Të ftuar:

Enada Hoxha – Balerine

Ajo ka qenë gjithmonë një figurë e spikatur e baletit në Shqipëri. Një prima balerinë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe të Baletit, por dhe një koreografe e cila ka ngjitur në skenë shfaqje të arrira, jeta e saj është e lidhur me profesionin e saj. Bëhet fjalë për Enada Hoxhën, e cila në këto 25 vite karrierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit si balerinë e parë, por edhe si koreografe.

Ajo i ka dhuruar publikut emocione të papërsëritshme dhe sot ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv për të folur për një tur interesant që do të organizojë në Shqipëri, së bashku me partnerin e saj të jetës, por edhe skenës, Gerd Vaso.

“Argentina folk and tango”, është një event që do të sjellë muzikën, kërcimin, karakterin, sensualitetin dhe energjinë që përcjell folku dhe tangoja argjentinase, së bashku me një grup artistësh latinë. “Argentina folk and tango” do të mbahet në Shqipëri gjatë muajit Qershor dhe është i pari i këtij formati që vjen në vendin tonë. 10 balerinë argjentinas do të vijnë nga qyteti i Comodoro Rivadias, vend ky që shquhet për tangon. Artistët janë sjellë në Shqipëri nga Enada dhe Gerd Vaso, të cilët gjithashtu do të performojnë bashkë me grupin latin.

“Ka qenë një nga ëndrrat e mia të sjell Argjentinën në Tiranë. Ka qenë një nga vendet që më ka inspiruar që kur isha e vogël, ndoshta për shkak se më ka tërhequr gjithmonë tango. Ime më ka folur rreth Argjentinës, vendit ku kërceheshin tangot, si kërceheshin tangot dhe të gjitha këto më kanë bërë mua të ëndërroj. Jo pa shkak në moshë shumë të hershme është bërë një konkurs me balet dhe çmimi që kam fituar ka qenë me tango dhe kjo gjë u rrit brenda meje. Mendoj që me udhëtimin që unë bëra në muajin Gusht, i cili ka qenë një nga më të bukurit e jetës time, unë realizova ëndrrën time. Preka nga afër çdo të thotë tango apo të bësh leksione tango dhe të kuptosh tangon e vërtetë. Jeta e tyre është vetëm të kërcyerit tango dhe folk. Social tango ato quanin që nga momenti që kapesh me partnerin tënd, me të cilin duhet të jesh faqe më faqe, trup më trup, janë disa kode që vetëm ata i dinë.

Në tango vajza ndjek partnerin dhe çdo lëvizje e dorës së tij tregon hapin e vajzës. Unë pata mundësi ta prek nga afër dhe të punoj me mjeshtëra atje. Kam kaluar një eksperiencë të jashtëzakonshme. Atje janë shumë të përhapura milonjat, vende ku kërcehet vetëm tango. Në fillim tango është kërcyer nga dy meshkuj dhe më pas kur u vendos të kërcehej me një femër u duk tabu. Unë shpresoj që do të vijë mjeshtri natën e fundit dhe ndoshta mund të bëj diçka me të. Kam vendosur të luaj sambën e tyre, por që nuk ka lidhje me atë që njohim ne, është shumë romantike dhe që do ta kërcej me grupin argjentinas. Do të fillojë në Korçë për karnavale, më pas vazhdojmë në Tiranë, Apoloni të Fierit, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe e mbyllim në Drimadhë. Do të jetë një tur i bukur sepse dua t’iu tregoj atyre edhe Shqipërinë.

Në fund të spektaklit unë kam menduar që të ftoj ata që dëshirojnë që të ngjiten në skenë dhe të kërcejnë. Unë me Gertin përveç dy tangove, do të kërcejmë një këngë shumë të hershme argjentinase, për t’iu dhënë edhe atyre një kënaqësi. Ata do të vijnë më datë 5 Qershor dhe me 6-të nis turi me Korçën dhe në gjithë qytetet që përmenda”, tha Enada Hoxha.

Merland Kademi – Këngëtar

Benereta Kademi – Sipërmarrëse

Ai është një këngëtar që ka spikatur në skenën e muzikës live me zërin e tij. Një këngëtar i talentuar, i cili pas 20 viteve karrierë ka sjellë për publikun këngën e tij të parë, “Edhe pak lule”. Bëhet fjalë për Merland Kademin, i cili ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur jo vetëm për këngën, por edhe për të treguar historinë e tij të dashurisë me Benereta Kademin.

Ata janë të martuar që prej vitit 2005 dhe kanë një djalë. Gjatë emisionit, ata treguan se dashuria e tyre ka lindur natyrshëm pasi përpara se të lidheshin kanë qenë shokë.

“Ne kemi qenë 5 vite shokë, para se Landi të fillonte të kishte ndjenja për mua. Por ka qenë interesante sepse unë doja që t’i prezantoja shoqen time Landit. Ne jemi të prirur të mendojmë që duhet të kemi në krah një njeri me natyrë të njëjtë me tonën, ndërkohë që duhet një barazpeshim mes dy karaktereve. Një vit pas martese në jetën tonë erdhi djali dhe ishte i paplanifikuar, por ardhjen e tij e kam quajtur sfidën më të bukur. Fëmija është sfidë, por edhe më e bukura që mund të na dhurojë Zoti. Ne kemi mësuar bashkë ta rrisim Danielin”, tregoi Benereta Kademi.

“Kur u diskutua historia që do më prezantonte me shoqen e saj, unë nuk pata ndonjë reagim apo një tërheqje. Ne ishim shokë dhe mua më erdhi natyrshëm që asaj vajzës tjetër t’i thosha që nëse do mendoja për një vajzë, ajo do të ishte Benereta. Ajo u step dhe më vonë unë mora vesh këto “filmat” që ishin planifikuar. Unë kam qenë i rezervuar dhe prisja kohën më të përshtatshme për të dy ne, por kështu ndodhi. Tani jemi prej 14 vitesh bashkë dhe kemi një djalë që quhet Daniel. Ne kemi bërë një ceremoni në kishë, sepse edhe shoqëria jonë ka lindur në kishë. Jemi njohur në një bashkësi protestante dhe kishte më shumë sens për ne ta trajtonim ceremoninë në këtë mënyrë. Kemi bërë edhe një dasmë të vogël për të ruajtur traditën tonë. Bena, në kuptimin e plotë të fjalës, është gjysma ime më e mirë dhe përpos kësaj më ka mësuar shumë për prindërimin me djalin tonë. Bena është shumë më e kujdesshme dhe ka qenë një ndihmë e patjetërsueshme për mua”, shtoi Merland Kademi.