#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen.

Në studio: Rezear Xhaxhiu, Laura Xhaxhiu, Salion Preçeta

Rezear dhe Laura Xhaxhiu: Udhëtimi ekzotik në Kinë! Provuam mishin e gjarpërinjve

Në pjesën e parë të programit për ditën e sotme do të kemi në fakt një çift tepër simpatik, të cilët janë miq të programit tonë. Herë pas here i ftojmë për tema të ndryshme, por gjithashtu edhe për të na treguar më tepër rreth familjes së tyre. Këtë herë do t’i kemi në studio për të folur për një udhëtim të veçantë që kanë bërë të dy si çift.

Kohët e fundit, udhëtimet e tyre janë shpeshtuar mjaft duke shënuar plot 30 shtete të botës vizituara deri më tani. Kanë më shumë se 36 vite të martuar. Ai gazetar i njohur, ish-diplomat, ajo një instruktore e “FaceYoga” sot do të na tregojnë për eksperiencën e tyrë në Kinë, udhëtim i realizuar gjatë kësaj vere.

“S’dinin anglisht, mungonte Google, lypësit të jepnin kod”, të papriturat e udhëtimit ekzotik në Kinë

Gazetari Rezear Xhaxhiu dhe bashkëshortja e tij, ekspertja e face yoga-s, Laura ndërmorën një udhëtim 1-mujor në Kinë përgjatë verës. Çifti vizitoi disa prej qyteteve të Kinës, destinacione ekzotike dhe eksploroi kulturën e pasur që ofron shteti aziatik.

Në programin “Rudina” në Tv Klan ata ndajnë detajet e këtij udhëtimi, që nga organizimi i cili është kryer muaj më parë, rezervimet, përcaktimi me itineraret, konsultimet me persona që e kanë vizituar pasi gjithçka funksiononte ndryshe. Kënaqësisë së pamasë gjatë udhëtimit iu shtuan edhe disa të papritura që ndryshonin dinamikën e programit të tyre.

Rezear Xhaxhiu: Ky është një vend me shumë të papritura. Për një turist nazeli nuk e përballon dot. Do t’i përmend disa të papritura, për shembull, mungesa totale e gjuhës angleze. Nuk e njihnin as 18-vjeçarët, ndalonim në rrugë për të pyetur për ndonjë…kjo ishte një vështirësi e madhe. Mungesa e të gjitha rrjeteve sociale që janë…

Laura Xhaxhiu: Mungonte Google, ishin të prera. Domethënë, ti nuk…

Rudina Magjistari: Si orientoheshit?

Laura Xhaxhiu: Mos e thuaj.

Rudina Magjistari: Si e gjenit ju adresën e hotelit?

Laura Xhaxhiu: Adresat e hotelit i kisha gjetur më para.

Rudina Magjistari: Pra do super përgatitje se atje ngelke në mes të katër rrugëve.

Laura Xhaxhiu: Po, patjetër do përgatitje dhe kisha futur një sërë aplikacionesh të reja në telefonin tim që t’i kisha independente nga Google, WhatsApp, Instagram, Facebook që të mund të funksionoja dhe të vazhdoja jetën normalisht. Për kinezët ishte okej, po ata i kishin të gjitha në gjuhën e tyre dhe ne s’kuptonim as edhe një gërmë kështu që patjetër duhej të përgatitesha, që nga përkthimi. Isha gjithmonë me një aplikacion që unë flisja në anglisht, tjetri përgjigjej.

Rezear Xhaxhiu: Ajo të hante kohë, ajo të hante nerva, ajo të hante…

Laura Xhaxhiu: Por ia dolëm.

Rezear Xhaxhiu: Vështirësia e dytë, unë po them vështirësitë ti analizoji. Mungesa totale e lekut kesh,  pothuajse. Kinezi celularin e kishte portofol, ATM, bankë, gjithçka. Edhe një tufë majdanoz që e merrte, e merrte duke e skanuar, nuk nxirrte lekë.

