Të ftuar:

Edita Tahiri – Diplomate

Edita Tahiri është një lidere, politikane, diplomate dhe negociatore e njohur shqiptare. Fëmijëria e saj ka qenë e vështirë. Babai i saj ka qenë në burg në kohën e Rankoviçit, pasi është angazhuar në veprimtari kombëtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ka qenë i dënuar kur Edita ishte vetëm 11-muajshe. Në mungesë të babait dhe angazhimeve të nënës, e cila punonte dyfish më shumë për ta mbajtur familjen, ende sot e kujton fëmijërinë me nostalgji e bindur që këto rrethana ishin përcaktuese të orientimit të saj të mëvonshëm, në shërbim të çështjes kombëtare.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Tahiri tregoi se pas daljes nga burgu, babait të saj iu desh të mjekohej për 10 vjet në qendra të ndryshme neuropsikiatrike.

“Politika ka qenë një udhëtim pak i planifikuar e më shumë i krijuar nga rrethanat. Patëm një histori të gjatë si komb shqiptar, ne mbetëm jashtë kufijve të Shqipërisë dhe ishim më të shtypur. U rritëm me ndjenjën e padrejtësisë që na ka ndodhur si komb. Unë e kisha në familje këtë tragjedi. Nëna ime nga Shqipëria dhe babai nga Prizreni, të cilët ishin martuar gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ne nuk kishim kufij dhe ishim të bashkuar. Babain e futën në burg në përpjekjet e tij për bashkimin kombëtar në kohën famëkeqe të Rankoviçit që ka shtypur shqiptarët. Kur babai doli nga burgu unë isha 6 vjeç dhe kam qenë vetëm 11 muaj kur ai hyri në burg. Fëmijërinë time e kam quajtur të burgosur sepse nënës i ra barrë jo vetëm të na mbajë ne, por edhe të mbështesë babain. Në familjen tonë reflekton tragjedia e shqiptarëve, por sot jemi mirë. Kosova është e pavarur. Nëna ime vdiq me mallëngjim dhe ëndrra pa e parë familjen. Këto ishin frymëzimet dhe faktorët që ndikuan kohë pas kohe në formimin e personalitetit tim individual me orientim në shërbim të çështjes kombëtare”, tha Tahiri.

Ajo është një nga gratë më të rëndësishme të politikës shqiptare në Kosovë. Një personalitet që është angazhuar herët në politikë, madje në kushte të vështira të mungesës së stabilitetit të politikës kombëtare të Kosovës dhe një njohëse e mirë e luftës në të gjitha dimensionet e saj.

Por përtej angazhimeve të shumta e të rëndësishme politike, Edita Tahiri duket se di të gjejë kohë edhe për vete. Ajo tregoi sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan se ka hobi udhëtimet dhe se bën disa të tilla gjatë vitit. Politikania shtoi se preferon artin, muzikën klasike dhe se e intrigon gjithësia dhe ndjek me interes lajmet e NASA-s.

“Përveç 10-vjeçarit kur kam qenë ministre e Jashtme e Kosovës 10 vjet, pas Luftës së Kosovës i kam ndarë dhe i ndaj kohë vetes. Unë nuk zgjohem herët sepse fle vonë dhe ajo kohë e mëngjesit është e imja, nuk kam dëshirë të pengohem. Pastaj udhëtimet i kam hobi dhe gjatë vitit kam disa të planifikuara për konceptin tim. Dhe këto lidhen jo vetëm me vizita për të parë vendin, por edhe muzetë. Preferoj shumë artin, muzikën klasike. Është hera e parë që e them, por ku kam qenë fëmijë kam qenë e intriguar me gjithësinë edhe sot e kësaj dite ndjek lajmet e NASA-s. Këto janë gjëra që ma marrin kohën nga pak”, tha politikania.

Ilva Leskaj – eksperte për estetikën e kafshëve shtëpiake në Francë.

Pjetër Matusha – Lahutar

Pjetër Matusha është një nga të paktët artistë të cilët vazhdojnë ende sot të kultivojnë me besnikëri traditën e instrumentit të lahutës, i cili konsiderohet si një simbol etnik. Prej gjysëm shekulli i pandarë prej lahutës, Pjetër Matusha si një raspod i vërtetë dhe i pasionuar ka interpretuar për shumë vite me radhë eposin legjendar dhe ka krijuar vargje epike historike të cilat i ka ndërthurrur së bashku me shumë origjinalitet.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Matusha tregoi se lahutën e ka mësuar që në moshën 13- vjeçare. Deri më 1981 Pjetër Matusha ka marrë pjesë thuajse në të gjitha festivalet folklorike. Sot, Matusha është në pension dhe është vlerësuar me çmime të shumta gjatë jetës së tij, brenda dhe jashtë vendit. Fundvitin që sapo lamë pas, lahuta është futur në listën e trashëgimisë së UNESCO-S dhe njihet si trashëgimni e Serbisë.

“Lahutën e kam nisur që në moshën 13-vjeçare, e kam trashëgimni nga gjyshi sepse babin nuk e kam njohur. Kur e kam mësuar lahutën nuk ka patur drita fare, por e kam patur qejf. Ky instrument është shumë i vjetër, ka vetëm një tel. Më ka ardhur shumë keq që lahuta është shpallur trashëgimni e Serbisë”, tha Matusha.