Të ftuar:

Edmond Tupja – Profesor/Publicist

Erjona Rusi – Gazetare

Driada Dervishi – Regjisore

Flavio Qarri – Gazetar/ Moderator

Liesa Haxhiasllani – Moderatore

Jo rrallë ndodh të shohim dhe dëgjojmë gjithnjë e më shpesh përdorimin e fjalës “femër”. Në televizione dhe median e shkruar vërehet përdorimi masiv i termit femër. Por duke iu referuar fjalorit të “Oksfordit”, fjala “femër” përcjell një kuptim biologjik, që kufizohet me përkatësinë gjinore të një qenie, ndryshe nga fjala “grua” që bën dallimin mbi përkatësinë shoqërore.

Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala “grua” përdoret për të definuar një person të gjinisë femërore, që është në moshë madhore, që është e ve, ka fëmijë ose që është martuar. Ndërkohë fjala “femër” përdoret vetëm për të emërtuar gjininë dhe nuk ka vlera sociale, por pavarësisht kësaj, shqiptarët e shohin këtë term si gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, pa dallim moshe, prandaj edhe është më i përdoruri.

Por për të folur për këtë temë ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan profesor Edmond Tupja, gazetarja Erjona Rusi, regjisorja Driada Dervishi, gazetari Flavio Qarri dhe moderatorja Liesa Haxhiasllani.

“Përdorimi i fjalës femër kam përshtypjen që ka të bëjë edhe me kulturën tonë patriarkale. Fjala femër ka të bëjë me pjesën biologjike dhe seksuale, pjellore. Të jesh grua është qenie social-kulturore, bëhesh dhe është shumë e rëndësishme kjo pjesë. Kam përshtypjen se na ka “gënjyer” ideja që fjala femër i përfshin edhe gratë edhe vajzat, prandaj edhe merr përdorim të gjerë”, tha Rusi.

“Personalisht, nuk do doja të më quanin femër. Duke lexuar dhe duke kërkuar, fjala femër ka ndikuar në opinionin tim. Mendoj se duhet përkufizuar kjo gjë duke qenë se ka problematika”, u shpreh Haxhiasllani.

“Unë mendoj se është një temë komplekse dhe kjo nuk ka të bëjë me një lloj denigrimi me të cilin shikohet tashmë fjala femër. Duhet parë ndoshta edhe më gjerë për të mos çuar gjithçka në një lloj inferiorizimi të kësaj fjale. Shpesh rrëmbehemi nga debate, por nuk mendoj që duhet të kalojmë menjëherë në standardizime”, tha Dervishi.

“Ka një problem shumë më pak me termin femër ose grua se sa me fjalët që përdoren rëndom. Fjala femër ka një përdorim në gojën e meshkujve, kur meshkujt janë mashkullistë, sidomos djemtë e ri, kur shohin një vajzë thonë: “alamet femre”, “derr femre”. Këtu fillon gjithçka sepse jo vetëm në vetëdije, por edhe në nënvetëdijen e meshkujve është erotizmi. Ndërsa me fjalën grua nuk përdoret termi “derr gruaje”, por “zonjë grua”, pra shkëputet nga nënteksti erotik dhe shkon në kontekstin social. Mendoj se ne nuk e kemi bërë tonën edukatën që t’i thuash një vajze beqare zonjushë dhe një zonje në njëfarë moshe edhe pse mund të jetë e pamartuar, zonjë”, tha Tupja.

“Një nga arsyet se përse unë jam pro termit femër është sepse ofron barazi absolute femërore. Në momentin që hyn në ndarje subklasore, grua, vajzë, çike e ku di unë se çfarë absolutisht jemi ne që kemi krijuar korniza. Mendoj se termi femër na shmang nga konotacioni politik, seksual, social, e pastron terrenin dhe ke mundësi të njohësh individin. Përdorimi i termit femër nuk bëhet për të përjashtuar nga shtresat sociale”, shtoi Qarri.

Nensi Kola – Makeup artist