Të ftuar:

Brixhida Muça

Muenis Masha është një djalë 15-vjeçar, por jeta e tij ndryshon nga ajo e moshatarëve të tjerë. Fëmijëria e tij ka qenë mjaft e vështirë. Edhe pse vitet kalojnë, jeta e tij vazhdon ende sot e mbushur me sfida të vazhdueshme për të dhe familjarët e tij. I prekur nga autizmi, çrregullim të cilin prindërit e tij e zbuluan kur ai ishte vetëm 2 vjeç, do t’i përballte ata me një problematikë të vazhdueshme.

Nuk mjaftoi me kaq, por në vitin 2010, familja e tij zbuloi se Muenisi ishte prekur nga një sëmundje e rëndë siç është ajo e tumorit në tru. Diagnostikimi i kësaj sëmundje të vështirë ishte një goditje e rëndë për prindërit e Muenisit. Nëna e tij, Brixhida Muça, me përkrahjen e familjes së saj, nuk është ndarë asnjë moment prej djalit të saj.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi sfidat e përditshme me djalin e saj dhe se ka ndërmarrë një sfilatë për të dytin vit , të ardhurat e së colës shkojnë për bamirësi në pavionin Onkologjik të Spitalit “Nënë Tereza”.

“Shenja e parë që u shfaq tek ai ishte ajo e problemeve të dëgjimit. Ai nuk reagonte ndaj zhurmave apo kur e thërrisnim. Aty kuptuam se diçka nuk shkonte dhe e kontrolluam për dëgjimin. Nuk na shkonte mendja për autizëm pasi ai kishte filluar të belbëzonte, ishte shumë i qeshur dhe nuk kishte simptomat tipike të autizmit.

Shkuam në Egjipt dhe atje konstatuam se kishte dëmtim të rëndë të dëgjimit. Në moshën 2-vjeçare u konstatua se ishte me autizëm. Filloi të bëhej agresiv nga i qetë që ishte, më dhunonte. Nuk dija ç’ishte autizmi në atë kohë. U desh shumë kohë që të arrinim një komunikim me të nëpërmjet vizatimit. Ishte një dhimbje e madhe, por forca e besimit më bëri të vazhdoj përpara.

Në moshën 5-vjeçare ai filloi të sillej ndryshe, u dobësua shumë dhe televizorin nisi ta shihte duke qëndruar në profil. E çuam menjëherë në spital dhe zbuluam se ishte me kancer. Nuk e besoja, shkuam në disa mjekë. Ishte një tronditje e madhe. Ishte dhimbje mbi dhimbje, por gjetëm forca për të ecur përpara, për të vazhduar jetën dhe nuk do dorëzohem për djalin tim derisa të kem frymë. Kur ai fle gjumë, ne jetojmë me momentin nëse është apo jo me ne.

Nuk është se nuk derdha lot, por për mua janë forcë lotët. Unë e kam pranuar që një ditë nuk do ta kem, por i kam vënë detyrë vetes se do të jetoj me të, jo duke menduar që nuk do ta kem. Kur e mendoj kështu marr forcë edhe më tepër”, tregoi Brixhida Muça.

Dritan Boriçi – Aktor

Ai është një aktor i njohur dhe i dashur për publikun. Është pikërisht Dritan Boriçi, i cili ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Prej 25-vitesh ai është aktor i teatrit dhe filmit dhe dashuria e tij për këtë profesion ka nisur që në moshë të hershme. Gjatë emisionit ai foli edhe për familjen e tij dhe lidhjen me fëmijët, Deonën dhe Johanin.

“Galeria Kombëtare është vendi ku unë dhe Elda jemi njohur. Ka qenë një pemë shumë e madhe këtu, por nuk është më, është reja. Vajza, Deona tashmë është një zonjushë e vogël, në klasë të katërt. Dëshira ime për fëmijët është që të kenë shëndet të mirë, ta zgjedhin vetë profesionin që të mos jetë stres në jetën e tyre. Djali im Johani ende nuk më ka parë në shfaqje. Shpresoj që kur të rritet të më shikojë”, tha Boriçi.

Aktualisht ai luan në shfaqjen e regjisorit Spiro Dunit, “Gusht: Portret familjar”, që është drama e një familje, e cila zbulon gjithçka që ne kemi në familjet tona.

“Është një jetë e tërë në teatër, madje edhe lojërat e fëmijërisë mua më duket sikur i kam luajtur në teatër. Kam nisur që në klasën e parë fillore dhe të gjithë aktorët e teatrit Bylis kanë kontribuar në formimin tim. Prindërit e mi kanë ndikuar shumë tek unë sepse ishin frekuentues të rregullt të teatrit dhe kinemasë. Më kanë futur në një botë kulturore të jashtëzakonshme dhe unë iu jam mirënjohës. Është e vështirë të jesh aktor profesionist, por është kënaqësia më e madhe. Asnjë shfaqje nuk i ngjan tjetrës, e ka këtë magji ky profesion. Teatri ashtu si piktura apo letërsia, vërtetë janë minoranca kulturore, por janë ushqim i domosdoshëm bio që i bën mirë shoqërisë. Nëse ne i edukojmë fëmijët tanë të shkojnë në teatër, në bibliotekë apo në galeri, jam i bindur që do të kemi shumë më pak burgje, shumë më pak dhunë dhe konflikte. Ne më shumë se sa një vonesë ekonomike, kemi një vonesë kulturore dhe ky do të ishte misioni i teatrit dhe prandaj duhet mbështetur”, tha aktori.

Flora Xhemani Baba