Rudina Magjistari: Domethënë paguanin me kartë?

Rezear Xhaxhiu: Me celular.

Laura Xhaxhiu: Edhe lypësit kur lypnin, të jepnin kodin. Ose kur blije dy karota, kishe kodin. Për ata ishte super lehtësi, por edhe për ne që ia morëm pak dorën.

“I ‘fshinim’ pjatat, hëngrëm mish gjarpri”, Laura dhe Rezear Xhaxhiu rrëfejnë udhëtimin e jetës në Kinë

Kina e largët u shndërrua në destinacionin ekzotik të verës për Laura dhe Rezear Xhaxhiu. Një udhëtim i mbushur me kujtime, argëtim, zbulime, kënaqësi dhe të papritura nga një kulturë krejtësisht ndryshe. Në bisedën me programin “Rudina” në Tv Klan ata zbulojnë disa prej çudirave të këtij vendi kaq të veçantë dhe eksplorimin e plotë të tij deri te ushqimet e pazakonta.

Rezear Xhaxhiu: Unë e konsideroj si udhëtimi i jetës, e di pse?

Laura Xhaxhiu: Është një nga eksperiencat më të bukura.

Rezear Xhaxhiu: Pamë, shijuam, u futëm në brendësi sepse kemi hyrë edhe në brendësi të Kinës, jo vetëm Shangai e Pekin.

Rudina Magjistari: Ai është udhëtimi i vërtetë them unë.

Rezear Xhaxhiu: Udhëtuam me trena, njohëm njerëz, njohëm në kulturë, njohëm kuzhinën kineze. E njohëm, nuk morëm vesh asnjëherë ça hëngrëm.

Rudina Magjistari: Sepse thonë që ajo që gatuhet këtej në Evropë s’ka lidhje fare me origjinalen.

Laura Xhaxhiu: Unë e kisha me një çikë merak, por normalisht ishte një ushqim aq shumë i shijshëm sa më vinte të lëpija edhe pjatën. Biles njëherë ishim në një qytet të vogël, na kapi diku dreka dhe gjetëm një restorant dhe u futëm. Unë vajta të laja duart dhe thanë që futu te kuzhina. Kur u futa te kuzhina, u tmerrova, çfarë pashë aty, dal dhe i them Rezearit në qoftë se s’më zë ndonjë kolerë këtë radhë… kur erdhën pjatat, jo vetëm që i fshimë, por thashë le të na zërë ajo kolera por jemi të ngopur.

Rudina Magjistari: E keni shijuar jetën.

Rezear Xhaxhiu: Unë mendoj se sekreti i kuzhinës kineze është kombinimi i dhjetëra salcurinave të cilat ndikojnë që ti të mos kuptosh. Për shembull, dolëm nga një restorant dhe na tha kamarieri “keni ngrënë edhe mish gjarpri”. What? Por ne nuk e dinim.

Laura Xhaxhiu: Dimë që ishte shumë e shijshme.

Gjeti ‘sozinë’ e Rudinës në Kinë, Rezear Xhaxhiu surprizon moderatoren me një dhuratë

Aventura në Kinë e Laura dhe Rezear Xhaxhiut ka qenë një eksperiencë e paharrueshme dhe nuk kanë harruar edhe dhuratat për miqtë e tyre. Një prej dhuratave nga toka e largët ata e kanë sjellë posaçërisht për Rudina Magjistarin, një simbol elegant i grave kineze. Një erashkë e qëndisur me kujdes e finesë, është dhurata për moderatoren e programit “Rudina” në Tv Klan dhe pas saj qëndron një histori po aq interesante sa dhurata.

Rezear Xhaxhiu: Pasi vizituam Murin Kinez, po pinim një kafe te ato restorantet neve, shoh në largësi një zonjë, mosha jote, diku te 40 vjeç. Edhe… çfarë ka? Po 40 vjeç.

