RUDINA – EMISIONI 30 MAJ 2019!

RUDINA – EMISIONI 30 MAJ 2019!

19:35 30/05/2019

Të ftuar:

Esela Pysqyli – Aktore

Eli Pysqyli – Eksperte Caji

Ajo është një aktore e cila ka spikatur me rolet e saj të shumta jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi. Edhe pse tashmë është zhvendosur në Itali për të zgjeruar edhe më tej karrierën e saj, Esela Pysqyli jo rrallë vjen në Shqipëri për projekte të ndryshme, por edhe për të takuar familjen e saj.

Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan sëbashku me mamanë e saj Eli Pysqyqi për treguar lidhjen e ngushtë që kanë me njëra-tjetrën.

“Marrëdhënia jonë besoj është si e çdo nëne dhe bije. Ne kemi një komunikim shumë të mirë me njëra-tjetrën, marrëdhënie shumë miqësore, por kjo ka ardhur me kalimin e viteve, pas adoleshencës. Besoj se momentet e adoleshencës kanë qenë si të çdo vajze tjetër, e cila mendon se i di gjërat më mirë se sa mami. Ajo periudhë ka qenë konfliktuale, por baza ka qenë shumë e mirë. Kur kalova adoleshencën dhe u largova nga shtëpia jemi afruar më shumë dhe marrëdhënia jonë është tamam si e dy shoqeve. Unë jam shumë e qetë për të komunikuar për çdo gjë me mamin. Tani i kam treguar edhe për gjërat për të cilat e kam gënjyer gjatë periudhës së gjimnazit. I ka zbuluar pasi kanë ndodhur”, tha Esela.

“Edhe unë flas shumë me Eselën dhe marr mendime prej saj. Esela merr mendime më të pjekura se unë, ndërsa unë marr forcën e rinisë prej saj. Esela është gjithmonë entuziaste dhe të përçon shumë forcë. Kur ka qenë e vogël Esela ishte shumë qaramane dhe unë si nënë e re shqetësohesha dhe qaja edhe vetë. Por pastaj u bë fëmijë i qetë dhe m’u bë si shoqe. Këto tipare që ka tani i ka pasur që e vogël. Kam qenë 24 vjeç kur jam bërë nënë për herë të parë. Tani mezi po pres të bëhem gjyshe”, shtoi Eli Pysqyqi.

Klodiana Shala – Ish Atlete

Jemi në prag të pushimeve verore dhe deti është destinacioni më i frekuentuar nga të gjithë. Por krahas vendit se ku do të kalojmë pushimet, fillojnë dhe shqetësimet për fizikun.

Dikush mund të ketë menduar me kohë, po ka nga ata që rutina e përditshme nuk i le shumë hapësirë për t’u kujdesur për veten. Por përveç kësaj, ndonjëherë jo të gjithë kanë mundësi të frekuentojnë palestrën për të arritur rezultatet që duan. Ish-atletja Klodiana Shala e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan demonstroi disa ushtrime me topin e pilatesit edhe me gira, të cilat mund t’i improvizoni në një kënd të shtëpisë tuaj.

“Është shumë e rëndësishme të dimë çfarë ushtrimesh do të bëjmë për të pasur një muskul të gjatë dhe të bukur. Ushtrimet me topin e pilatesit aktivizojnë punën e muskujve të shpinës dhe të barkut. Nxisin shkrirjen e kalorive dhe është mirë të bëhen me cikle, 3 herë nga 12. Për ushtrimet fizike është me rëndësi madhësia e topit, sepse kur uleni në të, ijet dhe gjunjët duhet të jenë në shkallën prej 90 gradësh. Do iu tregoj edhe diçka tjetër, nuk është e thënë të bëjmë ushtrime vetëm me pesha, muskujt që ne formojmë me peshën e trupit janë më efikase. Duke bërë ushtrime të paktën 20 minuta në shtëpi do të ndihemi shumë mirë. Pas ushtrimeve është shumë e rëndësishme të bëjmë streçing në mënyrë që të relaksojmë muskujt”, tha Shala.

Të ngjashme
UKT