për të dalë dhe që nga ajo ditë nuk u ndamë më. Filluam të frekuentoheshim çdo ditë dhe kuptuam që nuk rrinim dot larg njëri-tjetrit dhe 10 muaj pas lidhjes nisëm bashkëjetesën. Më propozoi fillimisht, patëm një propozim klasik. Unë kisha ditëlindjen dhe ai më ftoi të hanim një darkë të dy dhe më pas do të takonim miqtë tanë. Në momentin që porositëm ai nxjerr unazën dhe më tha: Dëshiron të kalosh pjesën tjetër të jetës me mua? Dy muaj më vonë unë mbeta shtatzënë. Në 2014-n erdhi në jetë Mia, vajza e parë. Dasmën vendosëm ta bënim në ditën e lindjes së Mias. Kemi bërë një dasmë të këndshme, ishte më tepër një festë në fakt, në breg të detit. Nuk donim të bënim një dasmë tradicionale sepse as mua dhe as bashkëshortit nuk na pëlqente. Ishte Mia ajo që na solli unazat në altar. Por tani kemi hallin e vajzës së vogël që do të na thotë pse nuk kam qenë në dasmë. Dy vite pas dasmës erdhi në jetë vajza tjetër. Është ndjesi shumë e bukur, fillon gjithçka nga e para”, tha Aliçkolli.

Entela Shkodrani – Dermatologe