“Katrori i pushtetit”/ Nis xhirimet seriali i ri shqiptar.

Pasditen e kësaj të hëne, të ftuar në emisionin “Rudina” në TV Klan kanë qenë aktorët e njohur të ekranit shqiptar, Ema Andrea, Romir Zalla dhe Orli Shuka.

Tre artistët kanë dhënë detaje për serialin e ri që tashmë ka nisur xhirimet dhe trajton ngjarjet aktuale të dekadës së fundit në vendin tonë.

Për aktorin Orli Shuka i cili kthehet në Shqipëri pas 21 vitesh, ky serial mbart një emocion të veçantë.

“Unë kam vetëm 3 ditë që xhiroj, Ema ka 2 javë që xhiron dhe është personazhi kryesor. Mendoj se është një risi për televizionin shqiptar sepse ngjarjet janë shumë aktuale dhe shumë të prekshme. Janë ngjarje të 10 viteve të fundit, të mos them të 20 viteve të fundit. Për mua është një emocion i veçantë sepse vij për herë të parë në Shqipëri pas 21 vitesh. Babai im ndërroi jetë dhe rolin e fundit që kishte e luajti me Ema Andrean. Unë pas 21 viteve e kam partnere Ema Andrean. Kështu që është një emocion shumë i veçantë”, theksoi Orli Shuke.

Ndërkohë, aktori Romir Zalla tregon se ky lloj seriali po xhirohet për herë të parë në Shqipëri.

“Është volum i madh pune sepse flitet për 6 seri dhe nuk është pak. Mua më duket çmenduri për kaq pak kohë sa ka vendosur produksioni ta xhirojë, por gjithsesi është bukur. Është eksperiencë e jashtëzakonshme adrenalina që ka puna. Fakti që luajmë në një serial i cili ka shumë kuriozitet, ka intrigë, është gati aksion. Kjo është një gjë që ka ndodhur rrallë, për të mos thënë që është hera e parë që ndodh me produksionet në Shqipëri”, tha Romir Zalla.

Aktorja Ema Andrea, e cila ka edhe rolin kryesor si një gazetare investigative është shprehur se xhirimet janë planifikuar të mbyllen në fund të muajit Maj.

“Xhirimet mbarojnë në fund të Majit, të paktën ky është plani i punës. Por është edhe post produksioni dhe filmi hyn në një fazë krejt tjetër, edhe ajo krijuese”, u shpreh Ema Andrea./tvklan.al

“31 fruta dhe perime”/ Nje liber me keshilla nga Hajredin Toca.

Në këtë pjesë të dytë do të kemi të ftuar agronomin Hajredin Toca. Ai sapo ka publikuar librin e tij të parë “31 fruta dhe perime”. Si ndikojnë frutat dhe perimet në shëndetin e njeriut? Si t’i zgjedhim dhe t’i ruajmë ato? Cilat janë vlerat ushqyese dhe përbërësit kryesor?

Vaksinat e femijeve/ Ja ç’duhet te dini para vaksinimit.

Në këtë pjesë të tretë do të flasim për vaksinimin e fëmijëve dhe Covidin. Sfidat, problematikat që ata hasin si dhe rekomandimet e mjëkëve pediatër. Për të folur rreth kësaj teme, në studio kemi të ftuar mjeken pediatre Nikoleta Kolici.