Rudina Magjistari: Jo, okej, më paskeni kujtuar, më paska ngjarë ajo.

Rezear Xhaxhiu: Edhe po bënte fresk me shumë elegancë dhe kishte konstruktin tënd, sigurisht kineze.  I them Laurës, shiko sa i ngjan Rudinës.

Rudina Magjistari: Ua!

Rezear Xhaxhiu: Prit, kthen kokën kjo, “nuk më duket”, tha.

Rudina Magjistari: Ua më paskeni kujtuar deri atje!

Rezear Xhaxhiu: I thashë jo, po shikoje në formë, këtej-andej. Nuk e zgjati, “ahu, shijet e tua” tha. Mua m’u fiksua, kaq bukur mënyra si… thashë do i marr një Rudinës vetëm falë asaj zonje që e bënte me shumë elegancë. Thashë po e blej një, do ia bëj dhuratë, duhej bërë kështu një çikë.

“Kinezët vishen firmato, veshjet ‘fake’ i dërgojnë në Evropë”, Xhaxhiu tregon çmimet e ‘çmendura’

Një destinacion me shumë surpriza dhe ngjarje të paparashikuara ka rezultuar Kina për Laura dhe Rezear Xhaxhiun. Specialistja e face yoga-s tregon për “Rudina” në Tv Klan se ndryshe nga ç’kishte menduar, koha nuk ishte e favorshme për të bërë blerje, por njëkohësisht atje hasi edhe një standard shumë të lartë. Dyqanet e markave të njohura me veshjet e luksit ishin të përhapura në masë.

Laura Xhaxhiu: Kina kishte edhe një të papritur tjetër që unë nuk arrija ta konceptoja dot. Kina ishte një vend me super standard ku në të kishte vetëm marka, po marka Yves Saint Laurent…

Rezear Xhaxhiu: Gucci, Valentino.

Laura Xhaxhiu: Siç është Zara dhe HM në Evropë, atje ishin këto.

Rudina Magjistari: Dyqanet origjinale në masë, të hapura.

Laura Xhaxhiu: Një miku ynë që ishte aty tha “kinezët mbajnë vetëm gjëra origjinale, çfarë janë ‘fake’ i çojnë në Evropë”. Dhe unë që kisha shkuar jo me shumë rroba dhe thashë do blej diçka aty, nuk arrita të blija asgjë. Shumë pak gjëra, nja dy gjëra të vogla mëndafshi që kam blerë pasditeve. Një nga gjërat që u shokova ishte që nuk bëja dot pazar në Kinë. Ishte e pamundur, kishte super standard, gjërat ishin aq shumë të shtrenjta sa nuk e besoje dot se thoje nuk është e mundur se ne kudo që shkojmë, themi shkojmë te tregu kinez do marrim gjëra të lira.  Jo, jo nuk ekzistonte kjo gjë atje.

Laura shton se çmimet në supermarket ishin gjithashtu të larta. Një kokërr vezë korrespondonte me 300 Lekë, 1 kg oriz arrinte thuajse deri në 15 Euro. Nga ana tjetër, restorantet, shërbimet komunitare dhe transporti publik ishin me çmime të volitshme dhe të mirëorganizuara.

Mbeti ‘single” në Love Island Albania/ Çfarë ka për të thënë Salioni

Në pjesën e dytë të programit për ditën e sotme do të ndalemi tek reality show i dashurisë “Love Island Albania” dhe pikërisht tek një nga djemtë që u eliminua gjatë javës që lamë pas. Një nga konkurrentët në vilë (Denisi), zgjodhi partneren e tij Aishën duke e lënë kështu single. Por diçka e tillë sipas rregullave të formatit e ka penalizuar duke e detyruar të lërë vilën dhe lojën.

