Tregu i imobiliareve në Shqipëri/ A është momenti i duhur për të blerë një shtëpi?

Agjenti imobiliar: Shtëpive në Tiranë do u bjerë vlera nga mbiprodhimi, do rriten taksat

Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi, i ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, u shpreh se vlera e shtëpive do bjerë nga mbiprodhimi.

Ai tregoi se në Tiranë ka 52 mijë shtëpi bosh dhe ndërkohë janë duke u ndërtuar 10 mijë të tjera. Kjo sipas tij, do të sjellë edhe një rritje taksash nga qeveria.

Armand Shkëmbi: Në Tiranë, para 1 muaji, u publikuar lajmi që në Tiranë ne kemi 52 mijë shtëpi bosh. Pra një pjesë e mirë e shtëpive të Tiranës janë bërë si shtëpi plazhi. Po të shikoni komplekset natën, janë diku tek 50 për qind e dritave ndezur, nga ora 9 apo 10 e darkës, gjysma tjetër janë fikur. Pra, ne kemi një produkt të mbiprodhuar në Tiranë. Janë 52 mijë shtëpi bosh, por ndërtohen dhe 10 mijë të tjera tani. Këto shtëpi në pjesën më të madhe janë shtëpi emigrantësh. Pra emigrantët shqiptarë blejnë për arsye emocionale. Për një produkt nuk mund të prodhojmë pambarimisht, se kur ti prodhon shumë i bie vlera. Floriri është i shtrenjtë sepse është pak, po të prodhohet shumë, dhe floriri nuk është më i shtrenjtë. Çfarë do ndodhë është që qeveria, bashkia, gradualisht do rrisin taksat. E kanë filluar me rritjen e taksës së pronës së dytë, tretë; taksa e bashkisë do fillojë të rritet. Dhe një pjesë e këtyre pronave, pronarët do t’i kenë me peshë fiskale, sepse nuk kanë peshë fiskale. Do fillojnë t’i hedhin në treg për qira dhe për shitje.

Rudina Magjistari: Sepse do i dalë pastaj një pronë që kërkon financim të vazhdueshëm.

Armand Shkëmbi: Pra ti do shpenzosh, e kanë me kosto zero për momentin. Gradualisht ekonomia jonë po taksohet nga të gjitha anët sepse në Komunitetin Evropian ekonomitë janë të taksuara dhe gradualisht këto prona do dalin në treg. Se kur unë nuk e di, por në atë moment ne do të shikojmë të vërtetën në sy, që ne kemi mbiprodhuar apartamente në tiranë. Nuk kemi aq popull, nuk kemi aq kërkesë. 

Gjin Gjoka: Mos i mbani paratë në bankë, investoni në pasuri të paluajtshme

Themelues i biznesit të diasporës në Shqipëri, Gjin Gjoka, ka qenë i ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, i cili ka bërë një thirrje të rëndësishme për shqiptarët. Sipas tij, qytetarët nuk duhet t’i mbajnë paratë në bankë, por t’i investojnë në pasuri të paluajtshme. Mira Pogaçi, pjesë e studios, gjithashtu shtoi se sado të jetë interesi në llogaritë e kursimit, ne do të jemi gjithmonë me humbje.

Gjin Gjoka: Dua të theksoj diçka. Së pari, do të ndalem te kolegu në lidhje me paratë që fusin në bankë. U bëj thirrje shqiptarëve të gjithëve, asnjëherë mos fusni para në bankë, vetëm investoni në pasuri të patundshme. Po u them, çdo biznes i qëndrueshëm, është tek pasuria e patundshme. Asnjëherë paratë në bankë! Në qoftë se sot keni futur 100 mijë euro në bankë dhe banka do ju japë 6 mijë euro, ju premtoj se vitin e kaluar janë minus 10 mijë euro dhe të ka dhënë 6 mijë.

Mira Pogaçi: Paratë në llogari kursimi, sado të jetë interesi, nuk e mund asnjëherë inflacionin. Pra jeni gjithmonë me humbje, se paratë flenë në bankë. Ndaj Real Estate është ai që e lufton i pari inflacionin, por janë dhe llogaritë e investimeve. 

Sa e lehtë është për çiftet e reja të blejnë një shtëpi sot?

Disa këshilla nga Mira Pogaçi: Çfarë duhet të bëjnë çiftet e reja për të blerë një shtëpi

Tregu i pasurive të patundshme në Shqipëri! Kjo është tema që të ftuarit kanë diskutuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Në studio ndodhej edhe analistja e ekonomisë, Mira Pogaçi, e cila ka dhënë disa këshilla të mira për çiftet e reja ose personat me të ardhura të kufizuara që po planifikojnë të blejnë një shtëpi.

Mira Pogaçi: Mund të jap disa këshilla të shpejta? Atëherë, për çiftet e reja apo për personat që sot ende nuk kanë një shtëpi, por kanë të ardhura të kufizuara; e para, sa më parë që të fillojnë investimet aq më mirë është sepse nëse i drejtohen kredisë bankare, automatikisht kreditë fillojnë me afat 20 vjeçar deri në 25 vjeçar. Kështu që mosha luan një faktor për aprovimin e kredisë.

Kur të bëjnë llogaritë e tyre, ka banka që ofrojnë edhe 20 për qind paradhënie, pra një vlerë më të ulët, sepse e dimë që është pak mangësi për shumicën e njerëzve që të kenë 20, 25 apo 30 për qind të pronës. Duhet të kenë në vëmendje që të bëjnë llogaritë, që kësti mujor që ju del dhe e gjeni në shumë faqe online të bankave; mund të bëni një përllogaritje vetë të këstit për 20 vite, 240 muaj, kësti të jetë i barasvlershëm me qiranë e zonës. Pra, flas për njerëz që i kanë situata më të, po themi të varen nga puna, dhe natyrisht, tregu i punës tek ne është shumë volatil (i paqëndrueshëm), sot mund të jem në punë, nesër jo. Duhet që ta bëjnë “back-up” vlerën e pronës, qiranë mujore me këstin e kredisë.

Pra duhet t’i ndajmë, ata që shkojnë për të jetuar vetë dhe në këtë rast, mirë do të ishte që pronat të ishin të përfunduara, ta gëzonin menjëherë pronën e jo të paguanin qira diku dhe të prisnin ndërtimin, le të themi.

Mund të shohin dhe pallatet e vjetra pa diskutim, sepse është një treg që është edhe ai, ekziston. Dhe diçka tjetër, që unë besoj se i mungon tregut këtu tek ne, është fraksionizmi i pronës. Pra mund të shohin, sepse ka apartamente që janë më të mëdha 3+1 dhe mund të konsiderojnë… po flasim për çiftet që duan një apartament të parë, që mund të shkojë 1+1, janë pa fëmijë, mund të konsiderojnë edhe blerjen e një prone të madhe ndërmjet familjarëve dhe pastaj ta copëtojnë, të bëjnë dy apartamente. /tvklan.al

Xhelatina e kockave, ilaçi natyral që mund ta përgatisni edhe vetë në shtëpi