Arinda Gjoni – Këngëtare

Ajo është një këngëtare e talentuar dhe ndër më të mirat e muzikës live. Bëhet fjalë për Arinda Gjonin, e cila së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re me titull “Kam pi”.

Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth projektit të saj të ri, ku shfaqet pa shumë grim, me flokët e çrregullta dhe mjaft sensuale.

“Ka vetëm 3 ditë që ka dalë klipi dhe nuk e prisja të ishte kaq “zjarr”. Jam shumë e kënaqur, më dërgojnë video të ndryshme. Teksti është shkruar nga Endrit Mumajesi, është tekst shumë i mirë. Bëhet fjalë për ndarje. Kënga është ritmike, por ka edhe emocion. Mendova ta ndaj klipin në dy pjesë, në pjesën e parë mendova të jem vendimmarrëse sepse bëhet fjalë për ndarje dhe në pjesën e dytë ku unë dal nga rutina që më kishte kapur pas ndarjes dhe pi e festoj. Mendova të jem natyrale në klip, nuk më pëlqen të grimohem tepër. Për veshjen jam kujdesur vetë”, tha këngëtarja.

Dr.Lida Hoxha – Specialiste në Mjeksinë Estetike dhe Korrektive/Administratore Poliklinika “Dermo Life”

Zhvillimet në mjekësi, teknologjia e avancuar dhe mjekët e specializuar kanë bërë që edhe në Shqipëri të realizohen ndërhyrje të të gjitha llojeve. Për tu ndjerë më të bukur, por dhe më mirë me veten shumë njerëz zgjedhin operacionet plastike. Sipas specialistes në Mjeksinë Estetike dhe Korrektive, Lida Hoxha, operacioni më i kërkuar në vendin tonë vijon të mbetet ai në hundë, duke u pasuar nga ndërhyrjet në gjoks dhe në bark. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Hoxha, tha se sot në Shqipëri realizohen të gjitha ndërhyrjet që realizohen edhe në Europë.

“Sot në Shqipëri mund të themi se realizohen të gjitha ndërhyrjet që realizohen edhe në Europë. Kërkesa në Shqipëri janë bërë gjithnjë edhe më specifike, njerëzit janë më të informuar. Operacioni që kërkohet më shumë në Shqipëri është ndërhyrja në hundë. Vazhdon të mbetet më i kërkuari ky operacion. Më pas vjen gjoksi dhe ndërhyrja në bark. Këto nuk vijnë rastësisht sepse janë femra që pasi kanë lindur kanë nevojë të bëjnë një rikonstruksion. Një tjetër ndërhyrje shumë e kërkuar është edhe heqja e dhjamit në zona të caktuara”, tha Hoxha.

Luçiana Gjuraj – Gjimnaziste në shkollën Gjuhët e Huaja“Asim Vokshi”

Ajo është vetëm 17 vjeç dhe ka arritur të triumfojë në ringjet e Ballkanit dhe Evropës, në një sport mjaft të veçantë.

Luçiana Gjuraj, është gjimnaziste në shkollën e Gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi”. Prej më shumë se dy vitesh ajo ndjek pasionin e saj tejet të veçantë, sidomos për gjininë femërore, ndeshje në kafaz ose ndryshe “Mix Martial Arts”.

Ky është një sport luftarak me kontakt të plotë, që lejon goditjen dhe luftimin duke përdorur teknika nga sportet e ndryshme luftarake. Gjimnazistja Luçiana Gjuraj ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku tregoi se është shpallur tre herë kampione, dy herë në Kampionatin Ballkanik dhe së fundmi në Kampionatin Evropian, ku ka arritur të marrë medaljen e artë.

“Mendoj se nuk është edhe aq e vështirë të merresh me këtë sport pasi ana psikologjike është ajo që e drejton personin. Forca qëndron në mendje. Është një sport mashkullor, por me delikatesën e një femre edhe mund të thyhet. Këtë sport unë e kam nisur për të mbajtur trupin në formë dhe për të çliruar energjitë negative. Kur godet thesin e boksit çlirohesh. Kam marrë pjesë në disa kompeticione ballkanike dhe evropiane, por duke qenë se femrat në këtë sport janë të pakta nuk kam pasur konkurrente shumë shumë të forta”, tregoi Luçiana Gjuraj.