Është komentuar gjatë si personazh kjo edhe për shkak të debateve të shpeshta që ka patur në vilë, por ne do t’a kemi këtu sot për ta pyetur rreth eksperiencës  së tij dhe gjithashtu sesi kanë qenë këto ditë për të jashtë “Love Island Albania”.

Shfaqi pëlqim për Aishën, Salioni tregon bisedën me të para largimit nga  “Love Island Albania”

Salioni mbeti pa partnere në garën e dashurisë së “Love Island Albania” çka shkaktoi daljen e tij nga vila. Ndërsa qëndrimit të tij po i afrohej fundi, ai kishte shfaqur një pëlqim ndaj Aishës. Në intervistën për “Rudina” në Tv Klan, ish-konkurrenti shpjegon raportin dhe bisedën e tyre pak përpara largimit.

Salion: Pëlqim për njëri-tjetrin s’diskutohet që kemi pasur, por në fund patëm disa probleme dhe sigurisht q mund të rregulloheshin me kalimin e kohës, pro ashtu ndodhi dhe duhej të largohesha.

Rudina Magjistari: Ama, mes gjithë vajzave se ti ke simpatizuar disa aty, le të themi ke provuar të njihesh me disa.

Salion: Tentova, po.

Rudina Magjistari: Me cilën prej tyre pate më tepër ndjenjë?

Salion: Më tepër me Aishën. Kishim një javë me njëri-tjetrin që po qëndronim gjithë kohës. Okej, ndodhën ato problemet me njëri-tjetrin, kishim probleme me komunikimin, pak distancë nga njëri-tjetri nga fundi por ishte diçka që e folëm që mund të rregullohej. Pastaj ndodhi e papritura.

Rudina Magjistari: Tani si po të duket Aisha, si do vazhdojë rrugëtimi i saj aty nga ajo që sheh nga jashtë?

Salion: Në një bisedë që bëmë pak ditë para se të largohesha ishte që nëse largohej njëri prej nesh, tjetri do vazhdonte të njihte dikë se ne thjesht ishim në një njohje, nuk është se patëm një lidhje me njëri-tjetrin. Ishte thjesht një njohje, nuk dihej si do shkonte. Kështu edhe ajo do njohë dikë tjetër, edhe unë po të isha aty do njihja dikë tjetër.

Largimi i papritur i Ildës nga “Love Island Albania”, cili është komenti i Salionit?

Debatet mes ishullorëve kanë qenë edhe një prej zhvillimeve kryesore në “Love Island Albania”. I ftuar në “Rudina” në Tv Klan, Salioni flet për raportin e tij brenda vilës me Ildën, një prej vajzave me të cilën është përplasur disa herë. Tashmë edhe Ilda është një prej të larguarave nga vila, një ngjarje që për Salionin ka qenë e papritur.

Rudina Magjistari: Me Ildën keni pasur një lloj  ngacmimi të vogël, përplasje të lehtë?

Salion: Po, kemi pasur disa përplasje me Ildën brenda. Asgjë personale, kanë qenë thjesht në kuadër të opinioneve të ndryshme që kishim për njëri-tjetrin. Domethënë një opinion që ajo mund të kishte për mua, dikush tjetër s’e kishte.

Rudina Magjistari: E prisje daljen e saj, tani pikërisht në këtë moment?

Salion: E prisja, por edhe nuk e prisja domethënë. E prisja që do ndodhte, por nuk e prisja që do ndodhte kaq shpejt.

“Ato u puthën dhe sikur më thirrën”, Salioni flet për puthjen me Amadean

Puthja e Salionit me Amadean, fill pas puthjes së kësaj të fundit me Sofielën ende pa u plotësuar 24 orët nga hyrja e konkurrentëve në vilën e “Love Island Albania” ishte një prej ngjarjeve më të bujshme. Në intervistën për “Rudina” në Tv Klan, Salioni shpjegon si ndodhi puthja dhe raportin e tij me Amadean,  prej të cilit nuk pati më puthje të tjera.

