RUDINA – EMISIONI 23 PRILL 2019! – TV KLAN

RUDINA – EMISIONI 23 PRILL 2019!

Emision: 23.04.2019

Fleura Shkëmbi – Psikologe dhe pedagoge
Meri Shehu – Astrologia jonë
Olsa Muhameti – Gazetare dhe autore programesh
Genti Minga – Gazetar

I lashtë sa vetë njerëzimi, antropologët kanë konfirmuar se në çdo epokë dhe në çdo kulturë vërehen shenja të riteve që bëhen për të afruar fatin e mirë. Termi supersticion ose besëtytni përdoret për një besim subjektiv dhe të mbinatyrshëm që mund të ndikojë në jetën e atyre që e besojnë. Mund të konsiderohet si një dëshirë instiktive që i bën njerëzit të besojnë se fati apo tersi mund të kontrollohen nëpërmjet ritualeve deri diku naive apo influencës së objekteve të veçanta.

Psikologjia e shpjegon si një nevojë të njeriut për të besuar se ngjarjet janë të kushtëzuara nga diçka e jashtme që i lidh oguret e mira apo të këqija me astrologjinë, profecitë apo magjinë. Në kultura të ndryshme ekzistojnë supersticione të ndryshme. Përgjithësisht individët ndikohen nga besëtytnitë e traditave popullore të vendit të tij dhe nga njerëzit me të cilët jeton. Përveç kësaj ndoshta ndikon edhe fakti se ne jetojmë në një botë ku jo gjithmonë jemi në gjendje për të kontrolluar çdo gjë dhe për këtë arsye besëtytnitë bëhen një lloj mekanizmi për kontrollin dhe reduktimin e ankthit. Një aspekt tjetër interesant i besimeve popullore është se natyra e tyre në dukje është arbitrare, kjo për faktin se ky lloj besimi është subjektiv.

Për të diskutuar pikërisht për supersticionin, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan psikologia Fleura Shkëmbi, astrologia Meri Shehu dhe gazetarët Olsa Muhameti dhe Genti Minga.

“Sa më i lartë të jetë niveli i ankthit tek njerëzit, aq më shumë do rritet niveli i supersticionit. Në kohë luftërash apo në kohë trazirash, njerëzit besojnë akoma më shumë, duket sikur ne parandalojmë duke bërë një gjë. Të varemi dhe të presim gjithçka nga dikush tjetër do të thotë që nuk ke më forcën që ka qenia njerëzore. Zoti ka krijuar qenien më të fuqishme në këtë dimension, atëherë gjeje brenda vetes”, tha Shkëmbi.

“Onasi ka qenë më i pasuri i Greqisë në kohën e vet, i cili presupozohej t’i kishte të gjitha. Ai të premten e datës 13 nuk e merrte kurrë avionin. Dhe familja e tij bënte të njëjtën gjë. Unë kam një palë këpucë të cilat sa herë i vesh më ndodh të marr lajme shumë të mira, të bëj udhëtime, apo takime të rëndësishme”, tha Shehu.

“Mendoj se arsyeja se përse njerëzit janë supersticiozë lidhet me kuriozitetin dhe të panjohurën. Ne priremi të gjejmë arsye për gjithçka që ndodh në jetë. Pavarësisht se shkenca dhe feja nuk i pranon, ka diçka të vërtetë këtu brenda, ndoshta është edhe energjia”, tha Muhameti.

“Ndryshe nga Olsa, unë mendoj se supersticioni nuk vjen nga kurioziteti, por nga dobësia dhe ndjeshmëria. Nga personat që njoh unë gratë janë ato që kanë më shumë besëtytni. Ime më nuk më linte të rruhesha pasi kishte rënë errësira, ndërkohë që babai nuk do ma bënte kurrë këtë gjë, tha Minga.

Aulona Minga – Gazetare

Aulona Minga është padyshim një nga personazhet e njohur në median shqiptare. Edhe pse studimet e larta i ka ndjekur për ‘Gjuhën ruse’, angazhimi i saj profesional ka qenë gjithmonë i lidhur me radion dhe televizionin, që në fillimet e saj. Radioja ka qenë dashuria e saj e parë, siç e konsideron dhe vetë Aulona. Prej 20 vitesh ajo ka qenë një nga figurat identifikuese të Televizionit Shqiptar prej të cilit do të shkëputej vetëm pak kohë më parë për të nisur një projekt të ri.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku foli për eksperiencën e saj 20-vjeçare në ekran.

“Unë kam provuar të bëj edhe ato reportazhet e vegjël, minidokumentarë dhe më pas duke filluar me emisione dhe programe. Ajo që më pëlqen në fakt dhe që e bëj me shumë dashuri është të intervistoj sepse më pëlqen të dëgjoj me vëmendje ndoshta gjëra ku të tjerët nuk kanë dëgjuar. Nëse interviston dikë që ka dalë shpesh nëpër intervista nëse e dëgjon me vëmendje dhe i dedikohesh, do të gjesh diçka që ai nuk e ka thënë. Largimi nga RTSH erdhi në mënyrë të natyrshme, nuk ishte diçka që e kisha planifikuar. Ishte një ofertë që m’u bë, e mendova gjatë sepse kisha 20 vjet në RTSH. Ishte surprizë edhe për shumë miq të mi. Por mund të them që ka qenë një nga vendimet më të mira profesionale që kam bërë”, tregoi Minga.

E pyetur nëse kujton ndonjë moment të vështirë gjatë intervistave të saj, gazetarja u përgjigj duke thënë se njerëzit e ekranit jo gjithnjë janë interesantë. Siç tregon ajo, nganjëherë janë kapriçozë dhe nuk jepen lehtë.

“Ajo që kam kuptuar unë është që jo detyrimisht njerëzit që merren me televizion, art, njerëzit e ekranit jo detyrimisht janë interesantë. Nganjëherë janë edhe më kapriçozë, është e vështirë dhe nuk jepen lehtë edhe pse mendohet që mund të jetë kështu. Kam vënë re që ata që janë pak më të heshtur, më të tërhequr apo që bëjnë profesionin e tyre pa ndonjë bujë të madhe kanë shumë për të treguar. Mua më ka pëlqyer gjithnjë të zbuloj këta njerëz”, shtoi gazetarja.

Kategori
Rudina
0 Komente

Përgjigju

*

*