Të ftuar:

Leila Kraja – Moderatore

Ajo bie shpesh në sy për pamjen e saj, fizikun perfekt dhe tërheqës. Ka lindur në Kaliforni, por është rikthyer në vendin ku kanë lindur prindërit e saj për të vazhduar pasionin që ka për televizionin. Moderatorja Lejla Kraja është një ndër prezantueset sportive që po bën për vete jo vetëm futbollistët, por edhe tifozët. Bukurinë e saj e ka shfaqur edhe në konkurse bukurie ku ka përfaqësuar Kaliforninë në “Miss Amerika 2017”.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu se si u bë pjesë e televizionit dhe vendosi të qëndrojë në Shqipëri.

“Unë isha për qejf në Shqipëri dhe mendoja të qëndroja më gjatë. Por nëse nuk ke një angazhim nuk ke se ç’bën. Por shoku im Ervin Kurti njihte këto të Digitalb, aty kishte një hapësirë dhe kështu u gjenda në televizion.

E kisha shumë të vështirë në fillim të them të drejtën sepse gjuha shqipe është shumë e vështirë për t’u mësuar sepse unë e kisha harruar komplet. E kam mësuar gjatë këtij viti, i jam shumë mirënjohëse kolegëve të mi të cilët më kanë ndihmuar me gjuhën. Mua më pëlqen sporti dhe kam qejf të qëndroj në sport. Jam prej një viti në Shqipëri dhe akoma nuk e kam kuptuar sa shpejt më ka ndryshuar jeta. Është përgjegjësi e madhe të kesh program televiziv”, tha Lejla.

Ian Pelham Turner – Fotograf

Ian Pelham Turner është fotografi që me aparatin e tij ka fiksuar ngjarjet më të bujshme brenda oborrit Mbretëror në Angli për pesë gjenerata me radhë. Por jo vetëm kaq, ai ka arritur që edhe t’i komentojë këto foto. Prej 53 vitesh ai ka punuar edhe si gazetar në televizione si BBC, CNN, Sky TV.

Sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ai ndau me të gjithë eksperiencën e tij të gjatë si fotograf i familjes Mbretërore Angleze. Gjatë emisionit ai po ashtu rrëfeu momente nga puna me Lady Dianën të cilat e kishin bërë të kuptonte se marrëdhënia e saj me Princin Charles ishte në krizë.

“Ka qenë privilegj për mua të punoja me Familjen Mbretërore. Isha 16 vjeç kur duhej të nxirrja në foto Princeshën Margaret, motrën e Mbretëreshës dhe bashkëshortin e saj dhe kjo më frymëzoi për të punuar më shumë me anëtarët e familjes mbretërore. Në vitet e ardhshme karriera ime u rrit dhe fillova të punoj në një vend që quhet Fleet Street në Londër, e cila është qendra e gazetave ndërkombëtare dhe unë isha fotografi më i ri.

Kur e pa këtë pallati i Buckingham, më ftuan t’i bëja foton e parë të autorizuar Pricit William kur ishte foshnje. Ata më thanë se nuk kisha të drejtë të flisja me ta dhe se kisha vetëm 7 minuta kohë të bëja foto bardhë e zi dhe me ngjyra për të nxjerrë foton perfekte, e cila do të shpërndahej në 180 shtete të botës për Krishtlindjet e vitit 1982. Për dy javë nuk haja dhe nuk flija sepse e dija që gjithçka do të shkonte mbrapsht. Dhe erdhi dita, dritat ishin gati, kamerat ishin gati. Princi Charles dhe Diana ishin të ulur aty. Diana kishte marrë në dorën e saj një lodër në mënyrë që të nxirrte fytyrën e William qartë përballë kamerës, por ajo nuk e kuptonte që ishte duke fshehur fytyrën e saj.

Unë kisha vetëm 7 minuta kohë dhe nuk mund të shihja fytyrën e Dianës dhe bëra një zhurmë sikur isha në hall të madh dhe Diana ktheu kokën nga unë dhe kuptoi që unë isha duke thyer protokollin dhe ajo e adhuroi atë, ajo adhuronte kur thyhej protokolli. E kuptoi se çfarë po kërkoja, largoi lodrën, William nisi ta kapë atë dhe unë në të qindtën e sekondës kisha një nga fotografitë më të famshme të të gjitha kohërave në botë. Ajo ditë nuk mbaroi me aq, por 7 minutat kishin mbaruar. Diana vendosi të ngrejë William dhe ta drejtojë drejt kamerës dhe e la Charles aty, unë vura re që ai ishte ulur pas saj shumë i inatosur që po lihej pas. Kështu kishte filluar të thyhej marrëdhënia e tyre.

Diana kishte vendosur që ajo do të jetë fotoja që do të shpërndahej për gjithë botën. Pas disa minutash Charles e heq William nga Diana dhe fillon të luajë me të duke e gudulisur. Kur mbaroi gjithçka, Diana buzëqeshi. Ajo e dinte se çfarë kishte bërë dhe më pas u largua. Ne që atëherë e dinin që kishte krizë në marrëdhënien e tyre. Unë kam punuar shumë me Dianën dhe ka patur ngjarje kur të dy konkurronin për të nxjerrë foton më të bukur të ditës”, tha Ian Pelham Turner.

Ish-fotografi i familjes mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, Ian Pelham Turner ndodhet në Shqipëri pasi do të promovojë bukuritë e vendit tonë dhe t’i ekspozojë në të gjithë botën.

Manjola Gjonaj – Drejtoresha Ekzekutive e Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”