Rudina Magjistari: U bë dikush xheloze për ty?

Salion: Në fillim Amadea. Por edhe Aisha pastaj.

Rudina Magjistari: Me Amadean më duket keni shkëmbyer një puthje, ka pasur diçka aty apo jo?

Salion: Po.

Rudina Magjistari: Si erdhi ai moment?

Salion: Ishte… Amadea dhe Sofiela që po qëndronin bashkë dhe ngaqë u puthën me njëra-tjetrën, isha unë aty afër edhe tani…m’u duk sikur më thirrën, “hajde”.

Rudina Magjistari: Pra, ishte më shumë  për lojë apo vërtet pate një simpati të fortë, tërheqje prej saj?

Salion: Tani për lojë unë s’mund të puth këdo. Thjesht ndodhi në atë moment, s’e shpjegoj, thjesht ndodhi.

Rudina Magjistari: Ndodhi dhe nuk ndodhi më pastaj. Pse s’ndodhi më?

Salion: Po nuk arritëm dot të përshtateshim me njëri-tjetrin. Unë dëshiroja diçka tjetër, ajo diçka tjetër.

“Kanë kimi, por…”, çfarë parashikon Salioni për çiftin Haris-Amadea

Çifti i “Love Island  Albania”, Haris-Amadea janë një prej më të komentuarve të spektaklit. Salioni, i cili më parë ka shkëmbyer puthje dhe ka flirtuar me Amadean, tani është eleminuar nga gara. I ftuar në “Rudina” në Tv Klan, ai bën një parashikim për raportin aktual të çiftit.

Salion: Me thënë të drejtën, kanë një kimi goxha të madhe me njëri-tjetrin.

Rudina Magjistari: Pra mendon që ndjenja është e vërtetë ajo që provojnë?

Salion: Mendoj që deri diku është. Por pashë në promo që do hynte një vajzë e re dhe vura re që kishte zgjedhur Harris dhe kam përshtypjen se do t’i ndikojë pak.

“E di që më do, mos u mërzit/Ti dole pa gjë”, a janë takuar Salion dhe Ilda pas debatit?

Pas eleminimit të Salionit nga gara e “Love Island Albania” në Tv Klan, pati një debat mes tij e Ildës gjatë spektaklit. Ilda u shpreh se Salioni nuk ishte në pëlqimet e saj, ndërsa ai iu përgjigj të mos mërzitej se do e takonte kur të dilte. Këtë deklaratë Ilda e kundërshtoi dhe i tha se “doli pa gjë, ndërsa ajo do të dilte e dashuruar”. Salioni sqaron për “Rudina” nëse do të ketë një takim jashtë mes tyre.

Salion: Ne, ditën që unë dola, kemi pasur një komunikim unë, Ilda dhe Aleksandri, të tre. Ishte një komunikim për t’i thënë njëri-tjetrit që s’kemi asgjë personale, as Ilda me ne të dy,as ne të dy me atë. E diskutuam, folëm, por prapë vazhduan gërricjet ata të dy me njëri-tjetrin, por që ne që atje, mendoj që u sqaruan ca probleme që në vilë dhe vazhdimi do të ishte mirënjohje për njëri-tjetrin dhe secili do të vazhdonte me çiftin respektiv, kë pëlqente e kë jo.

Java kulturore Kineze në Tiranë/ Folklor, kulinari, cirk, koncerte e festa në shesh

Nga 25 shtator deri në 1 tetor, Kina e largët do të shpaloset me të gjitha ngjyrat e saj në Tiranë. 7 ditët e kulturës kineze do të jenë të mbushuara me folklor, kulinari, cirk, ekspozitë fotografike, koncerte e festa në shesh. Ne kemi qenë pikërisht në një prej tyre, ditën e martë, një mbremje me vallëzimet e bukura tradicionale kineze, akrobacite dhe me muzikën folklorike.

/tvklan.al